E Diel, 1 Nëntor 2026

Blutë, shpresat te kthimi i katër kroatëve

Pjesa e dytë e kampionatit mund të jetë shumë më e vështirë për Dinamon, skuadrën që aktualisht kryeson me meritë Kategorinë Superiore. Klubi kryeqytetas nuk ka zgjidhur ende problemet e këtij fillimviti, të cilat janë bërë pengesë për zhvillimin e një faze të mirëfilltë përgatitore. Shqetësimi kryesor i drejtuesve të klubit dhe trajnerit Agim Canaj është bërë rikthimi i katër futbollistëve kroatë që janë aktivizuar me blutë në pjesën e parë të sezonit, duke qenë vendimtarë në rezultatet pozitive të kësaj skuadre. Sulmuesi Pejiç, mesfushori Vincetiç dhe mbrojtësit Graniç e Bodrusiç, janë larguar nga Shqipëria në ditët e fundit të dhjetorit, por nuk kanë respektuar afatin e kthimit të tyre në vendin tonë, sipas datës së përcaktuar nga klubi. Pas kontakteve të fundit, lojtarët kanë bërë të ditur se do të jenë në Tiranë këtë fundjavë, për të filluar një javë me vonesë fazën përgatitore në krahasim me shokët e tyre. Kjo ka shkaktuar pakënaqësi si te futbollistët e tjerë të Dinamos, ashtu edhe te trajneri Canaj, i cili duhet të llogaritë një fazë përgatitore të veçantë për këta lojtarë, gjithmonë nëse ata kthehen përsëri te kjo skuadër. Një tjetër problem shqetësues për këtë skuadër është edhe situata e sulmuesit Sabino Plaku. Ky i fundit, ndonëse është kthyer nga prova e tij në Norvegji, nuk ka filluar ende stërvitjen, pasi është në pritje të përgjigjes nga ekipi i HamKam, me të cilin shpreson të aktivizohet në pjesën e dytë të sezonit. Këto probleme kanë bërë që Dinamo të mbetet vendnumëro edhe në merkaton e janarit, duke mos arritur të vihet në kërkim të lojtarëve cilësorë. Nëse kroatët dhe Plaku do të vendosin të vazhdojnë karrierën e tyre në një skuadër tjetër jashtë Shqipërisë, atëherë drejtuesit e klubit do të jenë të detyruar të hyjnë në merkato, pasi skuadra e Canajt do të ketë mangësi të theksuara në të gjitha repartet. Plaku dhe Pejiç përbënin dyshen e sulmit në pjesën e parë të sezonit dhe largimi i mundshëm i tyre do të dëmtonte blutë, të cilëve u mbeten si alternativa vetëm Kuli e Pema, pa zëvendësues në stol pas huazimit të Miles te Teuta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›