E Diel, 1 Nëntor 2026

Asnjë garanci për jetën e minatorit të plagosur

Minatori i plagosur rëndë, nga shembja e tavanit të galerisë, në nivelin 16-të, të pusit nr.2, mbi 1000 metra nën tokë, në Minierën e Bulqizës, ende nuk ka dalë nga gjendja e komës. Sami Doga, 45 vjeç, baba i tre fëmijëve, që u aksidentua në gjendje të rëndë, nga puna në këtë minierë, gjatë ditës së premte, për mungesë të mjekëve specialistë në spitalin e Bulqizës dhe për marrjen e një ndihme të kualifikuar mjekësore, u dërgua me helikopter në Spitalin Ushtarak Tiranë. Nga njerëz të afërt të të aksidentuarit, mësohet se gjendja e tij shëndetësore vazhdon të mbetet tejet e rëndë. Me gjithë punën e bërë nga mjekët specialistë të këtij spitali, ai ende nuk ka mundur të dalë jashtë rrezikut për jetën. Po sipas familjarëve, mjekët specialistë, kanë konstatuar përveç dy brinjëve të thyera edhe dëmtime serioze në pjesën e legenit, si dhe spostim të rruazave të shtyllës kurrizore. Është pikërisht kjo gjendje e rëndë shëndetësore, e minatorit të plagosur, Sami Doga, që i ka detyruar mjekët e Spitalit Ushtarak, të mos japin asnjë garanci, për daljen e tij jashtë rrezikut për jetën. Madje, mësohet se po shqyrtohet edhe mundësia e transportit të tij, për në ndonjë klinikë edhe më të specializuar jashtë shtetit. Nga burime jozyrtare mësohet gjithashtu se gjendja shëndetësore e minatorit të aksidentuar, mund të jetë rënduar edhe gjatë transportit të tij nga miniera deri te spitali i qytetit, në mungesë të një skuadre avaroshpëtimi, me persona të kualifikuar për të tilla raste. Gjithsesi, përderisa punohet në minierë edhe aksidente do të ketë. Ndaj prezenca e një mjeku, pranë kësaj miniere, ku punojnë 660 minatorë dhe e një skuadre të specializuar avaroshpëtimi, si dhe ajo e mjekëve specialistë ortopedë dhe kirurgë, në spitalin e Bulqizës, mbeten një domosdoshmëri, për shpëtimin e jetëve të minatorëve të aksidentuar. Dje në Spitalin Ushtarak të Tiranës shkoi për të vizituar minatorin e aksidentuar një përfaqësi e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Në përbërje të këtij grupi drejtuesit e PS-së ishin deputetët Erion Braçe, Musa Ulqini, Qemal Minxhozi, Marko Bello dhe Alfred Dalipi. Deputetët e PS-së takuan të afërmit dhe kolegët e të aksidentuarit, të cilëve u shprehën mbështetjen e tyre në këtë rast tragjik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›