Paradite në punë, pasdite në burg
Dënimeve alternative, që do të zëvendësojnë në raste të caktuara dënimin me burg, duket se u ka ardhur koha të aplikohen edhe në Shqipëri. Jo thjesht për shkak të një mbipopullimi që tashmë është bërë problemi kryesor i sistemit të burgjeve shqiptare, por edhe për të bërë të mundur një sistem më efikas të riedukimit të personave që kryejnë vepra penale. Ministria e Drejtësisë, prej kohësh, është duke punuar për hartimin e një projektligji i cili do të ndryshonte Kodin Penal, pikërisht në disa prej neneve të tij. Bëhet fjalë për aplikimin e disa dënimeve, të cilat do të zëvendësonin formën e burgimit kryesisht për personat me dënime të ulëta, pa rrezikshmëri shoqërore, dhe duke u bazuar në disa kushte që do të përcaktohen nga gjykata. Dënimet alternative konsiderohen si një institut i rëndësishëm i së drejtës penale, dhe janë pasqyruar në Kodin Penal ekzistues të miratuar në fillim të vitit 1995. Në Kreun VII - "Alternativat e dënimit me burgim", ekzistojnë 8 nene, të cilat parashikojnë alternativat e dënimit me burgim. Por nga statistikat zyrtare ka rezultuar se vetëm një apo dy dispozita përdoren nga gjykata, ndërsa të tjerat ose janë zbatuar shumë rrallë ose aspak. Kështu, në vitin 2003, neni 59 i cili bën fjalë për atë që në gjuhën e përditshme njihet si "dënimi me kusht" është zbatuar nga gjykata për 796 shkelës të ligjit, në vitin 2004 për 1300 persona dhe për vitin 2005 për 1102 persona.
Gjysmë liria
Një koncept i cili në vendet e Evropës është mjaft i përhapur, do të propozohet për t‘u aplikuar edhe në Shqipëri. Sipas propozimeve të specialistëve mendohet se për dënimet deri në një vit burgim, gjykata kur vëren se ka rrethana të rënda familjare, mjekësore, arsimore, profesionale apo shoqërore, mund të vendosë ekzekutimin e vendimit me burgim në gjysmë liri. Kjo do të thotë se personi i dënuar në rastet kur është kryefamiljar dhe duhet të mbajë familjen, ka një gjendje ekonomike të rënduar, apo ka probleme shëndetësore në familje, për të cilat nevojitet prezenca e tij, mund të lihet të lëvizë për një periudhë të caktuar dhe më pas të rikthehet në burg. Pra një person mund të shkojë paradite në punë dhe pasdite të kthehet në burg, gjithçka duke u bazuar në vendimin e gjykatës. Ligji gjithsesi do të parashikojë edhe kundërveprimin në rastet kur personi i dënuar nuk do t‘i përmbushë detyrimet e tij, domethënë nuk do të kthehet në burg. Në këtë rast gjykata urdhëron revokimin e ekzekutimit të vendimit në gjysmë liri dhe urdhëron që personit të dënuar t‘i rivihen prangat dhe të kthehet me kohë të plotë brenda hekurave të qelisë.
Qëndrimi në shtëpi
Një tjetër formë dënimi që mendohet të parashikohet për t‘u sanksionuar në ligj është ajo e izolimit në shtëpi. Kështu për dënimet deri në dy vjet burg, gjykata mund të vendosë qëndrimin në shtëpi të të dënuarit, kur ato janë gra shtatzëna ose nëna me fëmijë nën moshën 10 vjeç që jetojnë me të, kur janë persona mbi 60 vjeç dhe të paaftë nga ana shëndetësore, si dhe kur janë persona në kushte të rënda shëndetësore që kërkojnë kujdes të vazhdueshëm nga shërbimi shëndetësor jashtë burgut. Në këtë kategori mendohet të bëjnë pjesë edhe të rinjtë nën moshën 21 vjeç, me nevoja të dokumentuara shëndetësore, studimore, të punës apo përgjegjësive familjare. Qëndrimi në shtëpi parashikon që personi të mos largohet nga banesa, për asnjë moment, përveçse në rastet kur do të marrë autorizimin e gjykatës.
Specialistët e fushës shprehen se këto lloj formash dënimi janë mjaft të përhapura në vendet e Evropës Perëndimore, ku përdoren me mjaft efikasitet. Nisur nga kjo, ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë janë duke shfrytëzuar një përvojë mjaft të gjerë, duke u bazuar në kodet penale në Greqisë, Italisë, Gjermanisë, Spanjës, Britanisë së Madhe, etj.
Alibeaj:
"Po reformojmë sistemin"
Nevoja për ndryshimet në Kodin Penal është diskutuar dje në një tryezë të rrumbullakët "Për Alternativat e Dënimit me burgim" organizuar nga OSBE-ja, Ministria e Drejtësisë dhe Shoqata e Punonjësve Socialë. Duke marrë fjalën, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj ka thënë: "Mesazhi im i vetëm është se këtu nuk bëhet fjalë për alternativa të dënimit me burgim. Bëhet fjalë për alternativa të sistemit represiv siç është sot. Duhet të jetë kjo linja logjike dhe filozofike që duhet t‘ju orientojë juve në të gjitha diskutimet dhe frymën që duhet të përcillini në formatimin e ligjit". Në tryezë u dhanë mendime të specializuara për alternativat e dënimit me burgim, që do të përdoren nga ekspertët gjatë hartimit të projektligjit për ndryshimet në Kodin Penal.