E Diel, 1 Nëntor 2026

Spanja konfirmon Zapateron Kryeministër

Hoze Luis Rodrigez Zapatero do të qeverisë Spanjën për 4 vite të tjera, por do të vazhdojë të ketë nevojë për ndihmën e partive të tjera. Zgjedhjet politike spanjolle kanë dekretuar një fitore të pastër të Partisë Socialiste, që do të rrisë numrin e deputetëve, por nuk do të arrijë shumicën absolute prej 176 vendesh, duke mbetur me 169 deputetë. Një humbje e qartë në anën tjetër për Partinë Popullore të Mariano Rahoit, që gjithashtu ka arritur të shtojë numrin e vendeve duke kaluar nga 148 në 154. Zapatero falënderoi mbështetësit për fitoren e pastër dhe premtoi se do të hapte një erë të re në politikën spanjolle, pas një fushate të ashpër. "Spanjollët kanë folur qartë dhe kanë vendosur të nisin një kapitull të ri, pa tensione dhe pa konfrontim", tha ai para turmës që brohoriste dhe valëviste flamuj, jashtë zyrave qendrore të partisë së tij në Madrid. "Do të qeveris për aspiratat e grave, shpresat e të rinjve dhe që të moshuarit të marrin mbështetjen që meritojnë dhe që e kanë fituar gjatë një jete të tërë", ka thënë Zapatero, duke kujtuar edhe pikat e forta të politikës së tij sociale. Në anën tjetër, Rahoi, rivali kryesor i Kryeministrit përgëzoi për fitoren Zapateron. "Unë i kam telefonuar kandidatit të Partisë Socialiste dhe i kam uruar fat për të mirën e Spanjës", tha ai. Gjithsesi, sipas analistëve, rezultati i zgjedhjeve të së dielës ka qenë pozitiv edhe për konservatorët, që më herët kishin 148 vende. "Numri i votave që ne kemi fituar është rritur në mënyrë të konsiderueshme në krahasim me 2004-ën e po ashtu edhe numri i vendeve në Parlament. Kjo na jep ne kënaqësi", thanë drejtuesit e Partisë Popullore. Për Zapateron, pavarësisht shumicës së fituar, do të jetë i domosdoshëm një koalicion, ndoshta me partinë më të madhe nacionaliste, katalane. E kështu, ndërsa socialistët për pak kanë prekur shumicën absolute të shumëdëshiruar, fillon tani loja e aleancave. Pavarësisht përpjekjeve për të sulmuar partinë në pushtet mbi tema si ekonomia në ngecje, emigracioni dhe akuzat se ka qenë e butë me terrorizmin, Partia Popullore ka dështuar të arrijë rezultate. Zgjedhjet gjithsesi u markuan nga vrasja e një këshilltari socialist, Isaias Karrasko, të premten, në vendin bask. Policia ka fajësuar separatistët baskë për vrasjen që e çoi fushatën elektorale drejt fundit të parakohshëm, por ndërkohë asnjë grup nuk e ka marrë ende përgjegjësinë. Duke u kthyer te zgjedhjet, pjesëmarrja në votime rezultoi pak a shumë e njëjtë me atë të zgjedhjeve të 2004-ës. 35 milionë votuesit spanjollë thanë kështu fjalën e tyre për 350 anëtarë të Dhomës së Ulët të Parlamentit dhe 208 të Senatit me plot 264 vende. 56 anëtarët e tjerë të Senatit vendosen në mënyrë indirekte nga asambletë në 17 rajonet autonome të Spanjës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›