E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi për tre muaj, 11 ditë jashtë Shqipërisë

Megjithëse i ri në krye të shtetit shqiptar, kjo nuk e ka penguar aspak Presidentin e Republikës, Bamir Topi, që për tre muaj të shënojë një numër të konsiderueshëm vizitash jashtë shtetit. Nga 18 tetori i vitit 2007 deri më 6 dhjetor të po këtij viti, kreu i shtetit ka shënuar 11 udhëtime jashtë vendit, të cilat kreu i qeverisë, Berisha, i ka realizuar për gati dy vjet e gjysmë qeverisjeje. Pas zgjedhjes si Presidenti i Republikës në korrik të 2007-ës, gushti dhe shtatorit për kreun e shtetit kanë shërbyer për takimet me politikanët shqiptarë, të cilat kanë qenë të shumta. Më pas, më 18 tetor të 2007-ës, Presidenti Topi ka kryer vizitën e parë jashtë shtetit, në Bruksel, në shtabin e përgjithshëm të Asamblesë së Atlantikut të Veriut (NATO) ku ka qëndruar për dy ditë dhe ka takuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hop Shefer. Vetëm një javë më, ai ka vizituar sërish Brukselin, më datën 25 tetor, ku ka takuar Presidentin e Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso, ku në qendër të bisedës së tyre ka qenë realizimi i reformave për vendin tonë. Më pas, më 29 dhjetor të 2007-ës, Presidenti Topi ka vizituar Maqedoninë ku është pritur nga zyrtarët më të lartë të Maqedonisë. Më 21 nëntor të 2007-ës kreu i shtetit ka fluturuar sërish drejt Brukselit ku është takuar me Përfaqësuesin e Lartë të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Evropian, Havier Solana. Pas vizitave të shpeshta në kryeqendrën e BE-së dhe më pas në Maqedoni, Presidenti Topi, më 22 nëntor ka udhëtuar drejt Kroacisë ku ka marrë pjesë në Samitin IV Ekonomik për Evropën Juglindore, që u mbajt në Dubrovnik në datat 22-23 nëntor dhe ku morën pjesë krerët e shteteve të rajonit ballkanik. Në këtë samit Presidenti Topi ka qenë i ftuar nga Presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiç. Një ditë pas kthimit të tij nga Dubrovniku, kreu i shtetit, më datë 25 nëntor ka udhëtuar drejt Greqisë, ku ka zhvilluar një vizitë tri ditore deri më datë 27 nëntor me drejtuesit më të lartë të shtetit helen, Presidentin Papulias, Kryeministrin Karamanlis dhe drejtues të tjerë të lartë të shtetit fqinj. Pjesë e bisedës së tyre ka qenë përmirësimi i kushteve për emigrantët shqiptarë që ndodhen prej 17 vitesh në Greqi. Pas vizitës tri ditore në Greqi, e cila është cilësuar si mjaft miqësore dhe dashamirëse, nga mediat por edhe nga njoftimet e të dyja palëve, më 6 dhjetor të vitit 2007, kreu i shtetit udhëton drejt Italisë. Por këtë herë jo për të takuar drejtuesit e lartë të shtetit italian, por për të zhvilluar një vizitë në Vatikan me Papa Benedikti XVI. Në takimin me Papa Benediktin XVI, me Presidentin Topi ka qenë e gjithë familja presidenciale, një takim i cili zuri mjaft vend në mediat shqiptare. Vizita në Vatikan ka mbyllur edhe vizitat jashtë vendit të Presidentit Topi për vitin 2007. Cikël i cili do të rihapet në vitin 2008, ku ai pritet të ketë një axhendë mjaft të ngjeshur me udhëtime dhe takime të personaliteteve të shumta. Por kjo nuk do të thotë se kreu i shtetit nuk ka një axhendë të ngjeshur dhe në Shqipëri. Që nga dita që Topi është zgjedhur në krye të shtetit dhe deri më sot, ai ka pasur një axhendë mjaft të ngjeshur ku ka diskutuar për çështje të rëndësishme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›