Ari Han konfirmon katër "përjashtime"
Përjashtime, konfirmime dhe surpriza. Ndryshimet në përfaqësuesen kuqezi, sa herë që në krye të skuadrës debuton një trajner i ri, janë shndërruar në një "trend". Këtë rrugë ka vazhduar edhe Ari Han, që ka lënë jashtë skuadrës katër lojtarë: mbrojtësit Nevil Dede dhe Altin Haxhi e sulmuesit Alban Bushi e Hamdi Salihi. Pas listave zyrtare të publikuara dje, tekniku holandez ka konfirmuar atë që përflitej prej kohësh, "mënjanimin" e futbollistëve me moshë të madhe. Por, nëse vendimi i Han do të ishte (deri diku) i kuptueshëm për tre prej tyre, të cilët i kanë kaluar të 30-at dhe janë në perëndim të karrierës, mister mbetet "injorimi" i Salihit. Shkodrani është sulmuesi shqiptar që gëzon formën më të mirë: titullar i padiskutueshëm te Ried në Bundesligën austriake dhe 13 gola të shënuar, duke u renditur mes golashënuesve më të mirë të kampionatit. Ndryshe nga Bariç, që e përkëdhelte me etiketimin "Gert Myler i Shqipërisë", shkodrani ende nuk e ka fituar besimin e drejtuesit aktual të stolit.
Nga të gjithë emrat që i janë vënë në dispozicion prej Federatës së Futbollit, Han ka bërë zgjedhjet e tij dhe vetëm fusha do të tregojë nëse ato janë të drejta. Në mbrojtje konfirmohen tre titullarët: Dallku, Curri e Vangjeli, Vrapi fiton një shans për të treguar vlerat e tij, ndërkohë që rikthehet Elvis Sina. Mbrojtësi i Tiranës ka fituar simpatinë e trajnerit gjatë "zborit" të janarit, edhe pse nuk luan në kombëtare që prej gushtit 2005, në miqësoren e fituar 2-1 me Azerbajxhanin (më parë ishte aktivizuar disa minuta edhe në humbjen 3-1 me Danimarkën në eliminatoret e Botërorit 2006). Surprizat nuk mungojë as në mesin e fushës, ku konfirmohet katërshja titullare Duro, Cana, Lala e Skela, por edhe lojtari i Krivbasit, Ervin Bulku. "New-entry" në këtë repart janë Ansi Agolli, i cili ishte anashkaluar për shumë kohë nga ish-trajneri Oto Bariç dhe lojtari i Vllaznisë, Gilman Lika. Ky i fundit është pjesë thelbësore e kombëtares U-21 të Bushatit, por tashmë ka shansin që të bëjë debutimin zyrtar edhe me përfaqësuesen. Shqipëria e Han pritet të jetë një skuadër e përqendruar më shumë drejt lojës mbrojtëse. Këtë e tregon fakti se është grumbulluar vetëm një "pykë" e mirëfilltë: Bogdani dhe tre lojtarë që mund të luajnë pas shpinës së tij (Kapllani, Hyka e Muzaka, ku vetëm i pari mban statusin e sulmuesit). Zgjedhjet për miqësoren me Moldavinë (për sa u përket të rinjve) janë ndikuar deri diku edhe nga fakti se në të njëjtën datë Shpresat luajnë kundër Greqisë. Trajnerët kanë rënë dakord që "kuqezinjtë e vegjël" mos të privohen nga lojtarë si Bakaj, Shoshi e Sukaj. Më 17 mars, Han mbërrin në Shqipëri, ku do të fillojë grumbullimin për miqësoren jozyrtare me Arabinë Saudite.
Moldavi-Shqipëri 26.03.2008
Portierë: A. Beqaj, I. Hidi
Mbrojtës: A. Dallku, K. Vangjeli, D. Curri, E. Sina, E. Vrapi
Mesfushorë: L. Cana, K. Duro, E. Skela, A. Lala, E. Bulku, A. Agolli, G. Lika
Sulmues: E. Kapllani, E. Bogdani, J. Hyka, Gj. Muzaka