Kushtetuta e Kosovës hyn në fuqi me largimin e UNMIK
Institucionet e Kosovës zotohen
se do ta përmbyllin me sukses
fazën e tranzicionit, duke miratuar
Kushtetutën dhe ligjet që burojnë
nga pakoja e Ahtisarit. Por,
ato mund të hyjnë në fuqi vetëm
pas largimit të UNMIK-ut. Miratimi
i Kushtetutës dhe i ligjeve shtetërore
të Kosovës, shumica prej
të cilave burojnë nga pakoja e Ahtisarit,
konsiderohen si prioritetet
e para të Kuvendit dhe Qeverisë së
Kosovës, gjatë fazës katërmujore
të tranzicionit. Si Kushtetuta, ashtu
edhe ligjet nga paketa "Ahtisari",
nuk mund të hyjnë në fuqi pa
përfundimin e tranzicionit, përkatësisht
para se UNMIK-u të largohet
nga Kosova. Koordinatori i
qeverisë së Kosovës për ligjet e
pakos së Ahtisarit, Skënder Durmishi,
thotë se këto ligje, krahas
mbështetjes nga institucionet
vendore, kanë marrë edhe pëlqimin
nga prania ndërkombëtare
në Kosovë, por hyrja e tyre në fuqi
mbetet e lidhur me largimin e
UNMIK-ut. "Çështja e hyrjes së
tyre në fuqi është e lidhur me tranzicionin
dhe një pjesë e tyre po sajohen
dhe do të procedohen në
Kuvend. Ideja është që gjatë periudhës
së tranzicionit të miratohen
të gjitha dhe krahas miratimit të
Kushtetutës, edhe këto ligje të
jenë të përfunduara. Ndërsa, ajo
që dihet tash, është se hyrja e tyre
në fuqi lidhet me kalimin e fazës
së tranzicionit", tha Durmishi. Si
ligje të domosdoshme që mundësojnë
funksionimin e Republikës
së Kosovës si shtet në ditët e para
të saj, në këtë fazë konsiderohen
34 sosh. Prej tyre, 22 ligje rrjedhin
pikërisht nga dokumenti i Ahtisarit.
Durmishi thotë se Kuvendi
do t‘i miratojë ato, në mënyrë që
me kalimin e fazës së tranzicionit,
Kosova të funksionojë edhe me institucionet
e reja. "Kemi të bëjmë
me ligjet e sigurisë, ligjin e Ministrisë
së Jashtme, atë për aviacionin
civil, dy ligje nga fusha e jurisprudencës,
përkatësisht prokurorëve e
gjykatësve të huaj në Kosovë. Pra,
janë ligje me rëndësi të jashtëzakonshme,
të cilat kanë kaluar nëpër
të gjitha fazat e duhura, nëpër të
cilat draftohen dhe ku e thonë
fjalën e tyre ekspertët vendorë, si
dhe konsulencën e tyre ekspertët
ndërkombëtarë", thotë Durmishi.
Ndërsa të gjitha këto ligje konsiderohen
si të domosdoshme dhe të
një rëndësie të veçantë, disa prej
tyre do të prodhojnë edhe krijimin
e ministrive të reja, përkatësisht
formimin e Ministrisë së Punëve të
Jashtme dhe Ministrisë së
Mbrojtjes, që fillimisht do të quhet
Ministria e Forcës së Sigurisë. Në
Qeverinë e Kosovës thonë se kanë
kapacitete të mjaftueshme për
formimin e tyre. Ndërkaq, si çështje
më e ngutshme konsiderohet
formimi i Ministrisë së Jashtme,
duke pasur parasysh se shumë
vende e kanë njohur dhe do ta njohin
Kosovën si shtet të pavarur e
sovran dhe se të gjitha ato kanë
kërkuar dhe vendosjen e marrëdhënieve
diplomatike në nivelin
e ambasadave. Zëvendëskryeministri
Hajredin Kuçi
thotë se Kosova ka kapacitete për
këtë ministri dhe se beson se
mund të ketë edhe forma tjera të
mbulimit të shpenzimeve për ambasadat
e Kosovës, që do të hapen
nëpër vende të ndryshme
botërore.