E Diel, 1 Nëntor 2026

Fuentes, kundër sistemit: Do të marr çmimin ‘Nobel‘

Eufemiano Fuentes, gjinekologu spanjoll, që u bë qendra e ciklonit në "Operacionin Puerto", është i bindur se një ditë shkenca do të vlerësojë zbulimet e tij. Në një intervistë të dhënë për gazetën gjermane "Stern", Fuentes ka bërë të ditur se substancat e shpikura nga ai meritojnë të nderohen me çmimin "Nobel" për mjekësinë, ndonëse nga të gjithë cilësohet si një personazh që ka shtyrë sportistët të fitojnë në mënyrë të pandershme. "Pas 20 vitesh do të ma japin atë çmim, pasi në sport nuk ka rëndësi shëndeti i atletëve, ndërsa dopingu që unë prodhoja ishte terapeutik", ishte apeli i bërë nga mjeku i njohur spanjoll, që jeton mes luksit në ishujt Kanarie.

Gjashtëdhjetë çiklistë të përfshirë, hije dyshimi mbi disiplina të tjera dhe emra kampionësh të afirmuar në arenën ndërkombëtare. Ky ishte bilanci i "Operacionit Puerto", një prej skandaleve sportive më të mëdha të viteve të fundit, me një shtrirje mediatike të jashtëzakonshme, ashtu si edhe numri i personave të përfshira. Pas të gjitha këtyre ngjarjeve ishte ai, Eufemiano Fuentes, i cili këshillonte sportistët të përdornin substancat e prodhuara nga ai, të studiuara për t‘iu shmangur kontrolleve antidoping. Doktori i famshëm spanjoll, që thuajse shkatërroi çiklizmin me shpikjet e tij, është një tip shumë i veçantë, pasi mendon se ka bërë një zbulim të rëndësishëm shkencor dhe meriton të marrë çmime prestigjioze për një gjë të tillë. "Pas disa kohësh do të njihen të gjitha meritat e mia, duke më nderuar edhe me ndonjë çmim. Në të kundërt, do të më vrasin. Fiziku i një çiklisti nuk është ndërtuar për të duruar sforcime mbinjerëzore të vazhdueshme për tri javë radhazi. Sporti i niveleve të larta është një botë ku shëndeti i atletëve ka kaluar në planin e dytë. Me mua u sollën si kriminelë. Kur më arrestuan, nuk munda t‘i telefonoj as gruas. Në qeli më hoqën edhe unazën e martesës. Më futën në një dhomë të ngushtë dhe të errët, pa dritare, aq sa nuk kuptoja se sa ishte ora. Por tani gjërat duhet të ndryshojnë dhe të mos lejohen më trajtime të tilla. Duhet të ndahen një herë e mirë substancat që ndihmojnë sportistët nga ato që e shkatërrojnë atletin. Tani janë të gjitha të përziera, ndaj unë "pikturohem" si kriminel", u shpreh Fuentes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›