50 vitet e Sharon Stone
Sot është dhjetë mars, një ditë
e zakonshme për të gjithë
ne, por e veçantë për atë që
është konsideruar si biondja
më seksi, më e paguar dhe
më e bukur e kinemasë.
Sharon Stone mbush sot plot pesëdhjetë
vjeç. Edhe pse kanë kaluar plot 16 vjet
që kur aktorja e parezistueshme e "Basic
Instict" na la pa frymë me bukurinë
saj, gjërat nuk kanë ndryshuar shumë.
Sharon vazhdon të rrezatojë të njëjtën
bukuri si atëherë. "Nuk më besohet se
bëhet fjalë për vitin 1992, kur e shoh,
më duket sikur atje ka luajtur vajza ime",
tregon. Për 50-vjeçarët, në të vërtetë, ekziston
e njëjta retorikë si për 20-vjeçarët,
30-vjeçarët apo 40-vjeçarët, ajo se mosha
mbron me forcë dhe i përgjërohet
dëshirave. Biondja bukuroshe e di mirë
këtë, ndaj nuk e vret shumë mendjen
nëse sot mbush 50 vjeç, apo pas dhjetë
vjetësh 60-të. "Me kalimin e viteve gratë
bëhen më seksi dhe dashurojnë më fort.
Madje bëhen edhe më altruiste. Kjo
gjë nuk më shqetëson. Nuk ka ndonjë
ndryshim të madh nga 30-vjeçaret.
Më joshëse për mua sot janë gratë që i
kanë kaluar të dyzetat. Mosha e mesme
është një periudhë kur i mendon gjërat
më thellë. Ajo nuk më frikëson, sepse
sot kemi në dispozicion shumë mënyra
për t‘u plakur sa më vonë të jetë e mundur.
"Viagra" ndihmon seksualitetin,
"Botoks"-i lufton rrudhat pa ndryshuar
fizionominë, ndërsa ndërhyrjet kirurgjikale
të japin mundësinë për të korrigjuar
çdo gjë. Sot mund të zhdukësh edhe
"hapat" e kohës. Gjithnjë e më shumë
po më forcohet bindja se gratë 60 vjeçe
mund të "shembin" malet, u pëlqen më
shumë seksi, sidomos pas menopauzës
dhe kanë më shumë dëshirë për të
jetuar", thotë ajo. Pavarësisht kësaj, Stone,
është një nga femrat më të zgjuara
të kinemasë, jo vetëm se koeficienti
i saj i inteligjencës është aq i lartë sa
e bëri që të hynte në universitet, kur
sapo kishte mbushur 15 vjeç, por edhe
sepse vetëm një njeri inteligjent mund
të arrijë ta shndërrojë një aktore, jo me
ndonjë talent të veçantë, në një ikonë të
vërtetë. 40 filma të xhiruar në një çerek
shekulli, pothuajse që të gjithë janë të
pavdekshëm. Aktorja është aktiviste
për paqen në Lindjen e Mesme dhe që
prej dhjetë vjetësh "kumbara" e AMFA-s,
Shoqata për Luftën Kundër AIDS-it. Ajo
bën pjesë në 100 aktoret më seksi të
historisë së kinemasë dhe në 25 fermat
më të pëlqyera nga meshkujt. E të mos
harrojmë se vetëm një puthje e saj në
ankand ka prekur shifrën rekord 50 mijë
dollarë. Pavarësisht origjinës irlandeze
të prindërve dhe fëmijëve të cilët mbajnë
emrat që lidhen me rrënjët e saj, për të
gjithë ata që e njohin, Sharon është një
femër tipike amerikane. E konvertuar në
budiste, me një licencë për të celebruar
martesa dhe një mori çmimesh në fushën
humanitare, biondja inteligjente
nuk ka qenë asnjëherë kundër kirurgjisë
plastike. Ajo është martuar dy herë, fillimisht
me një producent kinematografik,
më vonë me një gazetar. Sot jeton e
vetme, duke u kujdesur për fëmijët e saj,
Roan dhe Leird. Sipas kronikave rozë, i
dashuri i fundit ka qenë një basketbollist
profesionist, rreth 20 vjet më i vogël se
ajo, duke treguar edhe njëherë se mosha
ka më pak rëndësi në një lidhje që
bashkohet nga ndjenjat. Në vitin 2001,
pas një problemi në tru, rrezikoi që të
mbetej e paralizuar për të gjithë jetën.
"Që nga ajo kohë, për mua ka ndryshuar
gjithçka. Familja dhe miqtë më qëndruan
pranë në çdo moment". "Basic
Instict 2" u konsiderua si një dështim
i plotë, ndërsa për interpretimin e saj
fitoi edhe çmimin si aktorja më e keqe e
vitit. Por "Broken Floëers" i Jim Jarmush
dhe "Bobby", i Emilio Estevez, treguan
se shumë virtyte të saj mbeten ende për
t‘u zbuluar. Tani i pëlqen të interpretojë
"Hamletin" në kinema, por jo rolin e
Ofelias... Në kohën e "Basic Instict",
kur aktorja e bukur amerikane u kthye
menjëherë në një divë pas rolit të Catherine
Tramell, një biseksuale, shkrimtari
spanjoll Manuel Vazquez Montalbán, i
shkriu këto rreshta në një letër drejtuar
asaj: "U dashurova me të, duke nisur që
nga çasti kur hidhte këmbët njëra mbi
tjetrën përpara policëve, e burrave që
shkatërroheshin nga dëshira për ta bërë
të tyren, që dukej nga sytë. Sot, edhe pse
50 vjeç, Sharon rrezaton bukuri dhe elegancë
të paimagjinueshme". E ndoshta
falë saj, Hollivudi ka emancipuar, ndaj
nuk i trembet më përzierjes mes inteligjencës
dhe bukurisë së "grave" të tij. Të
gjithë e kemi vënë re se bukuria e saj të
bën për vete, më shumë se disa vite më
parë, dhe kjo mund të jetë si rezultat i
ndërhyrjeve dhe trajtimeve kozmetike.
Por, ç‘rëndësi ka? Ajo ka qenë, është
dhe do të mbetet e bukur, pavarësisht
formave që përdor për t‘u dukur e tillë.
Megjithatë, vazhdon të jetë tërheqëse,
edhe në jetën e përditshme, ashtu si
në ekran. "Që kur i jam rikthyer punës,
objektivi im kryesor është të çlirohem
nga stereotipat mbi vetveten dhe t‘i kushtohem
tërësisht personazhit që duhet
të interpretoj në filmin që më është
caktuar. Kjo gjë më është kthyer vërtet
në një mani. Personazhet që interpretoj
më ngjajnë gjithmonë e më pak mua
dhe më shumë vetes së tyre dhe atyre
që duhet të jenë. Edhe te filmi "Bobby",
të gjithë më thonë se dukesha shumë
ndryshe nga ajo që jam në të vërtetë në
jetë. Aty jam një parukiere melankolike,
me një buzëqeshje të trishtuar, e cila po
jeton një nga periudhat më të këqija në
jetë", tregon duke buzëqeshur. Në kinema,
shumë pak njerëz mund të bëjnë atë
që bën ajo: të shkrihet me personazhet
që interpreton. Si ja arrin? "Duke harruar
se kush jam. Me "Casino" në vitin 1995,
për herë të parë, dola nga vetvetja. Në
të vërtetë, regjisori i famshëm, Martin
Scorceze, ma lejoi këtë gjë. Ndërsa shumë
të tjerë donin që të më përdornin si
mall, pa u interesuar për talentin tim.
Martin kërkoi që të merrte më të mirën
nga unë, kërkoi të më nxirrte në pah
talentin. Ishte një çast vërtet i rëndësishëm
për karrierën time". Nuk mendon
të heqë dorë nga kinemaja vetëm se
mbushi 50 vjeç. Për të çdo gjë ka kohën e
vet. Nëse sot janë duke "lulëzuar" aktorë
të rinj dhe shumë të talentuar, kjo është
diçka që duhet përgëzuar. Megjithatë,
edhe pse jam 50 vjeçe, nuk dua kurrsesi të
heq dorë nga kinemaja. Kam dëshirë që të
tregoj ende talentin tim.
Nuk më intereson as paraja dhe asgjë
tjetër e këtij lloji. Për mua është e rëndësishme
të luash, sidomos kur është një
rol i madh. Askush nuk mund të bëjë të
ndihesh e pasigurt, nëse ti vetë nuk e pranon.
Ndihem e fortë në shpirt dhe mirë me
vetveten. Unë besoj tek aftësitë e mia".
Për të nuk kanë rëndësi paratë, edhe
pse arrin të fitojë mjaftueshëm. "Basic
Instict 2" ishte rasti i fundit
kur mund të "hiqja pak
parë mënjanë". Me filmin
"Alpha Dog" fitova 25 mijë
dollarë dhe jam krenare.
Megjithatë, e përsëris, nuk
më interesojnë më paratë.
Në fund të fundit kam arritur
të gjej mënyra nga më
të ndryshmet për të bërë
një jetë normale dhe për
t‘u kujdesur që fëmijëve të
mi të mos u mungojë asgjë.
Pastaj, për të më bërë që të
ndihem e qetë financiarisht
mendon edhe "Dior", ku më
kanë zgjedhur si imazhi
i kremrave të bukurisë
antirrudha. Në 40 e ca
filma të luajtur në rreth
25 vite karrierë, veçon
"Bobby"-n, i cili i ka
mbetur më shumë në
mendje. "Aty interpretoja
rolin e një parukiereje.
Salloni i bukurisë
është kthyer prej kohësh
në vendin ku gratë flasin,
tregojnë sekrete, hapen dhe
krijojnë lidhje. Në vitet ‘60
nuk kishte mënyrë tjetër, meqenëse
psikoterapia nuk ishte
akoma e përhapur. Nga interpretimi
te "Bobby" mësoi
se siguria dhe qetësia e botës
qëndron në duart e njerëzve
të disiplinuar, jo konformistë,
që i përkushtohen drejtësisë,
vëllazërimit dhe paqes, ku
njerëzit e vërtetë duken në
kohë të vështira, e ku njerëzit
si John apo Bob Kennedy dhe
Martin Luther King nuk mund
t‘i vijnë më botës. Cilin aspekt
të famës pëlqen më shumë?
- "Faktin se kam mundësinë
që t‘i bëj burrat e shtresave të
larta të vuajnë". Nuk ka se si t‘i
ndodhte ndryshe. Bukurinë,
më shumë se sa trajtimet
e ndryshme, pranon se
e ka të trashëguar nga prindërit. -
"Zakonisht kur xhiroj një film ose
pozoj për ndonjë takim me shtypin,
ia besoj veten duarve të një eksperti,
që më ndihmon të dukem ndryshe
nga ajo që jam kur ngrihem nga shtrati
në mëngjes. Në jetën e përditshme nuk
trukohem, sepse jam shumë dembele dhe
vazhdoj ta gënjej veten se arrij t‘i bëj për
vete të gjithë kështu si jam, natyrale. Në të
vërtetë është një çështje gjenetike, dhe për
këtë ndihem me shumë fat. Prindërit e mi
duken shumë të rinj, edhe pse tashmë i kanë
kaluar të shtatëdhjetat. Nuk fus në gojë
alkool apo pije që përmbajnë kafeinë. Për
të pasur një trup të bukur dhe të ndihesh
në formë, është e nevojshme të merresh me
gjimnastikë. Dhe unë nuk përtoj ta bëj një
gjë të tillë për veten. Kam edhe dy fëmijë të
vegjël, që kërkojnë përkujdesjen time. Kjo
më ndihmon të jem gjithmonë në lëvizje
dhe njëkohësisht më bën mirë. Gjithashtu
nuk dua të harroj edhe vrapin që bëj çdo
mëngjes". Një dashuri tjetër e madhe e
jetës janë fëmijët, ndaj pranoi të interpretonte
edhe tek "Alpha Dog". Filmi
trajton problemin e fëmijëve
të braktisur, një fenomen me
shtrirje të madhe në një vend
shumë të pasur si Amerika. "Në të
vërtetë është një problem shqetësues
i gjithë Amerikës për familjet
që nuk kujdesen për fëmijët aq
sa duhen. E vërteta është se këtu
nuk mund ta dish asnjëherë me
siguri se ku janë fëmijët e tu. Për
shembull, prindërit e mi thoshin
se e dinin gjithnjë se ku isha: por
a e dinin vërtet se ku ndodhesha?
Kur isha vajzë e re bëja çmendurira,
pavarësisht se prindërit e mi
ishin njerëz të mrekullueshëm.
Shpesh i merrja në telefon dhe
u thosha se isha në një festë,
por nuk i tregoja se aty të gjithë
ishin të dehur e të droguar dhe
unë nuk dija si të veproja. Ngaqë
kisha konfidenca me mamanë, i
thosha asaj, dhe ajo, si një nënë
shembullore, më thoshte duke iu
dridhur zëri: shko në katin tjetër,
mbyllu me çelës brenda dhomës
dhe fli. Nesër në mëngjes do të
jesh shumë mirë dhe kthehu në
shtëpi. Ishin këshilla të shenjta.
Gjëja më e mirë është që të krijosh
një raport me fëmijët e tu, që i bën
të të kërkojnë e të hapen me ty,
sepse bota është një vend i egër
dhe ata përfundojnë gjithmonë
në situata të vështira". Në fund,
ka edhe një apel drejtuar të gjitha
nënave të botës, që dy ditë më
parë festuan festën e tyre. "Gjëja
më e rëndësishme në jetë është që
të pyesësh nëse ata që janë rreth
teje a e ndiejnë dashurinë tënde.
E rëndësishme është t‘u kushtosh
vëmendjen e duhur dhe unë këtë
gjë mendoj se ia kam arritur. Gjithmonë
kemi çaste që nuk jemi
të qetë dhe kemi më shumë stres
se ç‘duhet, por kjo nuk do të thotë
që do të jenë ata që do të duhet ta
paguajnë. Nëse nuk mund të jesh
një nënë e mirë, atëherë mos merr
përsipër të kesh fëmijë". Por si do të jenë ditët
e saj tani që ka kaluar gjysmë shekulli jetë?
"Njëlloj sikur isha 49 vjeç, apo 40.
Do të ngrihem herët në mëngjes, do të
zgjoj fëmijët, do të përgatisim mëngjesin
së bashku. Më pas, do të ndez kompjuterin
dhe do të kontrolloj e-mail-et, që zakonisht
janë 50-70 në ditë. Pastaj janë 20-40
telefonata për t‘u bërë, për t‘u marrë me
punët e mia. Kur mbaroj merrem sërish
me fëmijët. Pastaj gatuaj. Një ditë shumë
normale, tamam si ajo e të gjitha grave të
tjera, 50- vjeçare".