E Diel, 1 Nëntor 2026

Largohet numri dy i Prokurorisë së Përgjithshme

Largohet nga detyra numri dy i Prokurorisë së Përgjithshme. Stavri Koçollari, Sekretari i Përgjithshëm në organin qendror të akuzës, i ka paraqitur Kryeprokurores, më datë 3 janar 2008, dorëheqjen e parevokueshme. Kërkesa është pranuar nga Ina Rama. Në një prononcim për gazetën "Shqip", Koçollari tha se motivacioni i largimit ka qenë personal. Ai deklaroi se do të qëndrojë në detyrë deri në emërimin e pasardhësit, kohë në të cilën do të kryejë edhe mbylljen e procedurave të lëna përgjysmë. Zyrtari që kishte vartës 820 punonjësit e të gjitha prokurorive në Shqipëri, tha se në të ardhmen do t‘i përkushtohet avokatisë. Para postit në akuzën qendrore, Stavri Koçollari ka punuar prokuror në disa prokurori në rrethe, ku tematika e dosjeve që ka hetuar kanë qenë kryesisht çështjet ekonomike. Pas një pune të mirë si prokuror dhe aftësive të jashtëzakonshme në këto situata, duket se e kanë "bindur" zyrtarët e lartë të Prokurorisë së Përgjithshme për emërimin e tij në postin e Sekretarit të Përgjithshëm, i cili për nga funksioni, ishte i barasvlefshëm me postin e zv/prokurorit të përgjithshëm. I vlerësuar maksimalisht nga kolegët dhe stafi i ish-kryeprokurorit Sollaku, Koçollari, edhe gjatë periudhave më të vështira ekonomike të akuzës qendrore, ka ruajtur balancat, ndërsa pakënaqësitë e punonjësve të akuzës kanë qenë minimale. Ndërkaq burimet nga akuza qendrore thanë se, përveç Sekretarit të Përgjithshëm, Stavri Koçollari, dhe këshilltarit për mediat, Agim Neza, asnjë drejtor apo prokuror nuk ka dhënë dorëheqjen ose të jetë transferuar. Gjithsesi, Kryeprokurorja Ina Rama, së fundi, ka shpërndarë në të gjitha prokuroritë "Librin e Bardhë", nismë e "kopjuar" nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Çdo punonjës i prokurorisë, mund të lërë shënime apo vërejtje për vartësit apo shefat e tij. Stafi i Ramës deklaron se personat që do të kenë më shumë "vërejtje" nga kolegët do të verifikohen nga Drejtoria e Personalit në akuzën qendrore. Nëse vërehen parregullsi gjatë detyrës, atëherë ndaj punonjësit në fjalë do të merren masat përkatëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›