E Diel, 1 Nëntor 2026

Pavarësia, nën tingujt e Bethovenit

Orkestra Filarmonike e Kosovës është në prova e sipër për realizimin e shfaqjes më të madhe në historinë e saj të shkurtër. Mbetet për t‘u përcaktuar vetëm data. "Sipas shenjave, do të ndodhë brenda pak ditësh", tha dje për "Reuters" drejtori i orkestrës, Baki Jashari. "Ne do jemi gati më datë 15".

Gjetja e datës, kur shqiptarët e Kosovës do të shpallin pavarësinë, nga Serbia duket se tashmë është kthyer në temën e ditës. Hotelet janë plot me gazetarë të huaj e pjesëtarë trupash televizive, ndërkohë që OSBE-ja ka njoftuar punonjësit e saj në Kosovë që të ruhen nga "shpërthimet e lumturisë" gjatë ditës së madhe, kurdo qoftë ajo.

"Jam shumë i emocionuar që jam i gjallë për ta jetuar dhe për të luajtur në këtë ditë", vazhdoi Jashari për "Reuters". "Ditën e pavarësisë do ta festojmë me tingujt e Bethovenit". Dritaret e ndërtesat ky kryen provat orkestra filarmonike rrinë të hapura dhe kalimtarët ndalen për të dëgjuar. Ende nuk kanë pasur rastin ta dëgjojnë himnin e tyre.

Një gazetë kosovare shkroi se mund të vinin bast për datën 17 shkurt dhe Galeria e Arteve po bën përgatitjet e fundit për koncertin e pavarësisë.

Rruga "Nënë Tereza" - shkruan Fatos Bytyçi, korrespondent i "Reuters" në Kosovë - e cila shpie te godina e Parlamentit kosovar, ku do të bëhet deklarata e pavarësisë, është pastruar si kurrë më parë, ndërsa ndërtesat përreth janë lyer thuajse të gjitha.

Flamujt dhe simbolet

Kosova është ende pa një himn e pa simbole kombëtare, ndërkohë që kosovarët parapëlqejnë shqiponjën e zezë me dy koka në sfond të kuq. Ai flamur është mbajtur në betejat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila u kacafyt me Forcat e Armatosura të Milosheviçit në vitet 1998-‘99.

Është flamuri që ndeshet kudo nëpër Kosovë, nga ndërtesat publike, te shtëpitë e fshatarëve, por që gjykohet si i papërshtatshëm nga fuqitë perëndimore, të cilat kërkojnë një flamur "neutral", që nuk do të ngacmonte ndjenjat etnike të 120 mijë serbëve që banojnë në Kosovë.

Bytyçi vëren se janë paraqitur më shumë se 1 mijë e 5 qind propozime për flamurin dhe emblemën dhe se të ngarkuarit me punë e kanë reduktuar numrin e tyre në tre. "Nuk do të ishte e drejtë të ndikoheshim nga paragjykimet etnike", tha Fadil Hysaj, kreu i Komisionit të Përcaktimit të Simboleve. "Flamuri duhet të jetë aq i thjeshtë sa të mund të vizatohet nga një fëmijë gjashtë vjeç dhe ta tregojë Kosovën në gjithë tërësinë e saj".

Mes tri opsioneve, përfundimtar është ai i ideuar nga Mentor Shala dhe Besnik Suli, ku propozohet harta e Kosovës në të bardhë e vendosur mbi sfond blu, rrethuar nga pesë yje.

Shala tha se ylli më i madh ndër të pestë do të përfaqësojë shqiptarët, të cilët përbëjnë edhe 90 për qind të popullsisë dymilionëshe të Kosovës.

Serbia kthehet në krizë

U deshën vetëm pak ditë nga rizgjedhja e Presidentit proevropian Boris Tadiç, që Serbia të zhytej në një krizë të errët. Kështu e përshkruan britanikja "Independent" gjendjen në Serbi, pas dështimit të nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me BE-në, e parë nga nacionalistët si një "rreng" për të bindur kombin të njohë pavarësinë e Kosovës. Kryeministri serb, Koshtunica, e përsëriti rrëzimin e marrëveshjes të martën, duke e cilësuar si "mashtrim". Kreu i ekzekutivit të Serbisë e lidhi marrëveshjen me vendimin e Bashkimit Evropian për të dërguar në Kosovë një mision të posaçëm. Në një deklaratë, Koshtunica tha: "Marrëveshja politike që ka propozuar Bashkimi Evropian teksa po ngre një mision për të copëtuar atdheun tonë është mashtrim... Duke e nënshkruar, Serbia do të njihte pavarësinë e Kosovës".

Ndërkaq, Presidenti Tadiç premton për Serbinë bashkëpunim me BE-në, pavarësisht çështjes së Kosovës. Lidhja që i bëri Koshtunica dy gjërave u përqafua nga segmentet nacionaliste të opinionit dhe medias. Ultranacionalistët thonë se nënshkrimi i marrëveshjes do ta bënte "tradhtinë" me përmasa të tmerrshme, ndërkohë që nuk janë të këtij mendimi zërat e shëndetshëm të opinionit publik, si analisti Misha Brkiç, i cili tha: "Kjo manovër për të lidhur dy ngjarjet është një truk për të luajtur me publikun dhe për të penguar reformat demokratike".

Truku i qeveritarëve serbë

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian e ofruan marrëveshjen për bashkëpunim politik gjatë javës së shkuar. Në të bëhet fjalë për përmirësimin e dialogut politik, tregtinë e lirë, lehtësim të regjimit të vizave dhe bashkëpunim në sistemin shkollor serb. Për gazetaren serbe, Vesna Periç Zimonjiç, çështja e Kosovës nuk përmendet në asnjë prej pikave të marrëveshjes. Ndërkaq, Koshtunica e lidh drejtpërdrejtë me interesat e Bashkimit Evropian mbi çështjen e pavarësisë së Kosovës dhe këmbëngul që problemi të shkojë në sallën e Parlamentit. Gjithsesi, numri një i Parlamentit serb, Oliver Duliç, nuk pranon që çështja të trajtohet në Parlament deri në çastin kur qeveria t‘i nisë debatet mbi një platformë të qartë.

Vuk Jeremiç, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, anëtar i Partisë Demokratike të Boris Tadiç, tha: "Kjo është situatë tejet serioze, qeveria është krejt e paralizuar".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›