E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet 40-vjeçari, përdhunoi një të mitur

Një 40-vjeçar nga rrethinat e Fierit është vënë në pranga pasditen e së enjtes, ndërkohë që akuza e ngritur ndaj tij është ajo e "përdhunimit të një të miture". Ka qenë i ati i vajzës ai që ka denoncuar 40-vjeçarin, pas marrjes së dëshmisë tronditëse nga bija e tij, vetëm 15 vjeçe. Mësohet se i arrestuari nuk ka pranuar asgjë pas shoqërimit për në mjediset e Komisariatit të Policisë Fier, dhe ka deklaruar se ky është një kurth.

Pasditen e së enjtes, rreth orës 15:30 minuta pranë zyrës së informacionit të policisë Fier, 37 vjeçari R.K me banim në fshatin Sektor Seman të Komunës Topojë, rrethi Fier ka kërkuar oficerin roje me qëllim kryerjen e një denoncimi. Sipas të dhënave zyrtare nga policia e Fierit bëhet e ditur se R.K. ka denoncuar bashkëfshatarin e tij, Vasil Kane, i cili i kishte përdhunuar vajzën. 37-vjeçari R.K., babai i vogëlushes ka thënë për policinë dhe ka firmosur në dëshminë e tij denoncuese se Vasil Kane, e ka mashtruar të bijën e tij dhe ka përdorur dhunën për ta përdhunuar. Vajza nxënëse e klasës së tetë menjëherë ka treguar në shtëpi për ngjarjen. I ati i alarmuar paraqitet pranë autoriteteve policore. Këto të fundit pas marrjes së kallëzimit i janë drejtuar fshatit Sektor Seman, që është 17 kilometra larg nga qendra e Fierit dhe kanë bërë arrestimin e 40-vjeçarit Vasil Kane. Kane, i martuar dhe me fëmijë, në momentin e arrestimit ka qenë në një rrugicë pranë banesës. Jo vetëm në momentin e prangosjes, por edhe gjatë pyetjes së tij nga agjentët e policisë në mjediset e komisariatit, ka hedhur poshtë kallëzimin dhe akuzën e ngritur ndaj tij dhe ka sqaruar se gjithçka është një kurth i ngritur prej babait të vajzës.

Sipas burimeve nga grupi i hetimit mësohet se në trupin e 15-vjeçares kishte shenja dhune, si dhe raporti mjeko-ligjor faktoi dhunën e përdorur mbi të.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›