Një film që pasqyron (por jo tërësisht) jetën e Putinit
Takohen në Leningrad, ku nisi edhe karriera e Vladimir Putinit në vitet e para të epokës postsovjetike: ai është një oficer i shkathët, ndërsa ajo asistente fluturimesh. Zhvendosen në Gjermani, ku Putin dikur ka qenë agjent i KGB-së. Janë të dashuruar thellësisht. Por jeta u rezervon të papritura. Ajo plagoset rëndë gjatë një aksidenti me makinë. Në shtëpinë e çiftit të ri bie një zjarr i tmerrshëm, që u rrezikon jetën dy bijave të mitura. Për fat, ai di t‘i bëjë ballë çdo sfide, fillimisht duke u kujdesur vetë për shërimin e bashkëshortes nga plagët e aksidentit dhe më pas, me shpërthimin e zjarrit, hidhet mes flakëve për të shpëtuar të bijat.
Më në fund, pasi përballen me gjithë këto telashe, nisen për në Moskë, ku atë e presin sfidat me të cilat do ta përballë historia. Në një çast ai i thotë së shoqes: "Nuk e di nëse e dua apo jo gjithë këtë. E di mirë që është peshë shumë e rëndë. E di. Por e tillë është jeta". Shpejt pas kësaj skene vjen një tjetër, në suitën superluksoze të një hoteli, në të cilën ajo i thotë të shoqit: "Pra, kjo është suita presidenciale"?
Titulli i filmit mund të jetë fare mirë "Rrëfenjë dashurie: historia e Putinit", e gjithsesi, çuditërisht, producenti i tij mohon çdo mundësi që filmi të ketë lidhje me jetën e Vladimir Putinit dhe bashkëshortes së tij, Ludmillës. Sigurisht, ai ka punuar për shërbimet sekrete në Gjermani, ndërsa ajo ka qenë asistente fluturimesh përpara se të martoheshin. Po, Putini ka rrëfyer në disa raste si i ka shpëtuar bijat nga flakët. Por, megjithatë, producenti thotë, "jo" filmi nuk ka lidhje me Putinin.
"Për herë të parë kemi shansin ta shohim nga një kënd tjetër vështrimi jetën e një politikani", lexohet në broshurën publicitare të filmit, "Kjo puthje nuk është për publikun", hedhja e të cilit në tregun rus u njoftua të martën, gjatë një konference shtypi në Moskë. "Para së gjithash, bëhet fjalë për njeriun. Si është në jetë, me familjen. Ǒfsheh shpirti i tij. Në zemrën e tij ka vend për dashuri"?
Ndoshta rastësisht konferenca e shtypit dhe ceremonia e rastit u mbajt në një nga sallat e hotelit "Nacional", shumë pranë Kremlinit. Gazetarët, gjithashtu, pyetën në mos hedhja e filmit në treg përkonte me ditën e Shën Valentinit dhe mos po aq rastësisht përkonte edhe me zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 2 mars, të cilat mendohen se do fitohen nga trashëgimtari i zgjedhur prej vetë Putinit, Dimitri Medvedev.
Producenti i filmit, Anatoli Voropajev, u përgjigj shkurt dhe prerë, "jo". Gjatë dy vjetëve të fundit, ai ka mbuluar detyrën e zëvendësguvernatorit në provincat Tula dhe Stavropol.
Ndërkaq, copëzat që u janë ofruar mediave televizive për publicitet nga filmi "Kjo puthje nuk është për publikun" (titulli është bazuar te një skenë, ku heroi shfaqet para shtypit, puth të shoqen dhe më pas me shaka u thotë gazetarëve se nuk u lejohet ta publikojnë), flasin për një Putin të panjohur për publikun, që nuk gjendet as në biografitë e deritanishme që janë shkruar mbi jetën e Presidentit. Aspekti më i papritur i filmit përbëhet nga portretizimi i së bijave, të cilat nuk janë shfaqur kurrë në publik.
Realizuesit janë disi të mjegullt mbi faktin nëse filmi flet apo jo për jetën e Vladimir Putinit. Voropajev e quajti portretizimin, "një imazh kolektiv". Ndërsa Olga Zhulina, regjisorja e filmit, tha: "Do të ishte e pazakontë t‘u jepje aktorëve të luanin rolin e një personi konkret".
Voropajev shtoi: "Që në çastin kur Andrei Panin luan një rol kryesor dhe flokët i ka të verdhë, i ngjan një politikani. Po qe se po, ky rol do të luhet nga një aktor me flokë të zinj si mendoni se do thonë njerëzit. Është e lehtë të merret me mend përgjigjja. Medvedevi është ezmer".
Panin, një aktor i suksesshëm teatri që u kthye në yll pas rolit kryesor në serialin televiziv "Brigada", ka më shumë se një tipar të përbashkët me Presidentin Vladimir Putin, por u shpreh se zor kjo ngjashmëri të vlejë edhe në jetën reale. "Kjo nuk ka si të ndodhë", u përgjigj, kur i thanë se i ngjan së tepërmi Putinit. "Unë jam më i gjatë".
Voropajevi përfitoi nga rasti për të hedhur poshtë çdo thashethem, që qoftë vetë Putini, ashtu si edhe kundërshtarët e tij, të kenë gisht në realizimin e filmit. "Njerëzit nuk e kanë parë ende filmin, por që tani janë të sigurt se bëhet fjalë për kthimin e kultit të personit", tha Voropajev, duke iu referuar kultit të personit që u ngrit veçanërisht përreth Stalinit. "Ky lloj zhanri nuk është aspak i ri për publikun amerikan. Menduam se bëhet fjalë për një zhanër që e ngacmon fort interesin e publikut dhe se publiku ynë tashmë është pjekur në shkallën e duhur për ta vlerësuar siç duhet këtë film". Qeveria ruse, e cila fle nën para falë tregtisë së karburanteve, së fundmi ka shpenzuar shuma të konsiderueshme në prodhimin e filmave patriotikë.
Voropajevi tha se filmi kishte kushtuar "goxha më pak se 5 milionë dollarë" dhe se ishte financuar nga investues privat. Kremlini nuk kishte asnjë koment për të bërë mbi filmin. Realizuesit nuk pranuan të jepnin të dhëna të detajuara mbi filmin, duke thënë se kushdo mund ta shihte vetë në një kinema, shumë pranë Kremlinit. Filmi "Kjo puthje nuk është për publikun" nuk do të shfaqet nëpër kinema, por do të shpërndahet vetëm përmes DVD-ve. Evgeni Rogaçevski, teksa fliste të martën në emër të kompanisë "M. Video", një ndër distributorët kryesorë që do shpërndajnë filmin, tha se kompania e shihte filmin si një mundësi për të promovuar vlerat e familjes.
Ndërkohë që ka të paktën një skenë në dhomën e fjetjes. Në spotet publicitare vërehen dy aktorët në shtrat. "Trembem për ty", thotë ai. "Unë trembem pa ty", përgjigjet ajo. Ai e puth me ngrohtësi në sup.