E Diel, 1 Nëntor 2026

Arabeskave u këputen krahët

Një vendim i paparashikuar i instancave qeverisëse turke ka çuar në dëshpërim shoferët e minibusëve, e ndërkohë ka gëzuar ata njerëz, të cilët e përjetojnë si terror fonik buçimën e bokseve të fshehura nëpër tapiceri, prej së cilave dalin tinguj muzike jo fort të pëlqyeshme. Fjala është për vendimin i cili ndalon që nëpër minibusë të vihet muzikë "arabeske". Kështu quhet ajo rrymë e përfaqësuar nga këngëtarë me famë në Turqi si: İbrahim Tatlleses,

Orhan Genxhebaj, Ferdi Tajfur apo Emrah.

Vendimi vlen vetëm për minibusët, sepse vetëm tek ata mund të haset muzikë e vënë nga shoferi. Ndërsa në automjetet e tjera të shërbimit urban, ekzistenca e ndonjë kasetofoni që nuk pushon së lëshuari ritme në eterin mbytës të kallaballëkut njerëzor as që bëhet fjalë. Por minibusët bëjnë përjashtim, ngase janë dhe të fundit "specie" në zhdukje, në shërbimin e transportit të udhëtarëve. Situata që provokoi dalja e vendimit për ndalimin e muzikës "arabeske" nga ana e shoferëve të minibusëve, u shtjellua me anë të një kronike speciale këto ditë nga një gazetare e televizionit muzikor KRAL. Ajo doli në terren për të intervistuar shoferë dhe pasagjerë rreth këtij vendimi. Siç pritej, shoferët nuk e kishin pritur mirë vendimin i cili i privonte ata nga një kënaqësi e qashtër që besohet të jetë një lloj ekstaze e fshehur ose e dukshme interplanetare për të gjithë botën e shoferëve ose përgjithësisht e njerëzve që janë në pozitat drejtuesit të makinës. Në rastin konkret, gazetarja kishte zgjedhur të intervistonte ca shoferë dukshëm me moshë rreth të dyzetave në timon, dikë të dobët e dikë barkfryrë, por që të gjithë mustaqellinj e më vështrim të lodhur, të cilët e konsideruan katastrofike heqjen e së drejtës për të dëgjuar muzikë, përkthyer si e vetmja mundësi argëtimi gjatë orëve të lodhshme të punës. Ndërsa disa pasagjerë e përshëndetën vendimin, duke thënë se qeveria tregohej kështu dhe me sqimë për sa i përket procesit të integrimit në Evropë. Madje kur gazetarja tha se bash për këtë arsye qeveria e kishte nxjerrë vendimin, pra, në kuadër të pastrimit të udhës drejt Evropës, një nga pasagjerët tha se kjo ishte një fitore. Por një tjetër u tregua më konkret dhe më i qartë në arsyet e mbështetjes së tij ndaj vendimit qeveritar, duke thënë se kur dëgjonte atë lloj muzike atij i përzihej, kishte marrje mendsh, shtim stresi e trishtimi, si dhe një lloj ftohje me jetën vetë.

Përkundër melodicitetit dhe poetikës që mbart si fjalë, "arabeska" është ajo rrymë muzikore që nënkupton motivet arabe, por në një trajtë fshatareske, e ngjashme me formën degraduese të muzikës sonë popullore, asaj të mirëfilltë popullore, ose të kultivuar siç i themi, për të cilën na dhemb fakti se ka devijuar drejt një ruralizmi të pështirë prej shartesave me natyrë komerciale.

Dhe si për ta simbolizuar problematikën që po ndiqte, në montazh gazetarja turke kishte vënë në sfond të speciales së saj si kolonë zanore këngën e shumë dëgjuar "Jalla shofer jalla", që i përket viteve ‘80, e kënduar nga İbrahim Tatlleses, por dhe të tjerë kolegë të tij, të cilët i përkasin së njëjtës rrymë. Kjo këngë në atë kohë u bë dhe më e preferueshmja ndër shqiptarë. E duke qenë se zenitin e saj e pati paralelisht me famën e filmit "Shamikuqja", ku një ndër personazhet kryesorë ishte shofer kamioni, kënga në fjalë ishte një lloj himni për këtë figurë, ku nga pikëpamja e mitit social, paraqitej në stereotipin e vet vizual, gjithnjë afërsisht si te filmi "Flutura në kabinën time", ndërsa në stereotipin e vet mental, si një bartës i pafund dramash dashurie. Ndaj dhe nga gazetarja, vendimi për ndalimin e arabeskave nëpër minibusë, u trajtua dhe si një goditje e figurës tradicionale të shoferit.

Por nisur vetëm nga precedenti i vendimit të rrallë e të pazakontë, është rasti të rimerret në konsideratë propozimi i një këngëtareje me emër i muzikës së lehtë shqiptare, e cila në një emision në "Top Show" me temë devijimin në këngën tonë, tha se shteti duhet të zbatonte ndaj prurjeve muzikore masa doganore (ndalim, bllokim, sekuestrim), siç veprohet dhe me mallrat kontrabandë. Më keq akoma, precedenti i vendimit qeveritar turk, na kujton se hapësirat tona publike kanë dhe një ndotje të jashtëzakonshme fonike, përfshirë këtu dhe mjetet e transportit. Fenomeni në fjalë, siç po ndodh në një vend tipik lindor siç është Turqia, nuk është pritur të rregullohet me magjinë e emancipimit vetvetiu ,por me magjinë e ligjit. Përndryshe, motivi i ekzistencës në Shqipëri, do jetë hiti "Jalla shofer jalla". Kjo simbolikisht, se praktikisht kështu ndodh. Ekuivalenti i "arabeskave" te ne, është "tallavaja" që me ç‘po duket pak e nga pak do futet në përdorimin e zakonshëm gjuhësor të miletit për të përcaktuar një situatë gjysmëmizerabël te një fenomen apo njeri!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›