E Diel, 1 Nëntor 2026

Piratë dhe kusarë

Jeta poetike e piratëve ka qenë më e gjatë, pafundësisht e rehatshme dhe ndoshta më shumë trashëguese se jeta reale. Për dy a tre shekuj me radhë, historitë e piratëve kanë mbajtur një nga vendet më të rëndësishme në letërsinë aventuriere. Në vitin 1814, romani "Kusarët" i Xhorxh Bajron - një histori e lexuar në gazeta dhe e frymëzuar nga mbrojtja heroike e Nju Orlins nga Xhin Lafit, një prototip i romanit të "jashtëligjshëm" që do t‘i pëlqejë shumë Verdit dhe Berliozit - shiti dhjetë mijë kopje vetëm brenda një jave dhe u ribotua shtatë herë brenda një muaji. Çuditërisht, dy vjet më vonë një flotë anglo-holandeze mbërriti në Algjeri duke shkatërruar plotësisht të gjithë portin dhe duke mbytur me dhjetëra nga ato varkat e shpejta me vela me të cilat piratët përshkonin Mesdheun. Një sulm pas të cilit pirateria myslimane nuk e rimori më veten. Nuk dihet nëse dikush nga Vëllezërit e Bregut, siç edhe quheshin piratët e Tortugës, të ketë qenë i vetëdijshëm se ishin duke i dhënë jetë një lloji të ri, ku heronjtë e botës së romanit, në kohëra më moderne do të zëvendësohen nga të tjerë keqbërës, si për shembull mafiozët, që në këtë rast janë keqbërës që ngrihen në rolin e protagonistëve të letërsisë. Një pjesë e madhe e publikut jo vetëm të pasionuarit e letërsisë aventureske, por edhe qytetarë të thjeshtë që besonin në Zot, i kanë parë këto histori me një sy të mirë, ndoshta sepse ishin kaq të parrezikshme dhe kaq të pabesueshme për t‘u menduar si të vërteta. Edhe sot e kësaj dite, termi pirat, i prononcuar me shaka, por me ton admirimi dhe zilie, përcakton një "qen bir qeni", por që në fund të fundit mbetet simpatik me të cilin gati të gjithë do të ishin të gatshëm të takoheshin një herë… Në romanin "Ishulli i thesarit" i Long Xhon Silver, kush nuk do ti jepte një ndihmë Morganit për të shkuar në Panama ku gjendeshin shumë e shumë thesare ndër tyre edhe floriri astek? Pjesa më e madhe e këtyre historive vjen nga dy ose tri përmbledhje, pak a shumë gati gjithçka çka dimë ne për ta, mite dhe ekzagjerime së bashku. Një nga më të dëgjuarat është "Historia gjenerale e piratëve", që shënon vitin 1724, e firmosur nga një kapiten i quajtur Çarls Xhonson, një vepër që atëherë pati një sukses të madh, u botua e ribotua disa herë me radhë. Realisht, në të kaluarën, qëndrimi indiferent i historianëve dhe studiuesve të saj, e konsideronte argumentin e piraterisë si diçka dytësore, tepër folkloristik dhe kinematografik për të merituar një analizë serioze, duke i lënë aventurat e këtyre zotërinjve në duart e fantazistëve. Por prej disa kohësh kemi disa tekste të sigurta për t‘u referuar si "Nën Flamurin e ZI": Romanca dhe realiteti i piratëve, një vepër kjo e David Kordingli, që ka dalë rreth tetë ose nëntë vjet më parë, roman i cili na drejton drejt rrugës për të kuptuar dhe mësuar rreth atyre çfarë janë të vërteta ose false në këto çështje. Në përgjithësi, nga ky libër rezulton se imazhi popullor i piratëve, ai që kemi parë në televizor kur kemi qenë fëmijë ose duke lexuar libra të ndryshëm, ka mbetur mjaft besnik për sa i përket paraqitjes, pamjes fizike, mënyrës së të veshurit etj. Piratët, si të gjithë marinarët e tjerë në përgjithësi, vishnin një xhaketë të shkurtër ngjyrë blu, pantallona të zeza të ngushta, çizme me maje të gjatë, jo rrallë një shall të kuq por të shkurtër të lidhur në qafë dhe padyshim shaminë klasike që mbanin në kokë (kjo e fundit ishte një mënyrë e zgjuar për t‘u mbrojtur nga dielli përvëlues i tropikut).

Çdo pirat mbante disa pistoleta, një mënyrë e mirë për të qëlluar pa pushim edhe pse baruti i njërës pistoletë mund të lagej, siç ndodhte edhe shpesh në mes të detit. Në fillim piratët filluan të krijonin famën e tyre në pyjet e Espaniolas, duke sulmuar ngarkesat e gjedhëve që importoheshin nga spanjollët për në botën e re. Meqenëse në zonat e Karaibeve nuk kishte shumë grabitqarë natyrorë, piratët u shumuan në një numër të konsiderueshëm brenda një kohe shumë të shkurtër. Ata kishin mësuar nga indianët ta ndanin mishin në feta shumë të holla dhe pasi e tymosnin e bënin gati për ta shitur. Madje, edhe për t‘u veshur përdornin lëkurat e gjedhëve, por era e pakëndshme dhe njollat e gjakut që i linin në trup, u jepnin atyre një paraqitje jo shumë mikpritëse. Më vonë u transferuan në ishullin e vogël të Tortugës, duke formuar një konfederatë të quajtur "Vëllezërit e Bregut". Këto tregime surreale të këtyre sipërmarrjeve, për të treguar një term të përdorur në të shkuarën, i cili përcakton personalitetin e tyre, ka pasur disa precedentë akoma më shumë të hershëm për sa i përket "Historisë së Përgjithshme". Tregimi më antik, në fakt libri i parë që rrëfente në mënyrë sistematike çështjet pirateske u publikua pesëdhjetë vjet më parë kësaj të fundit në Holandë dhe më vonë në Angli, duke u bërë menjëherë libri më i shitur. Titullohej: "Piratët e Amerikës" nga Aleksandër Ekskuemelin, një francez që banonte në Normandi dhe më vonë u transferua në Tortuga me profesion berberi, i cili i kishte shërbyer Henri Morganit dhe Frankois Oloneze, një psikopat i cili torturonte të gjithë të burgosurit me metoda nga më barbaret. Metoda më e zakonshme, për marinarët e thjeshtë, konsistonte në shtrëngimin e ballit me një litar të fortë derisa sytë të dilnin nga zgavrat e kafkës. Ndërsa personazhet e rëndësishme i torturonte ai, me duart e tij, duke i bërë copa-copa me anë të një thike të vogël, por shumë të mprehtë dhe në fund lëpinte gjakun që mbetej në tehun e thikës.

Nëse ndonjë lexues ka krijuar një ide romantike mbi piratët, sikurse edhe një mendim të vogël, nëse lexojnë një pjesë nga libri i Ekskuemelinit, gjithçka do të ndryshojë, madje do të mendojnë të ndryshmen. Sepse portretet e vogla formojnë imazhin kompleks të një shoqërie të degraduar, të privuar nga çfarëdolloj horizonti nëse nuk bëhet fjalë për një vrasës pas tjetrit, një aspekt jetese tepër qesharak, është e destinuar që brenda pak kohe të shkatërrohet financiarisht ose ligjërisht. Një nga ata të paktët që shpëtoi ishte Morgan, edhe ai u akuzua nga Ekskuemelini si një përbindësh i pamëshirshëm. Por pirati arriti ta hedhë në gjyq autorin e librit, madje në një gjykatë angleze, duke dëshmuar dhe vërtetuar se të gjitha sipërmarrjet e rij ishin të urdhëruara nga guvernatori i Xhamajkës, Tomas Modiford, dhe kështu e fitoi çështjen duke marrë si dëmshpërblim një shumë të konsiderueshme parash. Pasi u kthye në Londër nga protestat e spanjollëve, u emërua menjëherë "zotëri" nga Karli II dhe më vonë u dërgua në Indinë Lindore me titullin zëvendësguvernator i Xhamajkës. Dhe aty jetoi shumë vjet si i pasur derisa vdiq nga përdorimi i rumit me shumicë me shoqërinë e vjetër të Panamasë. Madje as kurat e një magjistari afrikan që i dha të pijë urinën e tij, nuk mundën ta shëronin.

Edhe pse mund të duket si e pabesueshme, ndërmjet piratëve ekzistonte një farë demokracie, me sensing se kapiten bëhej ai që zgjidhej nga shumica e ekuipazhit dhe gjithsesi, të gjitha sipërmarrjet dhe objektivat e rëndësishëm vendoseshin me aprovimin e shumicës. Kjo nuk do të thoshte se dikush me një personalitet më të lartë nuk mund të kundërshtonte i vetëm. Madje, ishin ata që vishnin veshjet më të shtrenjta dhe më ekstravagante që mund të shihje. Përdornin sa më shumë aksesorë, unaza të florinjta, vath, varëse, por gjithsesi, ishte kalimi dhe përdorimi i kohës ajo që kurrë nuk i bëri zotërinj. Bartolome Roberts, i njohur si "Barbanera" një nga piratët më të famshëm të Karaibeve dhe të Atlantikut të Jugut, i cili pretendonte se kishte kapur katërqind anije, u bë terrori i banorëve në jugun e Shteteve të Bashkuara. Por në fund u fut në kurth nga një djalosh i quajtur Mainard. Kështu Barbanera u përgatit për duelin e tij të fundit me një veshje ashtu siç tregohet edhe në romanin "Historia gjenerale": "Veshi një pelerinë të kuqe prej damasku, madje vuri edhe një pendë të kuqe në kapelën e tij dhe në qafë vari një zinxhir të rëndë floriri". Paraqitja e tij në fakt gjithmonë shkaktonte një efekt te kundërshtari, madje edhe nëse shihje nga tepër larg, Barbanera mund të dallohej farë qartë edhe në mes të ekuipazhit. Vdekja e tij është një nga ato klasiket e epopesë pirateske. "Mainard u jep sinjalin njerëzve të tij dhe këta të fundit sulmojnë me një kurajë që nuk ishte parë kurrë më parë. Barbanera dhe Mainard shkëmbyen disa të shtëna pistoletash, por që asnjëra nuk goditi në shenjë. Më pas filluan të ndeshen me shpata derisa ajo e Mainard u thye dhe ndërkohë, ndërsa mundohej të merrte pistoletën Barbanera i hidhet menjëherë përsipër duke e goditur me grusht dhe do ta kishte vrarë nëse një nga shpatat e njerëzve të Mainardit nuk do t‘i kishte çarë gjoksin, menjëherë poshtë fytit. Dyluftimi vazhdoi derisa Mainard mbërthen pistoletën dhe e godet nga një distancë e shkurtër, por Barbanera arrin të qëndrojë edhe për disa çaste derisa rrotullohet në vetvete dhe bie i vdekur në kuvertë. Iu numëruan njëzet e pesë plagë nga armë të ftohta. Menjëherë ia prenë kokën dhe e varën në anijen e Mainardit që u kthye triumfues".

Çështja e piraterisë i përket të gjithë botës. Por vetëm në vitet 1500 i përket një zone të veçantë, asaj të Karaibeve. Aty ka pasur një përqendrim të objekteve me vlerë si, floriri, argjendi, gurë të çmuar dhe vetëm falë rënies së perandorisë steke. Në këtë mënyrë spanjollët filluan ta mblidhnin të gjithë këtë pasuri dhe të transportonin në Evropë pjesë që i takonin mbretit. Kapitenët e dinin se në Spanjë floriri nuk mjaftonte kurrë dhe që fatet e tyre ishin të lidhura me këto sipërmarrje nga ana e spanjollëve. Kur u përhap fjala se dy vjet më vonë pas rënies së Tenoktitlanit, që një kapiten francez, Xhin Fleri, kishte gjetur në stivat e disa anijeve spanjolle të dërguara në Kortez, tri arka të mëdha plot me monedha floriri, 500 shufra floriri, perla, smerald, maska të florinjta të zbukuruara me gurë të çmuar dhe shumë mantele të zbukuruara me gurë të çmuar. Francezë, holandezë dhe anglezë e ndanë Atlantikun dhe detërat e Karaibeve sipas pozicioneve më strategjike. Dhe sulmet vazhduan për aq vjet saqë kur spanjollët për të mbrojtur anijet e tyre, filluan të organizonin sulme më të komplikuara duke vendosur që të shkonin e ta merrnin floririn përpara se të ngarkohej nëpër anije: në qytetin e Panamasë dhe Marakaibo.

Një kuriozitet është se mosha mesatare e piratëve varionte nga 26 - 27 vjeç dhe në bazë të një llogaritjeje të përafërsueshme, nga mezi i viteve 1700 përqindjet sipas kombësive janë këto: 35 për qind e piratëve ishin anglezë, 25 për qind amerikanë, 20 për qind nga Karaibet dhe 10 për qind ishin skocezë. Dhe pastaj, francezët, spanjollët, portugezët, holandezët dhe ndonjë afrikan. Por në zonat ku influenca angleze ishte tepër e vogël, francezët dhe holandezët ishin më të shumtë në numër. Për sa i përket flamurit tradicional të piratëve me kafkën edhe 2 kockat e kryqëzuara, mund të thuhet se jo të gjithë e përdornin këtë flamur. Kishte flamur të kuq dhe me imazhe zemrash të gjakosura, thikash, skeletesh të plotë etjeje. Vetëm duke filluar nga viti 1730 piratët francezë, spanjollë dhe anglezë ranë dakord për një flamur të vetëm, atë tradicionalin e zi dhe me kafkën të cilës i kryqëzohen dy kocka: "Për të evituar keqkuptime të pakëndshme", kështu thanë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›