E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritja e çmimeve nuk ndalet

Në prag të festave të fundvitit, çmimet e produkteve ushqimore dhe artikujve industrialë janë rritur, ndonëse strukturat e policisë tatimore janë angazhuar për të parandaluar ngritjen e tyre. Kryetari i degës rajonale të tatim-taksave në Durrës, Agron Kaja, tha për "SHQIP" se kontrollet e punonjësve tatimorë nuk synojnë të ndërhyjnë në rregullat e ekonomisë së tregut, po të parandalojnë fenomenet abuzive që shfaqen në treg duke ushtruar kompetencat e tyre. Rritja e çmimeve nga subjektet tregtare është konstatuar gjatë ditëve të para të aksionit tatimor dhe ajo do të pasohet me rritje të tatimit për vitin në vazhdim. Ky do të jetë ndëshkimi që do të marrin subjektet bazuar në evidentimin e xhiros së bërë në një nga ditët e këtij dhjetori që ka regjistruar të tjera rritje çmimesh në treg. Kaja sqaron se do të tatohen tregtarët kur bëjnë rritje abuzive të çmimeve dhe jo rastet kur çmimet ndryshojnë që në mbërritjen e tyre në vend: "Duhen parë dhe çmimet që vijnë nga doganat". Me gjithë nismën e marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave, afrimi i festave ka dhënë efektet e tij negative në treg, si çdo vit. Frutat dhe perimet kanë njohur në mënyrë progresive rritje të tyre nga 5-15 për qind për çdo produkt që tregtohet në tregun e Durrësit. Jo vetëm këta artikuj, por dhe produktet e tjera ushqimore, kanë njohur një ngritje të lehtë duke lënë të pakënaqur konsumatorët durrsakë dhe veçanërisht pensionistët. "Çdo ditë çmimet ndryshojnë. Mandarinat, mollët, trangujt e domatet ngrihen përditë. Asnjë nuk ndërhyn. Kudo në botë për festat e Bajramit, Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri bien, te ne ndodh e kundërta, sepse nuk kemi shtet", dëgjohet ankimi i përvitshëm i qytetarëve. Ndërkohë, nisma e tatimorëve duket se nuk i ka dhënë efektet e saj në parandalimin e rritjes abuzive të çmimeve. Kreu i tatimorëve durrsakë shprehet se aksioni në terren nuk duhet të përqendrohet vetëm te dega e tatim-taksave, e cila nuk ka organikën e nevojshme për të kontrolluar të gjithë tregun sot. "Është e vështirë ta bësh këtë me një strukturë prej 8 vetash që nuk duhet të anashkalojë as detyrat e tjera të saj. Bashkia, në varësi të së cilës ka kaluar biznesi i vogël zotëron më shumë potencial për ta bërë këtë, bashkë me ne", thotë Kaja. Tatimorët e Durrësit çdo ditë inspektojnë tregjet e shumicës dhe pakicës duke bërë konstatimet përkatëse dhe ky aksion do të vazhdojë deri më 31 dhjetor, ndërsa tregtarët abuzues do t‘i ndiejnë efektet e tij, sipas Kajës, gjatë muajit janar dhe në vazhdim kur do t‘u duhet të shlyejnë detyrime më të larta të përllogaritura në bazë të xhiros së bërë dhe të konstatuar nga tatimorët në një nga këto ditë dhjetori. Ndërkaq dje, në degën e Durrësit ka mbërritur dhe memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar mes Tatim-Taksave dhe Drejtorisë së Kontrollit Ushqimor që siguron të vejë nën kontroll dhe abuzimet me cilësinë e ushqimeve në festat e fundvitit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›