E Diel, 1 Nëntor 2026

"Skuadra e vitit 2007", triumfon Kaka dhe Milan

UEFA ka shpallur dje "Skuadrën e vitit 2007", të votuar nga përdoruesit e faqes së internetit të organizatës që drejton futbollin evropian. Mbi 270 përdorues kanë hedhur votën e tyre duke përzgjedhur 11 lojtarët më të mirë, sipas roleve dhe trajnerin, në këtë sondazh të përvitshëm që këtë radhë ka parë si "fituese" skuadrën e Milanit me tre përfaqësues, ku mesfushori Rikardo Kaka ka qenë ai që ka siguruar më shumë vota, përkrah Nestës dhe Sedorf. Edhe Anglia është përfaqësuar më se denjësisht, pasi nga lojtarët e Premiership janë Stiven Xherard, Xhon Terri, Kristiano Ronaldo dhe Didier Drogba, pa harruar që trajneri më i mirë është përzgjedhur Aleks Ferguson.

Portier

Iker Kasijas ka fituar garën për gardianin më të mirë, duke mundur Çeh, Palop, Reina dhe Van Der Sar. Portieri i Realit të Madridit figuron për herë të parë në skuadrën më të mirë të vitit, pasi ka siguruar një diferencë prej 10 mijë votash më shumë se ndjekësi më i afërt, Çeh i Çelsit.

Mbrojtës i djathtë

Daniel Alvesh i Seviljes këtë radhë ka siguruar praninë e tij në ekipin më të mirë, duke mundur me një diferencë të ngushtë Serxho Ramos të Realit të Madridit. Braziliani ka shkëlqyer në edicionin e kaluar të Kupës UEFA dhe është bërë i pazëvendësueshëm edhe në kombëtare. Kundërshtarët e tij në këtë rol ishin Zaneti, Odo dhe Zambrota.

Qendërmbrojtës

Alesandro Nesta i Milanit dhe Xhon Terri i Çelsit formojnë dyshen më të fortë të këtij reparti sipas përdoruesve të "uefa.com". Dy mbrojtësit kanë pasur rivalë shumë të fortë si Ager, Karrager, Karvajo, Maldini, Ferdinand, Pujol, Ture dhe Vidiç, por forma e treguar në ndeshjet vendimtare të skuadrave respektive duket se i ka siguruar praninë në këtë skuadër ëndrrash.

Mbrojtës i majtë

Erik Abidal është padyshim zbulimi i vitit, pasi ka arritur të tregojë si tek Olimpiku i Lionit, ashtu edhe te Barcelona, se është një nga futbollistët më të kompletuar në botë në këtë rol. Roli i tij si i pazëvendësueshëm edhe te kombëtarja franceze i ka dhënë mundësinë të fitojë me vetëm 1% diferencë ndaj Filip Lahm, fituesit të vitit të kaluar. Kundërshtarët e tjerë në këtë rol ishin Drenthe, Evra dhe Jankulovski.

Mesfushor i djathtë

Kristiano Ronaldo është një prej emrave më të lakuar në futbollin botëror dhe 29 golat e shënuar në edicionin e kaluar për Mançester Junajtid e vërtetojnë më së miri këtë. Ndonëse ai ka pasur si kundërshtarë Mesi, Riberi, Hleb dhe Gatuzo, fitorja ka qenë e padiskutueshme për yllin portugez.

Mesfushor qendre

Stiven Xherard mbetet një prej futbollistëve më të kompletuar në botë dhe përzgjedhja e tij në formacionin e më të mirëve nuk është vënë asnjëherë në dyshim. Mesfushori i Liverpulit ka fituar me diferencë shumë të thellë ndaj ndjekësit më të afërt, Andrea Pirlo, pa harruar se përballë ka pasur edhe Esien, Fabregas apo Poulsen.

Mesfushor sulmues

Rikardo Kaka ka qenë i preferuari i të gjithë përdoruesve të "uefa.com", pasi braziliani ka marrë mbi 220 mijë vota. Pas fitores së "Topit të Artë" dhe "FIFA World Player", prania e tij në 11-en më të mirë ishte e padiskutueshme, edhe pse kishte si kundërshtarë dy bashkëkombësit e tij, Ronaldinjo dhe Diego, si dhe dyshen holandeze Shnajder-Van Der Vart.

Mesfushor i majtë

Klarens Sedorf është një nga lojtarët më të suksesshëm në futbollin evropian gjatë 10 viteve të fundit, pasi ka triumfuar me të gjitha skuadrat ku është aktivizuar si në arenën kombëtare, ashtu edhe ndërkombëtare. 100 ndeshjet në Ligën e Kampioneve e vërtetojnë më së miri përvojën e tij dhe arsyen pse është përzgjedhur si fitues në këtë rol ku kishte përballë Kuaresma, Gigs, Malouda dhe Silva.

Sulmues

Zlatan Ibrahimoviç dhe Didier Drogba formojnë dyshen më të frikshme të sulmit në Evropë, të paktën sipas përdoruesve të "uefa.com". Kombinimi i teknikës së suedezit me aftësitë finalizuese të futbollistit nga Bregu i Fildishtë kanë bërë që këta lojtarë të figurojnë për herë të parë në seleksionin vjetor të UEFA-s, ndonëse kishin përballë disa nga goleadorët më të mirë në botë si Toti, Van Nistelroi, Avesh, Inzagi, Kanute, Hili, Runi dhe Toni.

Trajner

Aleks Ferguson nuk ka marrë rastësisht titullin "Sër" në Angli. Titulli i nëntë kampion me Mançester Junajtid e ka bërë atë të preferuarin e pjesëmarrësve në sondazh, që e kanë preferuar para emrave shumë të njohur dhe të suksesshëm të viteve të fundit si Kapelo, Benitez, Ançeloti dhe Ramos.

Sondazhi

Skuadra e vitit 2007

Iker Kasijas (Real Madrid)

Daniel Alvesh (Sevilja)

Alesandro Nesta (Milan)

Xhon Terri (Çelsi)

Erik Abidal (Barcelona)

Kristiano Ronaldo (Man Utd)

Stiven Xherard (Liverpul)

Kaka (Milan)

Klarens Sedorf (Milan)

Zlatan Ibrahimoviç (Inter)

Didier Drogba (Çelsi)

Trajner: Aleks Ferguson (Man Utd)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›