Trezege: Ne luajmë për titull
Duket se Juventusi nuk do të heqë dorë lehtë nga ëndrra për titullin kampion, ndonëse krahasimi me Interin është aktualisht i parealizueshëm. Por, nga dita në ditë shtohen zërat mes bardhezinjve, që shpresojnë të arritja e këtij objektivi dhe Trezege është i fundit në listën e atyre që besojnë te një gjë e tillë. "Ne do të luajmë shanset tona deri në fund, pasi kur kundërshtarët tanë të jenë të impenjuar në ndeshjet e vështira të Ligës së Kampioneve, gjithçka do të jetë më e komplikuar për ta. Ne do të kemi të gatshëm edhe Kamoranezin, ndërsa do të jemi edhe më të freskët se skuadrat e tjera në Itali. A do shënoj 24 gola në kampionat? Është e vështirë të parashikohet, pasi varet nga forma dhe shokët e skuadrës", u shpreh francezi. Për sa i përket luftës për titull, këtë mendim e ndan edhe trajneri Ranieri. "Nuk them se dëshirojmë të jemi të dytët në renditje. Gjashtë muaj më parë kishim shumë të panjohura, ndërsa tani kemi përpara një situatë më të qartë. Lojtarët e rinj dhe ata të vjetër janë integruar, ndaj mund të besojmë te çdo objektiv", u shpreh trajneri i Juventusit. Ky besim ka shtyrë edhe drejtuesit e skuadrës të përcaktojnë edhe një shpërblim në rast të fitores së Serisë A.