Siguria në punë, shqetësim lëndët helmuese
Substancat e rrezikshme në punë cenojnë seriozisht shëndetin e punëtorëve. Ndërsa, gjendja e kushteve të punës në biznese të tilla është jashtë kontrollit, për shkak të mungesës së kryerjes së analizave. Thoma Miço, drejtor i Inspektoriatit Shtetëror të Punës, gjatë analizës së djeshme të punës së institucionit që drejton, duke prezantuar situatën e sigurisë së shëndetit në punë u shpreh se "në këtë drejtim jemi në hapat e para të punës dhe mbetet shumë për të bërë". Sipas tij, nga kontrollet e kryera deri tani nga inspektorët e këtij shërbimi rezulton se 165 subjekte private përdorin substanca të rrezikshme. Ndërkohë që në këto subjekte janë punësuar 3629 persona. Duke analizuar këtë fakt, sipas kryeinspektorit Miço, Drejtoria Qendrore e ISHP-së ka përgatitur materialin "kujtesë për substancat e rrezikshme", shoqëruar me listën e kimikateve dhe limitet e lejueshme për to, në mënyrë që drejtoritë rajonale të orientohen gjatë punës së tyre dhe evidentimit të rasteve abuzive. Kreu i ISHP-së Miço ka pohuar se aktualisht, vetëm 13 subjekte kanë shërbimin e mjekut të ndërmarrjes. "Pra, në këtë drejtim ka mangësi, jo për faj të ISHP-së, por të Ministrisë së Shëndetësisë, që nuk ka marrë ende masat e duhura për përgatitjet e mjekëve, që t‘i përgjigjen këtij lloj shërbimi", theksoi më tej Miço, duke shtuar se, nevojitet një strategji kombëtare dhe një ligj për sigurinë e shëndetit në punë. Gjatë kësaj analize vjetore të punës, janë deklaruar edhe "bilancet e zeza" apo thënë ndryshe, ato të aksidenteve në punë. Miço ka deklaruar se në vitin 2007 numërohen 111 aksidente në punë, nga të cilat 26 me pasojë vdekjen. Në analizë është marrë edhe fenomeni i punësimit të fëmijëve. Sipas statistikave të deklaruara, mësohet se rreth 685 fëmijë të punësuar nën moshën 18 vjeç, gjatë vitit të kaluar janë pajisur me leje pune dhe "janë ndjekur me përparësi nga Inspektoriati Shtetëror i Punës". Kryeinspektori Thoma Miço veçoi faktin se "ISHP përmes punës me kontrollet e ushtruara ka arritur të rrisë numrin e pajisjes me autorizim nga ky institucion për të miturit nga mosha 16-18 vjeç.