Faturat me gabime, problem subvencioni i testeve në Tiranë
Sapo ka nisur shpërndarja e parave të librave shkollorë. Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se më në fund prindërit do t‘i marrin paratë e teksteve që blenë për fëmijët në fillim të vitit shkollor. Por jo të gjithë do të përfitojnë nga ky subvencion. Të gjithë ata që nuk disponojnë një faturë të teksteve apo ata që nuk kanë dorëzuar faturë të rregullt nuk përfitojnë. Autoritetet pranojnë se ka pasur mjaft probleme në mbledhjen e faturave në qytetin e Tiranës, ku fluksi i shitjeve ishte i madh. Këto para shkojnë si një dhuratë për vitin e ri në llogarinë bankare të prindërve që kanë fëmijë në shkollë. Janë bërë plot katër muaj që nga koha kur ata shpenzuan për librat.
Drejtori i bordit të teksteve në Ministrinë e Arsimit, Agim Duka, deklaron se "fondi i shtetit për tekstet ka nisur të lëvrohet. Pra, në fillim të kësaj jave kushdo që ka lënë në shkollë numrin e llogarisë apo adresën e shtëpisë duhet t‘i kontrollojë, pasi mund të kenë mbërritur paratë e librave. "Janë dy rrugë shpërndarjeje me bankë dhe me postë", shpjegon Duka. Sipas tij, Ministria e Arsimit është bazuar në faturat që shkollat kanë dorëzuar për të hedhur edhe lekët në qarkullim. Pyetjes se a do të shkojnë këto para te çdo prind që ka blerë libra anembanë vendit, ai i përgjigjet se "MASH-i ka respektuar procedurat, duke derdhur paratë në ato numra llogarie që vetë nxënësit kanë paraqitur në shkollë. Por vetëm nxënësit që kanë pasur një faturë tatimore të blerjes së librave". Kjo do të thotë se të gjithë ata që i kanë blerë librat pa faturë apo i kanë blerë kundrejt një fature të thjeshtë nuk mund të rimbursohen. Sipas MASH-it, ky nuk është problemi i këtij institucioni por i librashitësve dhe botuesve që nuk i kanë pajisur të gjithë nxënësit me fatura. Në fakt ky nuk është një problem i ri, pasi që ditën e parë të daljes në treg të librave, faturat mungonin. Vetë shteti ishte i papërgatitur. Nuk kishte prodhuar aq fatura tatimore sa duheshin për tregun e librit. Në këto kushte, zgjidhja imediate e botuesve ishte pajisja e nxënësve me një faturë të thjeshtë dhe kundrejt saj, më vonë, nxënësit duhet të riktheheshin në librari për të marrë faturën e saktë. Por, sa nga këta prindër e ndoqën këtë rregull dhe rregullat e tjera të MASH-it do të shihen kur të shpërndahen paratë. Gjithsesi, ajo çka thonë drejtuesit e gjimnazeve në Tiranë është se kanë pasur mjaft probleme, edhe për faktin se nxënësit nuk i kanë gjetur librat në një librari, por i kanë mbledhur ato në të ndryshme. Kështu, nuk kanë edhe fatura të sakta. Një problem tjetër është përllogaritja gabim e çmimit, për të cilin ato janë detyruar të ndërhyjnë. Deri ditën e premte asnjë nxënës nuk pohoi të kishte marrë paratë e librave. Të gjithë u shprehën se "iu kanë thënë në shkollë se do t‘i tërheqin, por prindërit ende nuk i kanë marrë ato". Gjithsesi, MASH-i garanton se drejtoria e saj ekonomike i ka kryer të gjitha procedurat dhe së shpejti lekët e teksteve shkojnë në destinacion, te prindërit që shpenzuan nga buxheti i tyre familjar për librat e fëmijëve, që deri një vit më parë i merrnin falas.