Mariano Rahoi, humbësi që shfaqet fitimtar
I buzëqeshur, i çlodhur dhe aspak i dëshpëruar nga humbja. Kështu u shfaq Mariano Rahoi, lideri i Partisë Popullore, gjatë fjalimit të tij të parë publik pas humbjes së zgjedhjeve. Para një turme të madhe njerëzish, Rahoi ka falënderuar mbështetësit e tij për përkrahjen që i dhanë gjatë këtij procesi elektoral. Rahoi deklaroi se partia e tij ka qenë më e votuara në Spanjë, duke rritur numrin e vendeve në Parlament dhe përqindjen e votave. Rahoi nuk përmendi aspak një largim të mundshëm nga skena politike, madje deklaroi se do të impenjohet akoma në mbrojtjen e vlerave dhe idealeve në të cilat besojnë përkrahësit e Partisë Popullore. Të gjithë njohin bindjet, parimet dhe vlerat e mia personale. Partia jone do t‘i mbrojë këto dhe u premtoj të gjithë mbështetësve tanë se do të jemi në lartësinë e duhur për sfidat e ardhshme", deklaroi Rahoi. Në fakt, fjalimi i tij pas humbjes së zgjedhjeve, e dyta radhazi, u duk si shpallja e një fitoreje, megjithëse tashmë Partia Popullore do të jetë e detyruar të durojë edhe 4 vite të tjera në opozitë.