Seria A bën gati "fishekzjarrët" e janarit
Merkatoja e janarit në Serinë A duket se do ta ndezë edhe një herë rivalitetin mes skuadrave më të njohura të futbollit italian. Këtë radhë, të gjitha duket se kanë nevojë të bëjnë ndryshime të kontingjentit ekzistues, për ta përmirësuar atë apo për të larguar disa nga elementët të cilët nuk konsiderohen më të domosdoshëm. Që me datën 4 janar do të mësohen lëvizjet e para të vogla, të cilat do t‘u paraprijnë lëvizjeve të mëdha, pasi kanë nisur që tani bisedimet për emra si Ronaldinjo, Amauri, Frei, Mutu, Elano, Karvajo apo Van Der Vart, të cilët do të entuziazmojnë të gjitha tifozeritë me magjitë e tyre.
Milani
Kuqezinjtë duket se e kanë që tani përforcimin e tyre të parë, sulmuesin e ri Pato, i cili do të jetë arma e fshehtë për të ndjekur objektivat e sezonit. Megjithatë, ëndrra në sirtar mbetet ajo e fantazistit Ronaldinjo, për më tepër në një periudhë kur edhe Barcelona po jep sinjalet e para të një shitjeje të mundshme të tij. Në të njëjtën kohë, kuqezinjtë po përgatiten të bëjnë disa ndryshime thelbësore edhe në prapavijë, duke zëvendësuar Didën me Frein, pasi braziliani nuk jep më garanci.
Juventus
Mesfusha është reparti që ka më shumë nevojë për sistemim, ndaj interesimi për Van Der Vart nuk është rastësor. Por orët e fundit ka lindur edhe një zë merkatoje, që vë në dyshim edhe repartin e sulmit, pasi duket se bardhezinjtë po interesohen për Amaurin. I sakrifikuari do të jetë Paladino, i cili nuk po gjen më hapësira në formacionin ndërtuar nga Ranieri. Në të njëjtën kohë kërkohet edhe Barzalji, një përforcim për mbrojtjen, nga e cila do të largohet Krishito.
Inter
Kampionët e Italisë kanë kaluar një vit të shkëlqyer dhe duken të pandalshëm. Por dëmtimet e njëpasnjëshme kanë shtyrë Mançinin dhe Moratin të hedhin sytë përsëri nga merkato. Megjithëse është marrë një "jo" e prerë nga Mançester Siti për Elanon, zikaltrit nuk janë tërhequr përfundimisht nga pista e brazilianit, ashtu si edhe nga Daniel Karvajo i CSKA-së. Shihet me interes edhe Simplisio i Palermos.
Të tjerët
Roma dhe Fiorentina po diskutojnë shkëmbimin e mundshëm mes Mansinit dhe Mutu, pasi të dy nuk kanë më një raport të mirë me tifozeritë respektive. Lukareli është shumë pranë kthimit në Itali, këtë radhë me Torinon, që ka kontaktuar me futbollistin. Ndërsa Tomaso Roki nuk do të largohet nga Lacio, të paktën deri në fundin e sezonit.