MASH-i pranon: S‘kishim eksperiencë, vonuam rimbursimin e librave
Tekstet shkollore do të rimbursohen në fund të vitit. Kjo është përgjigjja që morëm nga Drejtoria Arsimore. Justifikimi për këto vonesa është mungesa e përvojës. Ishte hera e parë që aplikohej subvencionimi i teksteve shkollore në këtë mënyrë dhe për këtë arsye u vonua procedura e verifikimit të faturave dhe rimbursimi i tyre, shpjegoi për "Fiks Fare" z. Agim Duka, kryetar i bordit të miratimit të teksteve. Sot, prindërit e nxënësve me faturat apo copat e letrës së lëshuar nga libraritë në duar përplasen sa nga një institucion te tjetri dhe asgjëkund nuk gjejnë zgjidhje. Askush nuk pranon që t‘u rimbursojë qoftë edhe një pjesë të shpenzimeve që kanë bërë për blerjen e teksteve shkollore të fëmijëve të tyre.
Në Drejtorinë Arsimore të Tiranës, përgjegjësi i sektorit ekonomik dhe administrativ, Kalosh Ferati, pranon përpara kamerës se afati i kthimit të lekëve për blerjen e teksteve shkollore ka kaluar. "Sektori ekonomik në Drejtorinë Arsimore të Tiranës i duhet pak kohë për të kontrolluar faturat nga ana aritmetike". Sipas tij, një pjesë e madhe e faturave të teksteve shkollore të lëshuara nga libraritë apo pikat e tjera ku janë shitur tekstet shkollore, janë të plotësuara gabim. Madje, në shumë prej tyre ka edhe mbledhje aritmetike gabim. Sipas zotit Ferhati, në një kohë kur Drejtoria Arsimore e Tiranës merret me verifikimin e këtyre faturave, afati për rimbursimin e shpenzimeve të teksteve shkollore ka kaluar. Por ai premton përpara kamerës së emisionit "Fiks Fare" se në fillim të javës së ardhshme do të merret një vendim për shtyrjen e afatit të rimbursimit të faturave të teksteve shkollore.
Po kështu, edhe kryetari i bordit të miratimit të teksteve shkollore premton se subvencionet për tekstet shkollore do të shpërndahen. Ai shpjegon se të gjitha këto vonesa erdhën për shkak të ngarkesës së madhe që patën një pjesë e librarive, ndërkohë që një pjesë e madhe për momentin nuk lëshuan fatura.
"Është ndërhyrë, nga ana jonë, që ato të rregullohen dhe të jenë fatura të rregullta tatimore. Ishte hera e parë që subvencioni shpërndahej në mënyrë të tillë dhe patëm vështirësi të tjera të anës fiskale. Kjo është arsyeja që ka pasur një shtyrje të subvencionit. Subvencioni do të shpërndahet këto ditë", premtoi kryetari i bordit të miratimit të teksteve shkollore në emisionin e djeshëm "Fiks Fare".