Shampanja, "madama" e dollive
Një bulëz si një mikeshë. Alkoolike, me origjinë të vërtetë franceze. Për ta shijuar në të gjitha dollitë, në të gjitha festat, pa pasur nevojën e një darke, veçanërisht të shtruar mirë. Shampanja të shijon përherë. Gjithsesi, me afrimin e festave të fundvitit vihet re një kërkesë më e madhe për shampanjën, madje edhe importi ngrihet ndjeshëm. Nëse në botë ka nga ata që preferojnë ato shishet e mëdha, madje shumë të mëdha, janë italianët. Në fakt, vetëm anglezët, më saktë pijetarët më të mëdhenj të shampanjës, janë ata që mbajnë numrin një në botë për konsumimin e saj. Që kur Dom Perinjon, përgjegjësi i kantinës në abacinë e Hautvillers, filloi të bënte eksperimente mbi fermentimin në shishe (viti 1679) për ta transformuar në kualitet problemin e verës, të cilës temperaturat polare në veri të Francës e pengonin të përfundonte fermentimin. Sot prodhohen më shumë se 300 milionë shishe në vit dhe pjesa më e madhe në fshatrat e Francës, sidomos në fshatin që ndodhet rreth një orë ndoshta më pak nga pjesa lindore e Parisit, ku çdo vresht shfrytëzohet për të prodhuar nënproduktet e tij. Duke njohur superioritetin e produkteve franceze, është akoma e vështirë për të manovruar me etiketa, çmime, emërtime. Gjithsesi, informacioni nuk ka munguar kurrë në shitjen e tyre. Por, gjithsesi, ne e kemi më të thjeshtë të blejmë duke zgjedhur çmimet sa më të leverdishme, edhe pse dyshimet qëndrojnë: "Brut" apo "Milesimato", "Roze" ose "Blanc de Blancs"? Por, gjithsesi zgjedhja do të funksionojë me siguri, falë llojit të privilegjuar të verës që mund të shijohet jo vetëm në të gjitha llojet e festave, por mund të shoqërohet edhe me shumë lloje të ndryshme pjatash. Sot, më i kërkuari është "Roze", ka një rezistencë të fortë dhe mund të shoqërojë pjata më të rënda. Ndërsa nëse jeni me shije më delikate, atëherë mund të merrni një "Kremant": më pak presion, shije më kremoze dhe elegante.
Shumë stile nën të njëjtën etiketë
Hit-parada e kantinave
A keni hyrë ndonjëherë në një vinotekë dhe keni thënë: "Dua të blej një shishe verë" dhe kaq? Me sa di unë nuk besoj se do ta bënit një gjë të tillë, sepse, në fund të fundit në treg ka verëra të kuqe, të bardha, të ëmbla, të athta, të lehta, e shumë e shumë të tjera, gjë që të detyron të bësh një zgjedhje dhe nëse nuk e bën ti zgjedhjen do të jetë shitësi ai që do të fillojë t‘ju pyesë. Por, në fakt, janë të shumtë ata që kërkojnë në mënyrë të tillë një "spumante", një "shampanjë", duke mos e kuptuar që një shampanjë mund të ketë më shumë ngjashmëri me një "Barolo" se sa me një frizante të prodhuar në autoklavë. Ndryshe nga shampanja, shumëzimi i stileve, i rrushit (pra i miksit ndërmjet tri varieteteve të rrushit primar që i japin origjinën verërave), i mënyrave të fermentimit dhe të kohës së rafinimit, bën që të formohet një hapësirë e gjerë zgjedhjeje plot me lloje të ndryshme verërash, ku ka për të gjitha shijet dhe për të gjitha rastet festive. Por, për ta njohur mirë një verë duhet që të kesh pirë goxha. Vetëm kështu mund ta kuptosh se nuk është vetëm "shampanjë", por ka shumë shampanjë, që të përbashkët kanë vetëm emrin dhe origjinën. Funksionon si një piramidë, produktet që nuk e kanë vitin në etiketë mblidhen nga asambleja e verërave me vit prodhime të ndryshme, në përgjithësi më të thjeshtat e çdo prodhuesi, por me diferenca të ndjeshme në çmime nga njëra-tjetra: vlen për të gjithë shembulli i "Krug Grande Cuvee", që edhe me datë të pashënuar kushton më shumë se të datuarit "Dom Perignon", "Belle Epoque", "Perrier Jouwt". Të datuarat janë ato shampanja që janë prodhuar vetëm me rrushin që është vjelë në vite, veçanërisht të favorshëm dhe duhen të shiten 3 vjet pasi janë hedhur në shishe, edhe pse më të mirat si -"Billecart Salmon", "Bollinger Grande Annee", "Pol Roger", "Gosset" - mbushin të paktën pesë vjet nga dita që hidhen në shishe. Kategori e veçantë është "Blanc de Blancs", ose më saktë verërat që mbahen vetëm nga "Chardonnay". Mund të datësohen ose jo dhe dallohen për nga lehtësia, finesa, kompleksiteti dhe eleganca, që rriten me kalimin e viteve. Ndërsa "Blanc de noirs" është më pak e njohur dhe prodhohet vetëm nga rrushi i pinotit të zi dhe atij "meunier", por nuk mund të krahasohet për finesë me "Blanc de Blancs", edhe pse në vetvete janë verëra që shoqërojnë disa pjata të rëndësishme, madje edhe pjata mishi. Një etiketë nuk ka rivale, ajo është "Bollinger Vieilles Vignes Francaises", por, gjithashtu, është i përkryer edhe "Jacquesson Blanc de Noirs d`Ay".
Duke vëzhguar rozetë, ëmbëlsirat dhe perlat e "Dégorgement Tardif", kategori që cilado e meriton një kapitull më vete, qëndron ajo më e denja, ajo ku shampanja tregohet e paarritshme, "Cuvées de prestige", mbretëresha e stilit, e punuar gjithmonë me rrushin më të mirë të "Grand Cru".
Nuk ka rregulla as në vreshta, as në periudhat e rafinimit e as në ato të vjetërsimit, çdokush është i lirë të kërkojë kualitetin maksimal. Është e lodhshme të cilësosh se kush është më e mira, pasi ka shije të ndryshme, por një gjë është e sigurt, kush shijon një të datuar "Krug Collection", një "Salon", një "Laurent Perrier Grand Siècle", një "Pol Roger Sir Winston Churchill", një "Dom Pérignon Oenothèque", një "Grande Dame Veuve Clicquot", një "Cristal Roederer", nuk ka për t‘i harruar kurrë.