E Diel, 1 Nëntor 2026

Francezët "dënojnë" Sarkozinë

Edhe një herë tjetër efekti Sarkozi vendimtar ka qenë. Vetëm se këtë radhë, krahasuar me 10 muaj më parë, efekti ka qenë i kundërt. Pakënaqësitë e mëdha kundrejt Presidentit kanë "prodhuar" një paralajmërim të parë dhe të fortë për Elizeun në raundin e parë të zgjedhjeve lokale. E majta ka bërë përpara duke marrë 47.5 për qind të votave, duke e lënë UMP-në në kuotën 40 për qind. Objektivi është marrja e 30 prej 40 qyteteve dhe gjithçka duket shumë e realizueshme. Veçanërisht në qytetet kyçe, ku për qeverinë është në lojë kufiri i brishtë mes humbjes së pranueshme dhe katastrofës, socialistët shënojnë pikë të rëndësishme: Në Paris, ku Deleno është super i favorizuar, përmirëson rezultatet e 6 viteve më parë; në Lion, kryebashkiaku aktual i Partisë Socialiste ecën drejt rikonfirmimit; por e majta është në avantazh edhe në Strasburg, Marsejë (lokalitet simbol, bastion i të djathtës), Tuluzë etj. Simboli i telasheve qeveritare, zhgënjimi i dy ministrave: ministri i Arsimit publik, Darkos, është në vështirësi në komunën e tij, dhe ministrja e Ekonomisë, Lagard, është përfshirë në listën e të humburve të UMP-së. Të djathtës, për t‘u ngushëlluar, u mbetet Bordoja, ku ish-kryeministri Alan Zhype fitoi që në raundin e parë duke korrigjuar performancën e trishtë të legjislativeve. E kështu, ai mundet edhe të ëndërrojë një rikthim, më pranë ambicieve të tij kombëtare. Nuk është ekzaktësisht ky një lajm i mirë për Sarkozinë. Avantazhi socialist ekziston, por merr përmasa shumë më të mëdha nëse krahasohet me ato të gjashtë viteve më parë, ku UMP e Sarkozisë triumfoi. Ekziston rreziku tani që në raundin e dytë, të dielën e ardhshme, suksesi i të majtës të shndërrohet në triumf. I vetmi lajm i mirë për Presidentin është që Zhan Sarkozi, i biri 21-vjeçar i tij, ka fituar që në raundin e parë në Neuilly-sur-Seine, ish-bastion i të atit, në afërsi të Parisit. Socialistët janë ndihmuar jashtëzakonisht shumë nga faktori "fuqi blerës": tema mbi të cilin Sarkozi kishte ndërtuar fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale. Premtimi i pamenduar mirë se do t‘i bënte francezët më të pasur dhe që nuk arriti ta realizonte, është bërë tani arma më e mirë e kundërshtarëve. Kjo është përmendur në çdo rast nga Fransua Hollande, sekretari socialist, që gjithsesi është treguar i matur: "Raundi i parë përbën një paralajmërim për Presidentin dhe qeverinë e tij mbi politikën e këtyre nëntë muajve, veçanërisht mbi fuqinë blerëse. Por, asgjë nuk është fituar në mënyrë vendimtare". Këto komente i ka mbështetur edhe Segolene Royal: "Kam parë të rritet zhgënjimi dhe zemërimi, duhet që kjo votë të shumëfishohet të dielën e ardhshme, përndryshe asgjë nuk do të ndryshojë". Është dukur madje goxha në formë Segolena, e cila në një emision të drejtpërdrejtë televiziv është përballur me një nga ministrat e preferuar të Sarkozisë, Ksavier Bertrand, që e akuzonte për "demagogji", pasi kishte kërkuar heqjen dorë nga paketa fiskale e miratuar vitin e shkuar. "Nëse ju thoni se nuk do të ndryshoni asgjë, u kërkoj zgjedhësve të kthehen në votime të dielën dhe t‘ju detyrojnë të ndryshoni mendim", ka replikuar. Në frontin qeveritar, fytyrat kanë qenë të zymta dhe fjala më e dëgjuar ishte "minimizim". Shpresat janë varur tani te raundi i dytë dhe shpresohet që ai do të korrigjojë diçka. Vetë Presidenti ka zgjedhur heshtjen, të paktën për momentin. Në emër të tij ka folur Kryeministri Fransua Fijon, që ka udhëhequr fushatën elektorale. Ai ka pranuar rezultatet jo të favorshme, por ka mohuar se ato përkthehen në "valën e kuqe" që druhet aq shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›