E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregues të ulët, Tepelena, Lushnja, Shkodra

Për dy muaj me radhë, plot 12 spitale në vend janë "testuar" për cilësinë që ata u ofrojnë pacientëve. Vlerësimi është bërë nga Qendra e Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore. Ata u kanë dërguar spitaleve 17 standardet përkatëse dhe më pas ata kanë arritur të shohin se cilat janë kushtet që plotësojnë dhe ato që nuk i plotësojnë. Po ashtu, për cilësinë dhe shërbimet që ofrojnë 12 spitale të vendit janë pyetur edhe vetë pacientët. Konkretisht, në çdo spital janë shpërndarë nga 100 pyetësorë për të sëmurët. Pyetjet e anketës kërkonin nga pacientët të jepeshin mendimet e tyre personale lidhur me kujdesin e infermierit, kujdesin nga mjekët, kushtet e ambientit spitalor, vazhdimi i kujdesit pas daljes nga spitali, niveli i spitalit. Shkodër, Peshkopi, Burrel, Durrës, Berat, Korçë, Elbasan, Gjirokastër, Sarandë, kanë qenë qytetet ku është shpërndarë pyetësori.

Sipas grafikëve, në shumicën e rasteve vazhdimësia e kujdesit, pasi pacienti kishte dalë nga spitali, nuk ishte e niveleve të larta.

Kujdesi i mjekëve dhe i infermierëve ndaj pacientit nuk ka ndonjë ndryshim shumë të madh. Sipas pacientëve, në disa raste shëbrimi ka qenë më i mirë nga ana e infermierit, në spitale të tjera ka rezultuar që më i kujdesshëm se inferieri ka qenë mjeku. Më pak përgjigje pozitive janë dhënë për ambientin spitalor apo kushtet e infrastrukturës. Qendra Kombëtare e Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore gjatë zhvillimit të konferencës II "Përmirësimi i cilësisë në institucionet shëndetësore", publikoi në studimin mbi opinionin e pacientit në tetë spitalet e Shqipërisë disa të dhëna cilësore. Rezultate paraprake të këtij raporti të marra përmes pyetësorëve, konstatuan se vlerësimi i pacientëve për cilësinë e shërbimit në tetë spitalet në vend ishin thuajse në të njëjtat nivele për të gjitha rrethet pjesëmarrëse. Të dhënat e anketimit të qytetarëve vlerësuan se niveli i shërbimit infermieror paraqitet i ulët në spitalin e qytetit të Tepelenës, Lushnjës dhe Shkodrës. Ndërsa, treguesi për kujdesin e mjekëve, u vlerësua i ulët nga pacientët në spitalin e Beratit, Shkodrës dhe Tepelenës. Lidhur me eksperiencën e ambienteve të spitaleve, opinioni i qytetarëve i ka vlerësuar si jo të kënaqshme godinat e spitalit të Tepelenës, Shkodrës dhe Lushnjës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›