Çmimi i drithërave, peng i motit dhe tregut
Evropa parashikon rritje të madhe
në prodhimin e drithërave këtë
verë, por shtimi i shitjeve mund të
mos i prekë çmimet, ngaqë kërkesa
botërore e lartë, rezervat e ulëta dhe entuziazmi
afatgjatë i investitorëve për këto
artikuj i mban tregjet në lëvizje.
Shumica e çmimeve të drithërave u
rritën më shumë se dy herë vitin e kaluar
dhe tani nuk janë shumë larg shifrës rekord
të arritur në shtator, pavarësisht
nevojës për sasi më të mëdha në muajt e
ardhshëm.
Në raportin më të fundit, qendra studimore
"Strategie Grains" parashikon që
prodhimi i të gjitha drithërave të rritet sezonin
e ardhshëm. Gruri i butë evropian
pritet të shkojë 128,9 milionë tonë, mbi 17
milionë (15.5 për qind) më shumë se në
vitin 2007.
Qendra studimore parashikon që
drithërat franceze të rriten mbi 19 për
qind, Gjermania mbi 16 për qind dhe
Britania mbi 25 për qind.
Çmimet e grurit të kontraktuar në
Paris sot ishin rreth 250 euro për ton,
por në tregje u ulën për shkak të
lëkundjeve financiare globale, të
cilat, sipas analistëve, mund t‘i
zbresin edhe më poshtë së afërmi,
ndërsa investitorët i përdorën
fitimet për të mbuluar humbjet
diku tjetër.
"Tani për tani është koha
për të absorbuar uljet, por
prirja afatgjatë themelore
tenton drejt shtimit të artikujve
të butë. Ndërsa në
lidhje me artikujt e fortë,
frika e rënies ekonomike
do t‘i ulë çmimet në afat
të shkurtër", tha Ashok
Shah, shefi i investimeve
në kompaninë e
menaxhimit të fondeve
"London & Capital".
Të tjerë theksuan
se interesi për
mallra do të binte,
përfshi edhe ato
bujqësore. "Rënia
në tregjet financiare
tashmë është
faktor i sigurt,
ndërsa deri tani
kishte qenë e kundërta", tha Frederic
Lasserre, kreu i kërkimeve të "Societe
Generale".
Shqetësime prodhimi
Pavarësisht rritjes së madhe të të korrave,
analistët thanë se prodhimi në vitin
2008 thjesht do të cekë një nivel mesatar.
"Nuk vijmë nga një vit mesatar në një
vit të mirë, por vijmë nga një vit i keq në
një vit të zakonshëm", tha analisti James
Dunsterville.
"Prej tani, deri në fund të vitit, të korrat
nuk mund të shtohen kushedi çfarë,
ndërsa është e sigurt mundësia e prishjes
së tyre", shtoi ai.
Prodhimi i ulët ndërkombëtar i
drithërave është një nga faktorët kryesorë
që i çoi çmimet në nivele rekord sezonin e
kaluar, së bashku me rezervat e pakta dhe
rritjen e kërkesës botërore.
Në Evropë, çmimet e grurit për 2008/
09 shiten më shumë se 25 euro, rreth 10
për qind më poshtë se çmimet e kontratave
për këtë sezon, duke reflektuar
parashikime të korrash më të mira se vitin
e kaluar, por vazhdojnë të mbeten dukshëm
mbi mesataren.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për
tregun amerikan, ku çmimet e reja të
drithërave janë rreth 6 për qind më të ulëta
se ato të vitit 2007/08, por ende shumë
lart mesatares, ndërsa investitorët janë të
bindur se kërkesa do të jetë e madhe,
sepse rritja e të ardhurave në Azi rrit
kërkesën për ushqime me bazë drithërat.
Tregtarët thanë sot se Pakistani kishte
blerë 500 mijë tonë grurë në një tender, një
lëvizje që shihet si shenjë se çmimet e larta
nuk e kanë ulur kërkesën e importit në
nivel global. Humbjet e kohëve të fundit
në bursë nxitën shqetësimin për tregjet e
mallrave bujqësore, megjithëse ndikimi i
tyre në çmimin botëror të drithërave për
sezonin e ardhshëm nuk ishte ende i
qartë, thonë analistët.
Bursistët thanë se shumë gjëra varen
nga kohëzgjatja e krizës.
"Të gjithë sektorët mund të fundosen,
në qoftë se kriza financiare rezulton të jetë
më e keqe seç e imagjinojmë ne sot", tha
një bursist me qendër në Paris.
"Tani është i sigurt vetëm fakti që e
gjithë kjo trazon emocionet e klientëve
tanë".