Verdhëza, pacientët nderin dorën: Nuk kemi ilaçe
Plot 28 pacientë me Hepatit C prej dy muajsh kanë ndërprerë trajtimin e kushtueshëm vetëm si pasojë e mungesës së ilaçeve. Çdo javë, në drejtorinë e spitalit dhe në Ministrinë e Shëndetësisë, në zyrën që merret me problemet spitalore, përsëritet e njëjta kërkesë: "Na mungojnë ilaçet, problemi nuk mund të zgjidhet me blerje të vogla, pasi medikamenti që përdoret për terapinë e kombinuar të Hepatitit C nuk gjendet në farmacinë e spitalit. Të sëmurët që trajtohen në pavijonin e gastrohepatologjisë prej dy muajsh nuk marrin gjysmën e kurës që shërben për trajtimin e kësaj sëmundje. Janë plot 28 pacientë, të cilët nuk e vazhdojnë normalisht trajtimin për shërbimin nga virusi i Hepatitit C. Duke mos pasur asnjë rrugëzgjidhje tjetër, gjatë kësaj periudhe janë ankuar sa në dyert e drejtorisë së spitalit, sa në dyert e Ministrisë së Shëndetësisë. Edhe pavijoni i gastrohepatologjisë ka bërë më shumë se 4 kërkesa deri tani për furnizimin me këtë medikament, por pavarësisht kësaj nuk është arritur asnjë zgjidhje. Mungesat nuk mund të zëvendësohen me blerje të vogla, pasi shuma e 400 mijë lekëve të reja, që ligji ka përcaktuar për blerje të vogla, nuk u mjafton as edhe 4 pacientëve. Vlera e medikamentit është tepër e shtrenjtë. Pacientët që trajtohen me Hepatit C marrin të kombinuar dy lloje medikamentesh, pegasys interferon dhe copegus. Ndërsa pegasys është tenderuar në qershor të 2007-ës dhe është siguruar për 40 pacientë, copegus nuk ka mbërritur në spital. Sipas mjekëve, raporti i këtyre dy medikamenteve për kurën e sëmundjes është një pegasys dhe 4 copegus. Blerja e fundit që është bërë për këta pacientë ka qenë vetëm 1200 copegus, të cilat, pjesëtuar në katër, nuk janë mjaftueshëm as për një periudhë shumë të shkurtër trajtimi. Për secilin pacient, një trajtim me të dy barnat kap shifrën e 1400 eurove në muaj. Secilit pacient i duhet 6 deri në 12 muaj për t‘u trajtuar, kjo varet nga fenotipi. Nëse genotipi është 2 ose 3, atëherë pacienti do të trajtohet për 6 muaj, nëse genotipi është 1, atëherë pacienti do të marrë medikamentet për 12 muaj rresht. Efektshmëria e ilaçeve nëse nuk i përdor të dyja zbret me 30 për qind. Kjo do të thotë se për "zhdukjen" e virusit të Hepatitit C, nga 70 për qind që është probabiliteti për t‘u shëruar nëse përdoren të dyja medikamentet, kemi ulje të këtij efekti në masën 30 për qind. Kështu, të 28 pacientët, të cilët prej një muaji e gjysmë kanë ndërprerë terapinë, kanë më shumë se 30 për qind probabilitet për të ulur shkallën e efektshmërisë së trajtimit të sëmundjes, pa llogaritur këtu shtimin e kostos së trajtimit për të arritur synimin kryesor: shërimin nga sëmundja.
Problemi i mungesës së ilaçit ka ardhur si pasojë e mosblerjeve të mëdha me anë të tenderimit.
Problemi
Të afërmit e pacientëve i dërgojnë SMS ministrit
Një nga të afërmit e një të sëmuri me Hepatit ka guxuar t‘i dërgojë ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka, një SMS në telefonin e tij personal. I afërmi i ka sqaruar saktësisht problemin me mungesën e ilaçeve në QSUT dhe ndërprerjen e trajtimit të të sëmurëve. Ministri i ka kërkuar të afërmit sqarime të mëtejshme, duke kërkuar ngërçin e problemit dhe më pas ka shfaqur mirëkuptimin për ndërhyrjen e tij, për zgjidhjen e problemit.
Problemi kryesor është se ndërprerja e ilaçit ndikon negativisht në trajtimin e sëmundjes dhe njëkohësisht në uljen e efektshmërisë së terapisë.