Të gjithë shajnë
Në vitin 2003, "fjalët e pista" u kthyen në një çështje të vërtetë diskutimi në Kongresin Amerikan. Kjo ndodhi një natë pas transmetimit të ndarjes së çmimit "Globi i Artë", ceremonia e të cilit u transmetua edhe në televizionin NBC. Këngëtari i grupit të famshëm irlandez "U2", Bono, ndërsa merrte çmimin, m‘u para telekamerave tha me zë të lartë: "Kjo është vërtet, vërtet ...e mrekullueshme", në vend të pikave nënkuptoni një sharje tipike e të rëndë, që amerikanët dhe britanikët e përdorin rëndom në jetën e përditshme. Për çudi, institucioni amerikan, që merret me vëzhgimin e transmetimeve televizive, e ndër të tjera edhe me etikën e tyre, nuk e gjobiti NBC për transmetimin e fjalisë së Bonos, duke e justifikuar shpërthimin e Bonos si një shprehje entuziazmi të momentit. Por një fakt i tillë i indinjoi konservatorët amerikanë. Kështu, një deputet i Kalifornisë vendosi që të ndryshonte ligjin e institucionit mbikëqyrës me një propozim që konsiderohet si më i çuditshmi i bërë ndonjëherë në Kongres. Ligji i propozuar quhej "Clean Airëave act" (dekreti mbi eterin e pastër). Nëse ky ligj do të aprovohej, atëherë në të gjitha emisionet e transmetuara në televizionet amerikane do të ndalohej rreptësisht përdorimi i "fjalëve të pista", të cilat i hasim shumë në përdorimin e përditshëm. Sigurisht që dekreti nuk u aprovua, por ndërkohë ky episod nënvizon një nga paradokset e shumta që kanë lidhje me përdorimin e "fjalëve të pista". Kur përdoren në biseda të karakterit politik është sikur të jetonim në një botë utopike, që garanton lirinë më të madhe. Në emisionet e orëve të vona komikët mund të fusin në dialogët e tyre humoristikë "fjalë të pista" pa fund, kur përshkruajnë apo portretizojnë politikanët ose personat e fuqishëm, madje shpesh thuhen vulgaritete të tilla, që në shekujt e kaluar do t‘u kishin marrë jetën pa asnjë dyshim. Por kur të njëjtat fjalë marrin karakter seksual, atëherë qeveria, e cila nuk mund të ndërhyjë në rastin e komikëve, në këtë rast paska fuqi që të thotë "stop".
Ekzistojnë një mori situatash e rrethanash në të cilat "detyrohemi" të përdorim "fjalët e pista": rasti kur e përdorim si çlirim nga një ndodhi e beftë dhe e papritur, për shembull kur presim gishtin me thikë, ndërsa jemi duke qëruar patate, janë sharjet që lëshojmë kur ndodhemi në xhunglën e trafikut, apo kur ndokush na pret rrugën papritur, janë termat vulgarë për objektet dhe aktivitetet e jetës së përditshme, i përdorim në kuptimin e tyre metaforik, por janë edhe fjalët që gjenden rëndom në të folurën e ushtarëve, adoleshentëve e kategorive të caktuara të njerëzve, që i përdorin me shumicë e vend e pa vend. Por ndoshta misteri më i madh është të kuptohet se përse shqetësohen kaq shumë politikanët, drejtorët e gazetave e revistave dhe njerëzit e thjeshtë. Refuzimi ndaj "fjalëve të pista" nuk ka të bëjë me kuptimin e mirëfilltë, pasi organet apo veprimtaritë e caktuara, të cilave i referohen kanë edhe një sërë sinonimesh të tjera më elegante se fjalët e thëna troç. Nuk ka të bëjë as me tingullin e fjalëve. Ka shumë njerëz që janë të bindur se vulgariteti e korrupton njeriun, veçanërisht të rinjtë dhe vazhdojnë ta mbështesin këtë ide. Por, ndërkohë, askush nuk na e ka shpjeguar se si është e mundur që dëgjimi i thjeshtë i një fjale vulgare mund të na e prishë moralin. Shkrimtarët progresistë e kanë nënvizuar këtë kontradiktë për të provuar absurditetin e tabuve gjuhësore. Sipas tyre, një moralist i vërtetë duhet t‘i konsiderojë të turpshme aktet e dhunës, pabarazinë dhe jo seksualitetin. Pushteti i çuditshëm emocional i tabuve gjuhësore në të gjitha kulturat e botës të bën të mendosh që ndoshta fjalët tabu ndikojnë në pjesët më të thella e më intime të trurit tonë. Në përgjithësi, fjalët nuk kanë vetëm një kuptim, por shpesh edhe një nënkuptim, pra një ngjyrim motiv dhe përdorimi i tyre nuk është vetëm motiv, por edhe i pavullnetshëm. Megjithatë, falë natyrës automatike të perceptimit gjuhësor, një fjalë tabu, në më të shumtën e rasteve e tërheq menjëherë vëmendjen tonë dhe na bën të reagojmë ndaj saj së pari, duke e njohur, duke e klasifikuar e më pas duke zgjedhur në mënyrë të rrufeshme ta përdorim apo jo. Që prej këtu ngrihet pyetja se cilat janë konceptet që kanë një ngarkesë emotive të tillë sa të bëjnë tabu fjalë të tëra. Le të marrim anglishten. Në këtë gjuhë, por edhe në disa gjuhë të tjera, rrënja historike e fjalëve, sado e çuditshme të duket, është fetare. E kuptojmë nga urdhëresa e dytë (mos e përmend kot emrin e Zotit të plotfuqishëm), nga popullariteti i fjalëve si djall, mallkim, Zot e Krisht dhe nga shumë terma të përdorur për të përcaktuar të folurën tabu: epitet (gjithçka që nuk është e shenjtë), blasfemi (fjalë për fjalë do të thotë "gjuhë e keqe"), por në praktikë merr kuptimin e mungesës së respektit ndaj të hyjnishmes, mallkim apo betim, që në thelb kanë lidhje gjithashtu me marrëdhënien e qenies njerëzore me hyjnoren. Tashmë në vendet anglishtfolëse fjalët me burime të tilla fetare nuk shqetësojnë më shumicën e njerëzve. Sot vetëm një njeri që është shumë me të vjetrën mund të skandalizohet për përdorimin e fjalëve të mësipërme. Ky ndryshim i situatës ka të bëjë me shekullarizimin e shoqërisë perëndimore. Sot fëmijët britanikë, kur betohen e përmendin Zotin gjithnjë e më pak. Kështu, ata thonë: " I hope to die if I tell a lie" (le të vdes, nëse gënjej). Njëherë e një kohë, për të njëjtin betim kishte një tjetër mënyrë të foluri, pra ai thuhej: "May God strike me dead if I‘m ling" (pra le të më vrasë Zoti në rast se unë gënjej). Një betim i tillë, por edhe të tjerë, në të cilët përmendej Zoti, sigurisht që ishin më të besueshëm në një epokë kur njerëzit ishin të bindur në shumicë për ekzistencën e Zotit dhe për faktin se ai i dëgjonte mendimet, lutjet dhe betimet e tyre. Edhe sot, pavarësisht se është ulur shumë numri i besimtarëve, ka institucione ku betimet bëhen ende në emër të Zotit. Kështu, në gjykatat amerikane duhet të betohesh në Bibël para se të japësh një dëshmi. Dhe kjo vazhdon të mbështesë mendësinë që nëse dikush gënjen, atëherë ai do të dënohet nga Zoti dhe do të japë llogari para tij. Sot, të gjitha nënkuptimet fetare kanë humbur pjesën më të madhe të ngarkesës së tyre emocionale, por ajo që nuk ka ndryshuar dhe që nuk do të ndryshojë kurrë është mekanizmi psikologjik. Asnjë prind nuk do të bënte kurrë një betim të tillë: "Betohem për jetën e fëmijës tim". Ideja e vrasjes së fëmijës për të arritur çfarëdolloj avantazhi nuk është vetëm një ide e pakëndshme, por e paimagjinueshme. Çdo neuron i trurit tonë është i programuar për të mos ta pranuar një gjë të tillë. Pamundshmëria e të menduarit të disa gjërave ndodhet në bazë të konceptit të tabusë dhe është pikërisht ajo që na ndalon të bëjmë betime mbi diçka të shenjtë, qoftë ky një simbol fetar, apo jeta e fëmijës sonë. Falë natyrës automatike të procesit verbal, vetë fjalët e shenjta që e bëjnë të sigurt një premtim mund të përdoren për të tërhequr vëmendjen, tronditur apo shkaktuar dhimbje fizike për ata që i dëgjojnë. Që kur shekullarizimi i ka bërë më pak të fuqishme fjalët me prejardhje fetare, njerëzit më me fantazi i kanë zëvendësuar ato me fjalë që kanë të njëjtin ndikim emotiv ndaj ndjeshmërisë së kohës sonë.
Zakonisht,pranueshmëria ndaj fjalëve tabu nuk lidhet ngushtë
me pranueshmërinë e objektit që i referohen, por në rastin e "lëngjeve trupore" lidhja që bëhet mes fjalës dhe objektit është shumë më e drejtpërdrejtë se në rastet e tjera. Shumë shkencëtarë kanë bërë pyetjen se përse "lëngjet" dhe fjalët që i përcaktojnë provokojnë një neveri të menjëhershme tek ata që i dëgjojnë nga gojët e të tjerëve, ndryshe nga shumë fjalë të tjera "të pista" ndaj të cilave nuk ekziston një reagim i tillë i dukshëm dhe i menjëhershëm. Sipas një biologu nuk është rastësi që substancat në fjalë janë edhe transmetueset më të mëdha të sëmundjeve infektive, viruseve etj. Edhe gjaku, të vjellat, mukozat e të tjera janë transportues të shkëlqyer të agjentëve patogjenë. Neveria nuk vjen vetëm nga vetë "lëngjet", por edhe lidhja që bëhet me vendin nga dalin ato. Eshtë një reagim gati fizik dhe i pavullnetshëm.
Një tjetër burim i rëndësishëm i fjalëve tabu është seksi. Duke nisur nga vitet ‘60,shumë mendimtarë përparimtarë nisën që të konsideronin tabutë që kishin lidhje me seksin si shumë qesharake. Sipas tyre , seksi është një burim kënaqësie i ndërsjelltë mes dy njerëzve dhe duhej "çliruar" nga ngarkesa negative që i ishte vënë në kurriz. Në lidhje me fjalët tabu me prejardhje seksuale mund të themi se kemi të bëjmë me paragjykime të mëdha, me një formë puritanizmi të vjetruar dhe si dhe frikën
e vjetër dhe të fshehtë që kemi se diku, dikush mund të ndihet i lumtur. Kështu, ndërsa ne mund të përdorim një sharje që në kuptimin e drejtpërdrjetë ka të bëjë me një marrëdhënie seksuale, po ta shohim hollë hollë kjo nuk ka të bëjë fare me një sharje, dukeqenëse marrëdhënia seksuale sjell kënaqësi. Pra ne në vend që ta shajmë personin, të cilit ia adresojmë sharjen, i bëjmë një urim të këndshëm. Nga ana tjetër tabuja ka të bëjë edhe me
anën e pakëndshme të seksit, pra marrëdhënies seksuale. Jo të gjitha janë të mbara e të mira dhe mbi të gjitha reciprokisht të kënaqshme . Veç kësaj ai mund të bëhet edhe shkak për transmetim të sëmundjeve të ndryshme madje edhe atyre vdekjeprurëse. Fjalët e lidhura me seksin mund të kenë një ngarkesë emocionale edhe më të madhe, sepse përveçse evokojnë mendime të ndryshme,njëherazi shfaqin edhe dasitë mes të dy sekseve, dy personave. Shkenca e psikologjisë evolucioniste merret me konfliktet e interesit të seksualitetit njerëzor. Ideja e seksit si nj bashkim i shenjtë mes dy personash monogamë mund të jetë në këto kohë moderne pak antike, por është pa asnjë dyshim shumë e favorshme për më të moshuarit e shoqërisë. Ka shumë arsye që na bëjmë të përdorim "fjalët e pista" dhe nga ana tjetër të mos i përdorim ato. Por ka diçka. Nëse nga abuzimi i fjalëve tabu ato një ditë do ta humbnin
ngarkesën emocionale , do të mbeteshim, pa dyshim, pa një mjet gjuhësor që ndonjëherë mund të jetë shumë i rëndësishëm e i efektshëm. Nëse do të përdoreshin në vendin dhe kohën e duhur ato do të kishin një efekt të jashtëzakonshëm, madje shumë më të madh se çdo mjet tjetër shprehës.