E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria kërkon një vit burg për regjistruesin e Kuçovës

Një vit heqje lirie dhe 400 mijë lekë gjobë. Ky ka qenë dënimi që ka kërkuar Prokuroria e Rrethit të Beratit për shefin e zyrës së regjistrimit të pronave në qytetin e Kuçovës. Kujtim Behari, shefi i kësaj zyre që prej datës 29 mars të vitit 2007 ka qenë në procedim penal në gjendje të lirë për veprën penale të "shpërdorimit të detyrës". Procedimi penal erdhi pas denoncimit që bëri ndaj tij administratorja e shoqërisë së "Lëndëve Larëse" sh.a, Kuçovë, Liljana Lule. Në seancën e radhës ku regjistruesi Behari është paraqitur për herë të parë ndonëse janë zhvilluar disa të tilla kryetarja e trupit gjykues, Berlinda Kondi, i kërkoi organit të akuzës diskutimin përfundimtar për çështjen. Organi i akuzës përfaqësuar nga Tasim Puci paraqiti përpara organit të akuzës provat përfundimtare të çështjes dhe i kërkoi trupit gjykues dënimin për regjistruesin e pronave. Kështu, sipas akuzës, objekt i këtij kallëzimi është bërë lëshimi nga ana e zyrës së regjistrimit Kuçovë, kreut të saj, Behari, vërtetimi nga dokumenti hipotekë dhe hartë treguese të pasurisë me numër 16-20 të tjetërsuara duke e përgjysmuar këtë pasuri, si dhe duke i ndryshuar kufijtë e saj. Pasi ka verifikuar këtë shkelje me pronën e saj, administratorja Lule, i është drejtuar organit hetimor duke kërkuar ndjekjen e kësaj çështjeje. Sipas organit të prokurorisë përfaqësuar nga Puci, ky organ ka kryer një sërë veprimesh procedurale hetimore si administrimin e të gjithë dokumentacionit që ka të bëjë me këtë pasuri, ka marrë në pyetje një sërë deklaruesish dhe pas përfundimit të çështjes e konsideroi atë të mbyllur. Kështu, pasuria me numër kadastral 16-20 në periudha të ndryshme nga regjistruesit vendorë mbi bazën e kërkesës për aplikim nga ana e administratores janë dhënë vërtetime nga dokumenti hipotekar të shoqëruara përkatësisht me hartat përkatëse. Në datën 17 të këtij muaji, gjykata vendosi që regjistruesi të thotë fjalën e tij të fundit dhe më pas të japë vendimin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›