E Diel, 1 Nëntor 2026

Arti që lindte përtej komunizmit

Qyteti ku çdo i huaj që kishte mundur të vizitonte Shqipërinë komuniste dhe i shënonte me ngut në ditar ditët në të, përtej jetës së zakonshme si në çdo hapësirë tjetër shqiptare, mundohej të ngjizte atë çfarë dominon më shumë brenda tij, lidhjet me kulturën. Pavarësisht sloganeve të njohura ideologjike që mbarte arti në ato vite, është për t‘u vlerësuar kontributi me të cilin ata njerëz mundën të ushqenin dashurinë për muzikën, apo artet e tjera, në një kohë kur jeta me këtë lloj dashurie mund të ishte dhe fatale. Udhëtimet në kohë janë gjithnjë interesante, pasi na ofrojnë mundësi të shohim jetët që kanë ekzistuar dikur, të futemi brenda pasioneve dhe zhgënjimeve të një kohe ku ideali kishte vetëm një emër "për partinë". Por edhe nën këtë moto, në këtë qytet arti, ka vijuar si e vetmja gjë që këta njerëz e bënin me aq dëshirë. Në një almanak të vitit 1976 të Shkodrës, ne shohim mendimet e gazetarëve dhe kritikëve të kohës mbi fenomenet e kulturës në këtë qytet. Në hyrje të almanakut tregohen përparimet e bëra në ato vite në fusha të ndryshme të jetës. Në kulturë nënvizohet se janë ngritur një sërë institucionesh kulturore, si Shtëpia e Kulturës dhe e Krijimtarisë Popullore e Rrethit, Teatri "Migjeni", Biblioteka e Shtetit, Muzeu Popullor, Klubi i Rinisë "Heronjtë e Vigut", Kinoteatri "Punëtori", Muzeu Ateist, etj. Në fshatrat e këtij rrethi funksiononin 39 shtëpi dhe 110 vatra kulturore, 82 muze, 241 biblioteka etj...

Nëse në vitin 1946 filluan të shtoheshin përpjekjet për të lidhur sa më afër lëvizjen amatore artistike me problemet e rindërtimit të Shqipërisë së re, një vit më vonë në skenë do të ngjitej melodrama folkloristike në tri akte "Dasma Shkodrane".

Jemi vetëm disa vite pas çlirimit dhe qyteti që i është bashkuar si çdo qytet tjetër i vendit regjimit komunist, kërkon të ndërtojë lidhjet e tij të hershme me kulturën, por tashmë të institucionalizuara. Robert Prendushi, në një shkrim me titull "Nga grupet e para tek filarmonia", shkruan se "Për jetën muzikore të qytetit tonë, e posaçërisht për Shtëpinë e Kulturës, vitet 1951 e 1952 shënojnë ngjarje me rëndësi. Në vitin 1951 riorganizohet orkestra dhe i jepet profili simfonik. Nëse në këtë periudhë kemi një lëvizje të gjerë muzikore dhe një aktiv relativisht të madh instrumentistësh, kjo edhe pse në vitet e para të krijimit të saj pranë Shtëpisë së Kulturës ngrihet një seri kursesh, ku jo vetëm ngrenë aftësitë profesionale amatore, por edhe fillon të mësojë elementi i ri me perspektivë, element që edhe sot aktivizohet e jep një kontribut të madh jo vetëm pranë Shtëpisë së Kulturës, por edhe në lëvizjen muzikore të rrethit". Pavarësisht kontureve ideologjike që mbajnë këto shënime për vetë kohën, ato janë sot një mënyrë për të udhëtuar në kohë, për të mësuar atë çfarë ka ndodhur në jetën artistike të një qyteti në vitet e para pas çlirimit.

"Në kuadrin e kremtimeve për 10-vjetorin e çlirimit u dha oratori "Fletë lavdie" e kompozitorit Tonin Harapi, me vargje të Luan Qafëzeziut. Kjo vepër gjeti ansamblin dhe më të pjekur artistikisht dhe ndonëse ajo paraqiste vështirësi relative, sidomos për orkestrën u ekzekutua mjaft mirë", shkruan Prendushi.

Në vitin 1957, Shtëpia e Kulturës në bashkëpunim me Teatrin "Migjeni" vuri në skenë operetën "Lejlaja" të kompozitorit Tish Daija sipas libretit të L. Shllakut.

Në shkrimin e tij Prendushi shkruan se koncertet dhe shfaqjet e dhëna nga Orkestra Simfonike nën drejtimin e Prenkë Jakovës i kishin ngritur cilësitë artistike. Shfaqja e operës së parë shqiptare "Mrika", më 1 dhjetor 1958, shënoi një ngjarje me rëndësi, jo vetëm për këtë qytet. "Shtypi e vlerësoi shumë veprën. Një faqe e tërë i kushtonte kësaj ngjarjeje të shënuar për artin shqiptar gazeta "Zëri i Popullit". Mbas shfaqjes me sukses në Shkodër, "Mrika" u shfaq edhe në Tiranë.

Gazetarët lokalë janë të kujdesshëm të shënojnë çdo aktivitet që i bashkëngjitet jetës së qytetit. "Në kronikën artistike të qytetit tonë, një vend me rëndësi zë edhe i pari koncert simfonik i dhënë nga Orkestra Simfonike amatore e Shtëpisë së Kulturës për nder të Kongresit të IV të PPSH-së e 16-vjetorit të çlirimit të Atdheut. Ishte e para herë që orkestra jepte një program të tërë me muzikë të autorëve tanë dhe të huaj, me vlera të njohura, e cila kërkonte teknikë e fuqi interpretuese. Ansambli Artistik i Shtëpisë së Kulturës të Shkodrës ekzekutoi për të parën herë këngën e mirënjohur "Në njërën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën" të kompozitorit Prenkë Jakova mbi tekstin e P.Sekujt. Kjo këngë që u krijua nga epoka që po kalonte vendi ynë mbeti e gjallë pikërisht pse shprehte një ide jetësore për fatet e atdheut e të socializmit".

Në vitin 1962, Shtëpia e Kulturës organizoi Festivalin e Parë të këngës në vendin tonë. Kritikët e muzikës shënojnë për këtë eveniment se ai nxiti krijimtarinë e forcave të reja. Në këtë periudhë krijohet një aktiv i madh kompozitorësh që krijojnë dhe ngrenë aftësitë profesionale artistike.

Pothuajse çdo lëvizje në fushën e muzikës merr jetë nga Shtëpia e Kulturës, që ashtu si në çdo qytet tjetër të vendit, edhe në këtë qytet ishte bërthama ku merrte jetë kultura.

Janë me mijëra aktivitetet muzikore apo teatrale që ky qytet jetonte pavarësisht sistemit, dhe mesazheve që këto vepra duhet të mbartnin.

Në vitin 1966, në Shkodër, u dha një shfaqje e madhe folkloristike me pjesëmarrjen e artistëve popullorë më të njohur nga i gjithë Veriu. "Në vitet e fundit vihet re një ngritje e ndjeshme në muzikën instrumentale folkloristike. Gjithnjë e më shpesh po shohim orkestra popullore me dy, tre, deri në pesë e gjashtë lloje instrumentesh popullorë. Të tilla janë orkestrat e Koplikut, më vonë ajo e Gruemirës, Reçit, Zagorës dhe ajo e Dukagjinit. Kjo e fundit u nderua në Festivalin e Vlorës me medalje", shkruan Prendushi.

Interesante janë dhe vlerësimet që kritikët e kohës i bëjnë këngës popullore shkodrane.

Vallet e dasmës shkodrane këndohen në kor, pa shoqërim instrumental. Kori është homofon, i një zëri dhe përbëhet nga burra dhe gra. Gratë u përgjigjen burrave me të njëjtën melodi e fjalë.

Nuk mungojnë shënimet dhe për vallen. Ajo është praktikuar sipas Nexhat Agollit në dy mënyra: Sipas mënyrës së parë, valltarët burra të kapur krah më krah, formojnë një rreth të mbyllur. Hapat, duke kënduar, hidhen herë nga e djathta e vargut të valles, herë nga e kundërta. Sipas mënyrës së dytë, valltarët formojnë dy rreshta karshi njëri-tjetrit. Në një anë vendosen burrat, të kapur krah më krah, kurse në tjetrën anë gratë, të kapura me duart të lëshuara...

Këngët e ahengut kanë zënë një vend të gjerë në studimet e asaj kohe. Në një shkrim të Tonin Zadesë dhe Robert Prendushit thonë se "në këngët e ahengut krijuesit popullorë janë mbështetur pikërisht në ato perde ku ndihet më pak influenca e modeve orientale".

Në kujtimet e veta Kolë Gurashi thotë se Palok Kurti mblodhi rreth vetes disa djem trima, që nuk kishin frikë të këndonin dhe të krijonin atë që ndjenin.

Historia e artit në këtë qytet është e mbushur plot me njerëz që nuk kishin frikë të thoshin atë që ndjenin, pavarësisht se do të shoqërohej me ideologjitë e kohës. Ky almanak që mban vitin 1976, është vetëm një mënyrë të pari i një kohe që bashkë me censurën mundohej të evoluonte dhe mendimin artistik...

Koncert për Enver Hoxhën*

Në jetën e grupeve artistike të Shtëpisë së Kulturës do të mbeten të paharruara takimet me udhëheqësin e dashur të partisë e të popullit, Enver Hoxha. Një takim i tillë u bë në vitin 1954. Grupet artistike të Shtëpisë së Kulturës dhanë për nder të ardhjes së shokut Enver Hoxha në Shkodër, një koncert të madh. Duke i hedhur një sy programit artistik të atij koncerti dinjitoz bindesh se ansambli tashmë kishte bërë hapa të mëdha përpara. Programi ndahej në tri pjesë. Pjesa e parë përfshinte këngë e arie nga opera të ndryshme. Pjesa e dytë oratorinë "Fletë Lavdie" dhe e treta veprimin muzikor "Dritë mbi Shqipëri". Fjalët e ngrohta që shoku Enver u tha amatorëve qenë një nxitje e madhe për suksese edhe më të mëdha në të ardhmen...

* marrë nga almanaku "Shkodra 1976"

Box

Shënime

Në vitin 1973, janë për t‘u shënuar këto aktivitete, më me rëndësi: Festivali i Parë i Këngës së Popullit Ushtar, Festivali i Dytë i Këngës Popullore "Jehonë këngësh", si dhe takimi i bandave në Lezhë, ku banda e qytetit tonë mori çmimin e dytë. Jubileu i 30-vjetorit të Çlirimit të Atdheut dhe më parë kongresi i VII i BGSH mobilizuan edhe më shumë amatorët muzikantë. Jo vetëm Shtëpia e Kulturës, por edhe institucione të tjera, zgjeruan në mënyrë të ndjeshme aktivitetin e tyre. Çdo shesh i qytetit u kthye në tribunë artistike për talentet e reja. Nga ana tjetër, çdo ansambël i qytetit dha shfaqje në fshatra, qendra pune dhe reparte ushtarake. Në këtë vit (1974) u shënuan këto aktivitete me rëndësi: Festivali i Shtatë i Këngës, Festivali i Dytë i Këngës së Popullit Ushtar, si dhe përgatitja e koncertit të Ansamblit Artistik të Shtëpisë së Kulturës "Shqipëri famëmadhe".

Box

Në fund të shekullit të kaluar, në qytetin e Shkodrës, u krijuan formacionet e bandave dhe nuk është e rastit që në repertorin e tyre hyri gjerësisht kënga popullore. Tashmë kënga e ahengut del jashtë mureve të shtëpive dhe shërben si një mjet edukues, për shtimin e forcimit të ndjenjave kombëtare. Kjo vihet re veçanërisht në periudhën e sundimit të "dyerve të hapura" të regjimit zogollian që për t‘ju kundërvënë hyrjes së muzikës së huaj, këngëtarët dhe krijuesit tanë popullorë vazhduan të lëvrojnë dhe të përhapin këngën popullore. Kontribut të çmuar dhanë në këtë periudhë sidomos Tefta Tashko (Koço), Marie Kraja, Kristaq Antoniu, etj...

Shkodra e vitit 1976. Në qytetin ku bashkë me socializmin filluan të merrte jetë teatri, muzika dhe piktura...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›