Artim Shaqiri firmos për verdheblutë
Skuadra e Elbasanit tashmë mund të cilësohet një pretendente për titullin kampion, pasi presidenti Laze ka bërë goditjen më të rëndësishme të merkatos. Verdheblutë kanë zyrtarizuar dje kalimin e mesfushorit Artim Shaqiri nga KF Shkëndija, ndërsa vetë futbollisti ka qenë mbrëmë në Elbasan. Kjo është një goditje shumë e rëndësishme për Elbasanin, që ka afruar një futbollist i cili është aktivizuar me përfaqësuesen e Maqedonisë, pa harruar edhe eksperiencën e tij në kampionatin anglez. Përveç 34 vjeçarit, presidenti Laze ka arritur të afrojë nga kampionati maqedonas edhe 24 vjeçarin Afrim Abdullai nga Bashkimi i Kumanovës, ndërsa priten edhe dy sulmues serbë. Gjatë ditës së sotme do të bëhet prezantimi i lojtarëve të rinj, të cilët do t‘i bashkohen menjëherë skuadrës duke u vënë nën urdhrat e trajnerit Alimehmeti. Me këto përforcime cilësore, Elbasani tashmë shihet nga të gjithë si një prej pretendenteve kryesore për titull.