Ky kirurg është një robot
E ardhmja ngjan me një robot në të cilin janë lidhur katër krahë mekanikë një për fibrat optike që përcjellin vizionin tredimensional dhe tre të tjerë për të vënë në lëvizje veglat e punës që operojnë brenda trupit të të sëmurit. Sot ka shumë emra që rikujtojnë mendje gjeniale të së shkuarës të tilla si Da Vinci, Zeusi, Ezopi, Hermesi, e të tjerë që për momentin nuk përmenden, pasi rruga e gjatë drejt kirurgjisë robotike sapo ka filluar dhe po ecën me një shpejtësi marramendëse, aq sa shumë shpejt ofertat do të shumëfishohen dhe do të përmbushin të gjitha nevojat klinike. Sot, kirurgjia e kryer nga robotët përfaqëson evolucionin natyror të një disipline që deri më sot është bazuar më tepër në shkathtësinë e duarve të kirurgut, mbi eksperiencën, por që më në fund po bëhet një shkencë. Kirurg-roboti më i njohur dhe më i eksperimentuar në botë quhet Da Vinci dhe operon në shumë klinika të botës dhe Evropës. Është i pajisur me instrumente, me sisteme shumë të sofistikuara, të cilat lejojnë një rrotullim 360° të pjesës fundore të instrumentit, me një sistem nyjëtimi akoma më të mirë se pulsi i njeriut. Gjithashtu, ky kirurg-robot të jep mundësinë të ndjekësh nga afër çdo ndërhyrje kirurgjikale, duke përdorur një fushë tredimensionale të zmadhuar. Ata që i kanë dhënë edhe më shumë vlera Da Vinci-it janë kirurgët e Institutit Evropian të Onkologjisë në Milano, që për një vit kanë bërë 244 ndërhyrje onkologjike, urologjike dhe gjinekologjike. "Kirurgu" në fjalë nuk përdoret vetëm në onkologji. Ai është i pranishëm edhe në Çikago, ku udhëheq pavijonin e kirurgjisë e ku ka kryer më shumë se 100 ndërhyrje mes tyre laparoskopi, hernie, reseksion gastrik (heqje e një pjese të stomakut), ezofagektomi, reseksionin e mushkërive. Këtë vit, një student i sapodiplomuar, me ndihmën e robotit ka hequr pankreasin, duke vijuar më pas me transplantimin e qelizave beta (qeliza që prodhojnë insulinën) marrë nga i njëjti organ, me qëllim që t‘i shmangte pacientit një diabet të shkaktuar nga operacioni. "Kirurgjia robotike përfaqëson evolucionin natyror të asaj laparoskopie (ekzaminim i zgavrës së barkut), që lëviz me instrumente të palatuara, të komanduara nga pjesa e jashtme e trupit të pacientit në një distancë të vogël centimetrash dhe me ndihmën e një vizioni bidimensional. Me robotin, këto kufizime teknike mund të kalohen. Vizioni është tredimensional, i ndërtuar si realitet virtual duke u nisur nga karakteristikat e të sëmurit dhe aftësia lëvizëse e instrumenteve është shumë më e lartë në krahasim me atë të pulsit të njeriut. Është gjithmonë kirurgu ai që drejton dhe vendos se si duhet të ndërhyhet", tregon ai. Në fakt, me Da Vincin kirurgu lëviz duart brenda dorezave të ngjashme me ato të video-lojërave, lëvizja e tij i transmetohet krahëve të robotit, që aktivizojnë veglat brenda trupit të pacientit me një precizion të madh.
Por progresi i nxitur nga kirurgjia robotike nuk është vetëm teknik: "Deri më sot teknikat kirurgjike lindnin nga ideja e një mjeku dhe më pas eksperimentoheshin dhe përhapeshin falë shkollave, por pa asnjë arsye. Sot, me ndihmën e robotit, gjërat kanë ndryshuar: çdo lëvizje që bëhet fiksohet dhe çdo rezultat bëhet pjesë e statistikave, e cila do të tregojë nëse mënyra e lëvizjes është e përshtatshme, pa një kuantifikim të vërtetë të rezultateve klinike. Pra, çdo ndërhyrje kirurgjikale kryhet në kohë rekord e në të njëjtën kohë shënohen të gjitha parametrat e pacientit. Është njësoj si video-lojërat, ku fillimisht studiohet terreni, më pas veprohet. Tani kompjuteri analizon çdo detaj dhe më pas sugjeron zgjidhjen më të mirë. Kështu, së fundmi kirurgjia do të jetë pjesë e teknologjisë dhe me një efekt të dobishëm në jetën e të sëmurit", ka thënë ai.
"Falë robotit kemi mundësinë të shmangim tumoret, lodhjen, mjegullimin e shikimit e shumë shqetësime të tjera", shpjegon drejtori i pavijonit të urologjisë së Institutit Evropian të Onkologjisë, i cili e ka blerë Da Vincin një vit e gjysmë më parë dhe falë tij ka shpëtuar shumë pacientë. Në rastin e tumorit të prostatës, patologji e cila ka përfshirë një numër të madh pacientësh në të gjithë botën, edhe pse ka qenë ndërhyrja e parë e vlefshme, diferenca në krahasim me të shkuarën është e madhe. Ja si e shpjegon kirurgu: "Të operosh një pacient duke parë mbi një ekran tredimensional e duke e bërë çdo lëvizje me finesë, veprime të cilat asnjë kirurg nuk do të ishte në gjendje t‘i arrinte, lejon shumë limitimin e nervave që gjatë ndërhyrjes tradicionale (ku pacienti çahet) e shpesh edhe në atë laparoskopik (ekzaminimi i zgavrës së barkut) çojnë në impotencë dhe vazhdimësi urinare. Kjo është e mundur, pasi kirurgu menjëherë operon brenda trupit dhe jo jashtë tij, ashtu siç ndodh me teknikat laparosklopike". Ndryshe kjo do të thotë: kohëzgjatja e operacionit është më e shkurtër (koha e qëndrimit të pacientit në spital zvogëlohet deri në 40%), nuk ka shumë gjakrrjedhje (më pak se 80%, që do të thotë, shpesh transfuzionet e gjakut mund të shmangen), më pak dhimbje (rreth 80%) dhe rezultate onkologjike më të sakta në krahasim me ato që përftohen me kirurgjinë e hapur. Nuk është një rastësi që në botë heqja e prostatës me Da Vincin ishte rreth 20% totali në vitin 2005, ndërsa në 2007-ën përqindja është dyfishuar dhe në 2008-ën është parashikuar që kjo përqindje t‘i kalojë tre vitet e para. Mos ndoshta ka ardhur koha të mendojmë për një zëvendësim gradual të duarve të kirurgut me ato të robotit? "Pikërisht se bëhet fjalë për lëvizje intuitive, aftësitë manuale të kirurgut janë perfeksionuar dhe përforcuar. Me fjalë të tjera roboti nuk do ta zëvendësojë kurrë doktorin, madje do të lartësojë aftësinë manuale dhe do të perfeksionojë lëvizjet", shpjegon drejtori i pavijonit të gjinekologjisë, i cili me robotin ka kryer më shumë se 100 ndërhyrje si heqje të tumorit në qafën e mitrës.
Por sigurisht, kostoja e këtyre operacioneve është shumë e lartë, duke përfshirë edhe atë të robotit (mund të kalojë një milionë euro) dhe mirëmbajtjen e tij. Këto lloj ndërhyrjesh që asistohen nga roboti, janë shumë herë më të shtrenjta se operacionet tradicionale (për shembull, për një pacient një operacion për prostatën kushton mijëra euro) sepse materiali kirurgjikal nuk mund të përdoret më shumë se 10 herë. "Megjithatë - shpjegon drejtori i pavijonit - vlerat ekonomike të blerjes së robotit kanë treguar se nëse Da Vinci përdoret rregullisht nga të gjithë pacientët, kostot e tij do të uleshin në mënyrë drastike. Por nëse marrim në konsideratë të gjitha parametrat shoqërore si për shembull hyrja në punë e parakohshme, nevoja e vogël e asistencës post-kirurgjike e kështu me radhë, atëherë kostot do të ishin si më parë, pra të larta. Gjithsesi, mendoj se kostoja e tij do të ulet pak nga pak me rritjen e numrit të pacientëve".
Këto parashikime duken më shumë të bazuara në imagjinatë sesa në atë që ndodh në literaturën shkencore, ku nuk kalon një muaj pa u sinjalizuar një aplikim të ri, apo pa u propozuar një instrument i modifikuar. Mes rekomandimeve të fundit është edhe ai i studiuesit kanadez, Garnette Sutherland, i cili pas shumë vitesh studimi ka krijuar për të parën herë robotin "NeuronArm" i pajisur më një rezonancë manjetike për të operuar trurin me një ekran katërdimensional. Pak muaj më parë, Da Vinci u përdor me sukses nga kirurgët nga e Teksasit për të kuruar obezitetin dhe për të hequr disa masa tumorale nga zorra e trashë. Gjithashtu, përdorimi i tij është rritur edhe në onkologji, ku para pak ditësh kirurgët e Pensilvanisë morën rezultate pozitive nga heqja e tumoreve të bajameve te disa pacientë. Në një fazë perfeksionimi janë edhe shumë operacione të zemrës, për shembull futjen e një "bypass". Për të gjitha fuqitë e robotit do të flitet në Kongresin e Parë Botëror të Kirurgjisë Robotike.
Roboti gjarpër
Pranë Da Vincit mund të montohen krahë të tjerë, mes tyre dora artificiale e bërë me materiale që nuk krijojnë interferencë, si plastika, qeramika dhe bakri, të cilat lëvizin nga ajri dhe drita, për të mos krijuar interferencë ndryshe nga shumë robotë të tjerë. Dora që quhet "PneuStep", është krijuar për bërë biopsi (për momentin të prostatës) shumë më precize se ato aktuale. Studiuesit kanë menduar të krijojnë edhe robotë të tjerë, si për shembull "robotin-gjarpër" që hyn në gojë me përkulshmëri, duke lëvizur krahët si një oktapod, duke bërë në këtë mënyrë ndërhyrje të mikrokirurgjisë si perde të syrit e të tjerë.
Bisturi në fund të detit
Vitin e kaluar, roboti i parë i lëvizshëm "Raven" "braktisi" thellësitë oqeanike (30 metra) për t‘u rikthyer sërish në sipërfaqe. Në misionin që zgjati 12 ditë kishte operuar pa kurrfarë vështirësie një pacient virtual, duke iu përgjigjur komandave të dërguara nga mbështetësja ku punonin kirurgët e Uashingtonit, ndërkohë që katër pjesëtarët e ekuipazhit kontrollonin nëse gjithçka shkonte mirë. Informacionet kishin mbërritur më përpara përmes një lidhjeje interneti via kavo e më pas me modalitete Wireless.
Pas suksesit të "Nasa Extreme Environment Mission Operation", Raven ka përballuar provat të tjera rezistence, si për shembull kur u la vetëm të operonte brenda në kabinën e një avioni në një shkretëtirë të Kalifornisë, ndërkohë që temperatura jashtë avionit ishte 40°. Në atë rast, kirurgët e lëviznin nga jashtë kabinës duke qëndruar nën hijen e një tende, për të stimuluar një ndërhyrje në zonat e luftës apo të goditur nga fatkeqësitë natyrore.
Por, sigurisht, për misionet hapësinore, vështirësitë janë më të mëdha; dhe një prej tyre sapo është zgjidhur: ajo e peshës së instrumentit. Në fakt, Raven peshon më pak se 50 kilogramë. Një tjetër vështirësi lidhet me prishjen e tij. Është e detyrueshme që çdo pjesëtar i ekuipazhit duhet të dijë të riparojë Raven, gjë të cilën kanë arritur ta kalojnë me sukses pjesëtarët e ekuipazhit nënujor pa e dëmtuar robotin.
Megjithatë, në pritje të misioneve jashtëtokësore, sot kirurgjia robotike mund të shfrytëzohet për operacione që kryhen qindra e mijëra kilometra nga ku është kirurgu. Në një revistë shkencore, kirurgët kanadezë kanë theksuar se nuk ka ndonjë ndryshim nëse roboti operon duke marrë urdhra nga kirurgu, i cili ndodhet në të njëjtën sallë apo nëse të njëjtat informacione vijnë nga një distancë prej 4000 kilometrash përmes internetit dhe valëve satelitore. E vetmja vështirësi është vonesa me të cilin sinjali, sidomos kur përdoret sateliti, arrin te roboti rreth 600 milisekonda.