Arbëreshët e harruar
Ata ruajnë emrin etnik të shqiptarëve në mesjetë. Arvanitasit në fillim dhe arbëreshët të dytët, pastaj dhe arbëreshët e Zarës, lanë vendin e tyre të lindjes por morën me vete emrin e vjetër të tij: Arbëri, arbër. Pesë shekuj e më shumë, rrojtën me një atdhe shpirtëror brenda vetes. Afro shtatë dekada më parë, albanologu më i njohur i shekullit të 20-të, Eqrem Çabej, përfundoi një disertacion për "italo-shqiptarët", siç i quante ai arbëreshët e Italisë Jugore: nga Sicilia në Contessa Entellina (Kundisa). Një varg studiuesish të mëvonshëm, këndej e andej Adriatikut: Francesco Solano, Emanuele Giordano, Francesco Altimari, Italo Fortino, Matteo Mandala dhe shumë të tjerë, na kanë bërë të njohur gjuhën, folklorin, letërsinë dhe personalitetet e Italisë së Jugut, që dikur quhej "Pianna degli Greci". Ishte Jeronim de Rada ai që përfundimisht e ndërroi me fuqinë e letërsisë emrin e këtij vendi, duke e bërë të njohur si "Hora e Arbëreshëve". Por veç shqiptarëve të këtij rajoni janë edhe pesë fshatra të banuar prej arbëreshësh qysh prej fundit të Mesjetës e këndej. Këto fshatra gjenden midis Romës dhe Napolit dhe nuk kanë vazhdimësi hapësinore me vendbanimet e tjera të arbëreshëve. Kjo mund të jetë një nga arsyet pse këto pesë katunde, të vetëveçuar siç janë, nuk u bënë të njohur kurrë as nga dijetarët e vjetër, as nga një brez më i ri. Nuk kanë shkruar për ta as prof. Namik Resuli, as Ernest Koliqi dhe revista e tij "Shejzat", as Martin Camaj, aq shumë në ngasje të përjetshme ndaj botëve të shmangura.
Janë pesë katunde arbëreshësh rreth e qark kryeqytetit historik të mbretërisë së Aragonës, Napolit; dhe kryeqytetit të sotëm të Italisë, Romës. Ata flasin një shqipe mesjetare, një zhargon të afërt me atë të arbëreshëve të jugut; ata e përdorin shqipen jo vetëm në familje, por edhe në emërtimet e rrugëve, të dyqaneve dhe zejeve që ushtrojnë. Janë të krishterë, si të parët e tyre, por jo të ritit bizantin, dhe as unitë apo uniatë, si arbëreshët e tjerë. Ata rrojnë me mitin e prejardhjes dhe i falen gjuhës arbërore, përmes së cilës "shpirti i arbërit rron". Fëmijët e tyre, në një mjedis kulturor dhe demografik krejt të ndryshëm, mësojnë shqip me abetare dhe tentojnë të flasin shqipen letrare. Dokumentari që do të paraqitet në edicionin e kësaj jave të tele-revistës "Exclusive" është vetëm një trokitje te gjurmët e të parëve.