Pas 2500 vitesh, me gjuhën e Euripidit
Ndjesitë njerëzore janë po ato, vetëm kohët kanë ndryshuar. 2500 vjet më pas, "Trojanët" e Euripidit rrëfejnë Ballkanin e sotëm të trazuar. "Unë mund të vendosja në teatrin tuaj një pjesë tjetër, por në Ballkan ku emigrimi vazhdon të mbetet problem, një regjisor kërkon të flasë me gjuhën që një vend e njeh më mirë", u shpreh regjisori grek Vangjelis Theodhoropulos, teksa shpjegonte se përse zgjodhi "Trojanët" për t‘i ngjitur në teatrin shqiptar. Dhe vetë Euripidi e ka ndjerë emigrimin. Një pjesë të jetës ai e kaloi në mërgim, pranë pallatit të Arkelaut, Mbretit të Maqedonisë. Një vepër është gjithnjë më e ndjerë kur brenda saj është një pjesë e jetës tënde.
Tashmë kjo vepër që vjen nga antikiteti grek e që vazhdon të jetë frymëzuese për teatrot në të gjithë botën, pritet ta ketë premierën në Festivalin e Teatrove në Butrint, për t‘u ngjitur më pas në skenën e Teatrit Kombëtar. Për Theodhoropulos gjuhët kërkojnë njëra-tjetrën dhe antikiteti nuk kishte si të shkonte ndryshe, përveçse me antikitet. Butrinti ruan ende historinë. Vetë Theodhoropulos thotë se këto kohë ka hulumtuar më shumë në histori dhe ka zbuluar se sipas mitologjisë, kur mbaroi lufta e Peloponezit, trojanët erdhën emigrantë në Butrint. "Këtë e quaj të jashtëzakonshme. Kjo do të ishte arsye e mjaftueshme që të vësh "Trojanët" e Euripidit në Butrint. Aty i biri i Akilit, Neoptolemi solli Andromakën. Kur ai vdiq, Andromakën e martoi /////////////Helenos, i cili ishte bir i Priamit, Mbretit të Trojës. Pjesa mbyllet me nisjen e anijes me gratë trojane që ikin nga Troja dhe shkojnë skllave në Greqi, në shtëpitë e komandantëve grekë. Shfaqja do të vihet në Butrint ku kemi vazhdimin e tragjedisë me ardhjen e Andromakës. Ka një lidhje jashtëzakonisht solide mes pjesës dhe amfiteatrit", shprehet ai. Por ndërsa regjisori është duke përzgjedhur aktorët që do të ngjisin këtë vepër në skenë, Romeo Çollaku (përkthyesi i saj) është duke i dhënë fund orëve të tij me Euripidin. Ky poet dhe përkthyes i mirë nga greqishtja në shqip, ka përshtatur në shqip në pak kohë, atë çfarë për një tjetër përkthyes do të ishte një sfidë, përkthimin e "Trojanëve". "Jam përpjekur që të kem parasysh faktin që ai, si të gjithë autorët dramatikë, synonte efektin e drejtpërdrejtë të fjalës", thotë Çollaku.
Ju po përktheni një nga veprat më të rëndësishme të Euripidit. Si lindi ky përkthim?
Përkthimin e "Trojanëve" të Euripidit ma sugjeroi regjisori Vangjelis Theodhoropulos, i cili, siç e dini, ka marrë përsipër vënien e saj në skenën e Teatrit Kombëtar. Deri atë çast nuk e kisha menduar se mund të përktheja klasikët e lashtë. Sigurisht, më gëzon fakti që një regjisor si Theodhoropulos më përfshiu në grupin e tij të punës. Ndoshta, në Shqipëri nuk njihej shumë deri tani, por ai është një nga regjisorët më të mirë sot në Greqi, pra në një vend me traditë shumë të pasur për sa i përket teatrit dhe artit të fjalës në përgjithësi. Është një njohës i shkëlqyer i tragjikëve të lashtë, më i përshtatshmi për një sipërmarrje të tillë. Pastaj, janë edhe shumë gjëra të tjera që më gëzojnë, por edhe më shtojnë përgjegjësinë: fakti që kjo pjesë do të ngjitet në skenë nga Teatri Kombëtar, fakti që përkthimi im do të interpretohet, me sa di, nga aktore si Margarita Xhepa e Rajmonda Bulku, fakti që premiera e tragjedisë do të jetë në Amfiteatrin e Butrintit. Megjithëse nuk jam kompetent, shpresoj se nuk bëj gabim po të them se kjo vepër do të përbëjë një nga stacionet më të rëndësishëm, jo vetëm për repertorin e Teatrit Kombëtar, por edhe për artin tonë dramatik në përgjithësi.
Sipas jush, cila është filozofia e kësaj vepre dhe çfarë mesazhi i përcjell ajo kohës së sotme?
"Trojanët", veprat e tjera të Euripidit dhe të gjithë klasikëve të lashtë, i kanë qëndruar provës së kohës për dy arsye: falë cilësisë së lartë artistike dhe falë mesazheve që nuk reshtën asnjëherë së qeni aktuale. Kjo e dyta besoj se ndodh, ngaqë thelbi i qenies njerëzore ka ndryshuar shumë pak në rrjedhën e shekujve. Filozofia dhe mesazhet janë të qarta: lufta mund t‘i sigurojë trofe të shumta njërës palë apo tjetrës, por këto do të paguhen gjithmonë shtrenjtë, shpesh më shtrenjtë nga sa vlejnë.
Sa e vështirë është që të përkthesh autorë të antikitetit? Ku qëndron ndryshimi mes tyre dhe autorëve të tjerë që keni përkthyer? Si ka ndryshuar gjuha dhe stili në kohë?
Vështirësitë mes një tragjiku të lashtë dhe një shkrimtari modern - pasi unë me këta jam marrë më shumë; poetë e prozatorë të dyqind vjetëve të fundit - janë të ndryshme për një përkthyes, dhe këto i dikton zhanri, largësia në kohë, evoluimi i gjuhës, stilit, etj. Sidoqoftë, më lart thamë se thelbi i qenies njerëzore ka ndryshuar shumë pak; dhe fjala, lënda me të cilën merren poetët, është pjesë e këtij thelbi. Në rastin e Euripidit, jam përpjekur të kem parasysh faktin që ai, si të gjithë autorët dramatikë, synonte efektin e drejtpërdrejtë të fjalës. Tani, qysh nga koha e Euripidit e deri më sot, gjuha greke ka ndryshuar, gjë që është normale, pasi kanë kaluar 2500 vjet. Edhe gjuha jonë ka ndryshuar qysh nga "Meshari" e deri tani.
Duke qenë se kjo pjesë flet për Ballkanin, sa të ndryshuar e shihni atë që nga koha e Euripidit?
Ballkani, për fat të keq, për të ardhur deri këtu ku është sot, ka kaluar nga fatkeqësi të mëdha. Trojat kanë rënë dhe janë ngritur, me kosto të lartë jete njerëzore. Ndoshta, tragjedia lindi pikërisht në këto vise jo vetëm si rezultat i qytetërimit që lulëzonte këtu para dymijë vjetësh e ca. Por Euripidi, duke na folur për gjëmat që shkakton lufta, na rrëfen rrugën që duhet të ndjekim.
Cilat janë marrëdhëniet tuaja me regjisorin?
Para se të fillonim bashkëpunimin për "Trojanët", nuk njiheshim nga afër. Unë kisha dëgjuar për të, pasi, së pari, Vangjelis Theodhoropulos është regjisor shumë i njohur në Greqi, dhe së dyti, dija që ka përkrahur së tepërmi artistët shqiptarë të teatrit që jetojnë në Athinë. Kohët e fundit kisha ndjekur edhe dy shfaqje në teatrin e tij, "Neos Kosmos", shfaqje shumë mbresëlënëse. Njëra ishte vënie në skenë e përmbledhjes "Një stinë në ferr" të Rembosë dhe tjetra ishte punim i aktorit dhe regjisorit shqiptar, Laert Vasili. Për mua, Theodhoropulosit i kishin folur miq të përbashkët, kryesisht poeti grek Kristoforos Liondaqis. Më foli për projektin dhe, qysh nga ai çast, më bëri nderin të më besojë përkthimin e tragjedisë. Tashmë besoj se jemi, jo vetëm bashkëpunëtorë, por edhe miq. Siç e shikoni, Euripidi, edhe pas 2500 vjetësh, është në gjendje t‘i miqësojë njerëzit.
Kë do të veçonit nga personazhet e veprës?
E kam të vështirë të veçoj një personazh të vetëm. Hekuba, Andromaka, Helena, Kasandra, secila ka peshën e vet. Por një element kyç në tragjedinë e lashtë greke është, padyshim, kori.