Braçe: Analiza e qeverisë? Berisha gënjeu
Socialistët insistojnë te dorëheqja e ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, pas vendimit për lënie të imunitetit. Numri dy i grupit parlamentar, Erion Braçe, nënvizoi se ish-ministri i Transporteve nuk duhet të jetë flamuri ynë kombëtar. Sipas tij, në rastin e heqjes së imunitetit nuk vendoset ndonjë standard i duhur, por një i ligë. Braçe analizoi edhe konferencën e fundit për shtyp të kreut të qeverisë, duke e cilësuar çdo gjë që ai tha të gënjeshtërt. "Kryeministri gënjeu sa për një vit, kur tha se qytetarët në Shqipëri janë ndjerë më të lirë se çdo herë tjetër", tha Braçe. Duke konstatuar me keqardhje se koncepti i Kryeministrit për lirinë në këtë vend ka mbetur në vitet ‘92-‘97, duke ekskluduar vetëm dhunën politike. "Qytetarët shqiptarë kanë qenë të dhunuar në të drejtat bazë: në furnizimin me energji elektrike, furnizimin me ujë, në mundësimin e vendeve të reja të punës", vlerësoi Braçe. Ai insistoi se ajo çka pamë në daljen publike të Kryeministrit ishte analizë e përciptë, e gënjeshtërt dhe shumë cinike për punën e qeverisë. Socialistët mendojnë se ishte gënjeshtër, kur Berisha tha se mediat në Shqipëri kanë qenë më të lira sesa kurrë. "Konstatojmë sërish me keqardhje se koncepti i Kryeministrit për lirinë e medias ka mbetur sërish në ‘92-‘97 duke ekskluduar sërish kufizimin barbar të lirive dhe të drejtave të shprehjes që ndodhi në ato vite", theksoi Braçe. Ai vuri në dukje se televizionit më të madh në vend nuk i jepet licencë kombëtare, i zvarritet e drejta për të pasur një licencë kombëtare dhe jo vetëm kaq, por i kufizohet e drejta për të përcjellë sinjalin në të gjithë territorin e vendit, atje ku shqiptarët duan që ta ndjekin. "Gjatë këtij viti, Kryeministri miratoi në Parlament një ligj për transmetimet audiovizive me të cilin sanksionoi goditjen e të vetmes platformë evropiane të shërbimeve audiovizive në Shqipëri", u shpreh numri dy i deputetëve socialistë. "Kryeministri gënjeu sa për një vit, kur tha se zgjedhjet lokale të mbajtura më 18 shkurt patën vetëm probleme teknike", vijoi Braçe. Sakaq, solli në vëmendje raportin e OSBE/ODIHR që ato zgjedhje u vlerësuan si shans i humbur dhe për herë të parë që nga ‘92 e këtej nuk u vlerësuan si një hap i madh përpara. Në të njëjtën linjë ai kritikoi deklaratat se qeveria ka zbatuar vendimet e gjykatave dhe shpenzimet e qeverisë janë ulur me 100 milionë dollarë vetëm gjatë vitit 2007. "Mjafton t‘ju sjell në vëmendje se shpenzimet për ditët në fluturim e qëndrim jashtë vendit të dy ofiqarëve më të lartë të shtetit, të kryetarit të PD dhe nënkryetarit të PD, Berisha dhe Topalli, janë rritur ndjeshëm. Të dy bashkë në 2 muaj të paktën 7-8 ditë i kanë kaluar jashtë shtetit", sqaroi Braçe. Sakaq, deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, kundërshtoi kritikat e Braçës duke i cilësuar deklarata të pavërteta. Ai i kërkoi edhe kreut të LSI-së, Ilir Meta, të mbështesë nismën e shumicës për kufizimin e imunitetit.