E Diel, 1 Nëntor 2026

Për mua letërsia është një femër

Është një rrugë në Tiranë ku çdo mëngjes mund të shohësh një burrë me një kapele në kokë të kalojë në të njëjtën orë çdo ditë. Kjo nuk ndodh vetëm këto ditë të ftohta dimri, por edhe në vjeshtë, kur kjo rrugë në këtë cep të Tiranës mbulohet nga gjethet e pemëve, por edhe atëherë kur dielli të ngroh që në mëngjes ditëve të verës. Gjithmonë vetëm. "Por nuk jam vetëm", thotë ai. "Është një lloj fizkulture që unë bëj çdo mëngjes, eci dhe mendoj...". Më pas dita i kalon pothuajse në apartament ku bisedat e vetme që mund të bëjë janë me të shoqen, përgjigja në telefon dhe personazhet. Këta të fundit, prej 17 vitesh kanë ndryshuar jetën e këtij burri. Të jetosh përmes përfytyrimeve dhe librave nuk është e lehtë, por Fatos Kongoli është i bindur se nuk ka kohë më të mendojë për të jetuar ndryshe.

Nëse nuk do të kishte qenë pjesë e një sistemi totalitar, dhe të kishte bërë letërsinë që gjithnjë ka dashur të bëjë që kur ndjeu se duhet të shkruante, ndoshta raporti i tij me të shkruarin dhe lirinë mund të ishte ndryshe. "Por tani filli sa vjen dhe mbështillet", thotë ai, duke justifikuar arsyet përse ka vendosur të bëjë një jetë të tërhequr, duke iu përkushtuar totalisht letërsisë.

Mban në kokë të njëjtën kapele të stilit rus në këtë kafene, diku mes rrugës që ai bën çdo mëngjes, ku kemi vendosur të bëjmë një bisedë për letërsinë. Sigurisht që një rrëfim nuk mund të tregojë gjithë jetën që fshihet përtej një njeriu, por ashtu si Kongoli shkruan në libra, le të besojmë se këto rrëfime "na kanë dhënë atë çfarë është më thelbësore"...

Le ta nisim këtë intervistë me vitin që sapo lamë pas, 2007-ën. Çfarë ishte ky vit për ju?

Njerëzit i gëzohen gjithnjë ikjes së viteve. Ikja e viteve në të gjithë botën është një festë e madhe popullore, pothuajse e përbotshme. Megjithatë në thelb ikja e një viti, sidomos kur njeriu vjen në moshën time, ka në vetvete dhe diçka të trishtueshme. Kjo pasi filli fillon të mbështillet dhe shkon drejt mbështjelljes përfundimtare.

Megjithatë dua ta quaj si një moment dhe një ngjarje të gëzueshme për të gjithë njerëzit.

Për sa i përket punës sime krijuese gjatë vitit 2007, dua të them se ky vit ka qenë i mbarë për mua. Në fillim të këtij viti unë botova romanin "Jetë në kuti shkrepësesh", i cili pati vërtet një sukses. U prit mirë nga lexuesi dhe nga shtypi, kritika letrare shkroi artikuj pozitivë për të, duke qenë brenda një hapësire të shkurtër kohe një ndër romanet më të vlerësuar.

2007-a ka qenë i mbarë për mua edhe për faktin se gjatë këtij viti unë pata tre botime në gjuhë të huaj. Botimin e romanit "Te porta e Shën Pjetrit" në frëngjisht, "Lëkura e qenit" në polonisht dhe "I humburi" në Britaninë e Madhe.

Gjatë këtij viti kam pasur dhe ribotimin e tre librave të mi të dikurshëm. U ribotua romani "Karuseli", i botuar për herë të parë në vitin 1992, romani "Kufoma", nxora në treg një përmbledhje me 10 tregime, të cilat ishin botuar në vitet ‘70-të në organe të ndryshme shtypi. Në fakt, kjo përmbledhje tregimesh lindi nga kërkesa e vetë botuesit tim. Në vend të parathënies në këtë libër kam futur një esse timen të gjatë, me titull "Endërr evropiane mes Al Paçinos dhe Kavabatës", të cilën në 2003-in e kam botuar në formën e një broshure të vogël. Ndërsa në formë pasthënie kam një novelë me titull "Në pritje të Nostradamusit".

Çfarë keni dashur të tregoni me essenë "Midis Al Paçinos dhe Kavabatës", çfarë ka mes tyre?

Këtë esse unë e kam shkruar në vitin 2000, mbas një udhëtimi të gjatë nëpër Evropë në vitin e parë të mijëvjeçarit të tretë.

Ose më mirë në vitin e kalimit mes dy mijëvjeçarëve është një rast i jashtëzakonshëm, një rast që përsëritet vetëm njëherë në njëmijë vjet.

Si bashkëkohës i këtij momenti dhe duke qenë prezent në një ngjarje jo të zakontë, (me rastin e kësaj ngjarjeje u zhvillua një udhëtim në itinerarin e vjetër të dikurshëm të fillimit të shekullit XX, Veri-Jug dhe anasjelltas), nuk kisha si të mos inspirohesha për të shkruar diçka. Ai udhëtim më ka mbetur në mëndje si një nga ngjarjet më të bukura në jetën time. Nisi nga Lisbona në Portugali, kaluam nëpër Spanjë duke e përshkruar atë, prej andej u futëm në Francë, në Bordo, Paris, për të kaluar në Bruksel në Belgjikë dhe duke përfunduar në Berlin dhe Zyrih....e më pas për në vendet tona nga vinim.

Çfarë kishte në këtë udhëtim që ju ka bërë të mos e harroni?

Ishte diçka e jashtëzakonshme. Në fakt mua më ka ndodhur këto 15 vitet e fundit që të udhëtoj shpesh, por një udhëtim i tillë se besoj të më ndodhë sërish. Imagjinoni në një tren ishin 104 shkrimtarë nga 42 vende evropiane dhe për 7 javë ata do të përshkonin pjesën më të madhe të botës. 104 shkrimtarë në një tren është diçka fantastike, pasi dihet që shkrimtarët janë njerëz që nuk mblidhen dot në tufë e jo më të rrinë 7 javë bashkë, ndaj kjo ishte një risk i madh për organizatorët. Por nuk ndodhi asgjë, pasi ne ja kaluam aq mirë, aq sa kaq vite më vonë unë ju flas juve sërish për këtë udhëtim. Ndjesia që unë ndjeja si një shkrimtar që vinte nga një vend ku për të kaluar dhe në vendin më të afërt i duhej një vizë ishte "të kaluarit e Evropës pa kufi". Evropa atëherë ishte vetëm në 15-çe, dhe sa herë kalonin kufijtë që tashmë janë rrëzuar, një pjesë e tyre me zgjerimin e Evropës, ishte një ndjesi tjetër për mua.

Unë e ruaj ende në shtëpi atë pasaportë ku kam të gjitha vizat që më është dashur të marr si një shkrimtar shqiptar për të shkelur në ato vende...

Po këtë vit, ju keni qenë pjesë e një antologjie të shkrimtarëve të Evropës Juglindore, ku keni bërë një esse me titull "Ferri është tjetri". Sa e pranishme është kjo thënie e Sartrit për kohët e sotme në Evropën Juglindore?

Në fakt antologjia lindi nga kjo thënie e Sartrit - "Ferri është tjetri". Kjo ide më është propozuar që në fillim nga autori i kësaj antologjie, i cili më kërkoi të ndërtoja diçka mbi këtë thënie. Është shumë e qartë ajo çfarë Sartri ka thënë te "Ferri është tjetri", pasi njerëzit gjithnjë kërkojnë ta gjejnë fajin te tjetri. Tjetri është për ta i huaji, armiku, rreziku dhe gjithçka e keqe që i vjen, vjen pikërisht nga Tjetri. Kjo është një temë shumë aktuale për Evropën Juglindore edhe pse harta politike e saj kohët e fundit ka ndryshuar. Por sërish një pjesë e Ballkanit që është më thelbësorja në të ka mbetur në të njëjtat linja. Antologjia u botua në gjermanisht dhe unë u ftova në Gjermani për të marrë pjesë në disa prezantime që iu bënë asaj në muajin nëntor.

Essenë time në këtë antologji e kam quajtur "Një e vërtetë e thjeshtë", duke u nisur nga përvoja e Evropës, e cila i ka kaluar armiqësitë me kohë. Në fund të fundit, ato e kanë mbyllur atë kapitull, pasi e kanë kuptuar që ajo luftë ka qenë e kotë dhe e pakuptimtë, ndaj dhe ne ballkanasit nuk kemi pse të gjakosemi prapë për të kuptuar se sa e kotë është gjakosja.

Le të flasim pak për romanin tuaj të fundit "Jetë në kuti shkrepësesh"?

"Jetë në kuti shkrepësesh" është një metaforë, por është edhe një fenomen gati-gati real në Shqipërinë e sotme. Ato banesa të vogla ku kanë jetuar shqiptarët gjatë kohës së diktaturës kanë ndryshuar sot vetëm nga fasadat e jashtme, ndërsa brenda janë pothuajse të njëjta. Janë po ato hapësira të ngushta ku njerëzit jetonin tamam si në një kuti shkrepëseje. Familje të mëdha që ndanin jetën në hapësira krejtësisht të vogla. Unë gjithnjë kam pasur mendimin se kjo ishte një politikë e menduar e regjimit totalitar, në mënyrë që njeriu në atë ngushtin, në atë mjerim hapësire ta kishte mendjen vetëm te problemet e ekzistencës minimale. Dhe me këto kushte, edhe vetë qenia njerëzore ndrydhet. Kuptimi metaforik është se e gjithë Shqipëria ishte një kuti shkrepëseje. Ne kemi jetuar për afro gjysmë shekulli në një hapësirë të izoluar dhe kjo e ka ndrydhur individin, qenien njerëzore. Ky është një libër me një ide që e kam menduar prej kohësh.

Ajo çfarë i bën të veçantë romanet tuaja pas viteve ‘90-të është një lloj shpengimi që ju i jepni femrës në roman. Cili është raporti që ju keni me femrën në librat tuaj?

Më pyesin shpesh për raportin e femrës në librat e mi, është një pyetje së cilës i kam dhënë gjithnjë të njëjtën përgjigje.

Femra për mua është një qenie shumë e sofistikuar, por edhe e padepërtueshme si qenie, duke qenë e tillë. Në këtë pikëpamje është pjesë e pandarë e librave të mi, pasi ekzistenca nuk mund të kuptohet pa femrën. Përtej kësaj, për mua femra si qenie është shumë e sofistikuar, e mbi të gjitha e paposedueshme. Nuk mund të dalë një mashkull që të pretendojë se ka arritur ta posedojë tërësisht një femër. Unë për vete e vë në dyshim shumë dhe nuk e pranoj këtë. Ndoshta e kam gabim.

Po në letërsi, ju i posedoni ato?

Në letërsi kjo mund të shpjegohet me atë që kritikët e quajnë raporti mes shkrimtarit dhe personazhit. Unë dua t‘jua plotësoj idenë përse e quaj femrën aq të sofistikuar, aq të pakuptueshme dhe aq të paposedueshme. Unë e kam thënë diku edhe në librat e mi se e përfytyroj femrën letërsi dhe letërsinë femër. Unë e kam thënë edhe herë tjetër, që për mua letërsia është një femër.

Është një femër pas së cilës unë kam shkuar mbrapa gjithë jetën pa mundur ta posedoj kurrë. Dhe kjo do të vazhdojë përgjithmonë midis meje dhe saj. Ndërsa raporti me personazhet është një temë tjetër për një shkrimtar. Është një raport i pashpjegueshëm gati- gati metafizik. Te romani "Lëkura e qenit" unë jam përpjekur t‘i hyj këtij raporti. Por nuk ia dola. Nuk ia dola pasi ndodh shpesh që personazhet e sundojnë autorin dhe ai nuk ia del dot të dominojë mbi ta. Është një luftë e fortë dhe e dhembshme midis shkrimtarit dhe personazheve dhe jo rrallë herë fitojnë këta të fundit. Mua më ka ndodhur shpesh të humb luftën dhe fuqitë mbi ta.

Le të kthehemi në kohë dhe të flasim për fillimet tuaja në letërsi. Në vitin 1961 ju udhëtuat drejt Kinës për t‘u bërë matematicien, çfarë vendi zinte letërsia te ju në atë kohë?

Është një moment interesant në jetën time udhëtimi drejt Kinës. Prirja për letërsi ekzistonte brenda meje në formën e dëshirës për të lexuar, për të ndjerë një libër të bukur, por nuk kisha provuar të shkruaja. Madje në atë kohë isha i trishtuar që nuk më kishte dalë e drejta e studimit për letërsi, por më dhanë të studioja matematikë. Kur u nisa drejt Kinës, sigurisht që nuk mendoja se e nesërmja për mua do të ishte fati i një shkrimtari Unë duhet të mësoja në degën për të cilën më kishin çuar. Por në kujtimet e mia, Kina e viteve ‘61-‘64 vjen si një vend tepër i varfër, pasi po përjetonte një krizë të gjallë ekonomike. Më ka ndodhur që të shoh njerëz që rrëzoheshin në rrugë nga uria...Është një tablo e trishtë në kujtesën time Kina e atyre viteve. Pra, ju thashë nuk ëndërroja se mund të isha një shkrimtar. Ëndrrat për t‘u bërë shkrimtar lindën shumë vonë. Pasi unë i kisha kaluar 10 vite të jetës sime duke u marrë me matematikë.

Më emëruan mësues në një fshat të thellë të Elbasanit. Jepja mësim në një shkollë fillore dhe për një kohë të gjatë jetova në shtëpinë e një kolegu vendali. Më vonë m‘u dha mundësia të zija një dhomë për vete. Imagjinoni ndodhesha në një fshat të thellë malor. Puna në ditë më kapte vetëm 2-3 orë, më pas isha i lirë. Kështu e kaloja kohën, duke pirë raki në klubin e fshatit me fshatarët dhe duke lexuar libra. Nga ndikimi i këtij leximi duhet të kem nisur të shkruaj diçka. Kështu nisa të shkruaj...

Çfarë ndodhi më vonë? Ju latë matematikën dhe nisët të bënit jetën e një gazetari dhe çdo herë e më rrallë shfaqeshit si shkrimtar?

Kur isha në fshat shkrova disa tregime që m‘u botuan në disa organe të shtypit. Si gjithë fillestarët në atë kohë, mendova se tashmë unë u bëra një shkrimtar. Dhe bëra gabimin më të madh që lashë profesionin tim të profesorit të matematikës dhe fillova të merrem me gazetari. Fillimisht punova si redaktor në gazetën "Drita" për të kaluar më vonë në të përditshmen "RD". Sa më shumë bija në kontakt me letërsinë e vërtetë, aq më tepër tërhiqesha të mos publikoja tregimet që kisha shkruar në shtyp.

Kur nisa të lexoja letërsi bashkëkohore, kuptova që ato çfarë unë shkruaja ishin gjëra pa vlerë dhe thellë brenda meje unë isha i prirur ndaj asaj letërsie. Por ajo ishte një letërsi e cila nuk mund të shkruhej në atë kohë, edhe pse ishte një letërsi e dhembjes njerëzore. Dhembja njerëzore ishte e pranishme kudo në atë kohë, por unë nuk mund të shkruaja. Kjo sepse jo vetëm që nuk mund ta botoje, por mund të rrezikoja edhe më shumë, kishte shumë pasoja, siç e pësuan shumë të tjerë në atë kohë. Kjo është arsyeja që në atë periudhë unë kam shkruar pak. Dhe u ndjeva i lirë të shkruaj në ‘90-ën, në atë vit kur nis dhe pjesa më e rëndësishme e krijimtarisë sime që vazhdon edhe sot.

Si do ta përshkruanit jetën tuaj si shkrimtar?

Çdo shkrimtar ka jetën e tij. Unë bëj një jetë prej më shumë se 10 vitesh disi të tërhequr. Kjo, jo se nuk më interesojnë ngjarjet politike sociale në vend, dhe këto i ndjek për aq sa kam kohë t‘i ndjek. Por prej 10 vitesh unë merrem vetëm me letërsi. Bëj një jetë modeste, në një apartament modest, ku kam jetuar gjithë jetën...

Thatë më lart se "filli sa vjen e tërhiqet". Keni frikë nga plakja?

Nuk është çështje frike. Qenia njerëzore është e ndërtuar në mënyrë të tillë që në çdo fazë të ekzistencës ka jetën e vetë. Është rregulluar kjo punë vetvetiu, pse me kalimin e moshës dhe sa më shumë shtyhet kjo moshë, aq më i arsyeshëm bëhet njeriu dhe të paktën këtë mund ta pohoj për veten time. Aq më i arsyeshëm bëhet njeriu për të kuptuar se disa gjëra ikin e nuk kthehen më dhe kur fillon e kryen veprime që nuk përputhen me moshën e tij bëhet qesharak. Është e vërtetë nga ana tjetër që njeriu ka një nostalgji për rininë e tij, por vetëm kaq. Me gjithë se problemi është që në çdo fazë të jetës njeriu të bëjë atë që mund të bëjë për ta pasur trupin e fortë dhe mendjen e kthjellët. Këto gjëra janë të mundshme edhe në moshën time.

Pra nuk kam frikë nga plakja, çdo gjë është e rregulluar në mënyrë të përsosur nga natyra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›