Profili i një socialisti të suksesshëm
Një vit më parë, Hoze Luis Rodrigez Zapatero u bë idhulli i grave spanjolle, me miratimin e ligjit të barazisë. Një nga masat e modernizimit të shoqërisë, të miratuara gjatë mandatit të parë të tij. Në katër vitet e qeverisjes së tij në Spanjë, janë rritur edhe treguesit makroekonomik, por pagat kanë mbetur të njëjtat. Edhe rritja tani po ngadalësohet. Parashikimet për 2008-ën kanë njohur rënie në krahasim me vitet e shkuara, ndërkohë që inflacioni është në nivelin 4.4 për qind. Notë pozitive ka edhe për sa u takon arkave të shtetit, ku është mbledhur një rezervë prej 20 miliardë eurosh, shifër kjo që asnjë qeveri nuk e kishte arritur më parë në historinë e pas-diktaturës. E kështu, Zapatero mund të përdorë këto burime për të ndryshuar gjërat. "Objektivi im për legjislaturën, ka thënë Zapatero në fushatën elektorale, është angazhimi total. Gjëja e parë që do të bëj është të takohem me sipërmarrësit dhe sindikatat dhe të firmos marrëveshje për tërë mandatin tim. Ky është një nga prioritetet për të luftuar ngadalësimin e ekonomisë botërore". Për të rilançuar ekonominë spanjolle dhe për të kompensuar kështu krizën në sektorin imobilar, pas disa vitesh bumi, në të cilin çmimet e shtëpive u trefishuan, Zapatero kërkon të lançojë një plan ndërtimi dhe infrastrukture prej 150 mijë shtëpish popullore. Ai ka premtuar edhe rimbursime prej 400 eurosh për çdo familje që paguan taksa. Një tjetër dosier i ndjeshëm që nuk është zgjidhur gjatë mandatit të parë, është raporti me autonomitë lokale që kërkon gjithnjë e më shumë kompetenca. Në vendin bask, përpjekjet indipendentiste ndërkohë nuk reshtin. Dhe qeveria autonome ka në program të fillojë një proces konsultimi me qytetarët mbi vetëpërcaktimin. Zapatero ka premtuar se do të mbajë 3 konferenca me presidentët e rajonit. Gjatë debatit të fundit me kandidatin e Partisë Popullore, ka shprehur vizionin e tij për Spanjën. "Unë do të angazhohem të krijoj një vend që mbron paqen, një Spanjë evropiane që mbron ligjshmërinë ndërkombëtare, do angazhohem të krijoj një Spanjë në harmoni dhe që respekton diversitetin".