Banorët e Bathores 5 ditë pa ujë të pijshëm
Banorët e Bathores kanë mbetur plot 5 ditë pa furnizim me ujë të pijshëm. Një pjesë e mirë e kësaj zone ka mbetur pa ujë për një periudhë kaq të gjatë kohore vetëm si pasojë e mosrakordimit të punës nga ana e pushtetit vendor. Meqenëse zona e Bathores është e mbipopulluar, një zgjidhje që është gjetur për rregullimin e problemeve është edhe blerja e një pjese të ujit të pijshëm nga ana e bashkisë. Me kalimin e kompetencave dhe përgjegjësive mbi menaxhimin e ujit të pijshëm nga Ujësjellësi në bashki, kanë nisur edhe problemet e para. Megjithëse Ujësjellësi ka dhënë ujë sipas marrëveshjes mes këtij sektori dhe bashkisë, përsëri kjo e fundit nuk i ka shlyer detyrimet kundrejt Ujësjellësit.
Por, për Kanalizimet kjo ka qenë arsye për të ndërprerë rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e Bathores.
Banorët e kësaj zone në periferi të Tiranës janë shumë të revoltuar, jo vetëm për ndërprerjen dhe mosfurnizimin me ujë për një kohë kaq të gjatë, por njëkohësisht edhe për moskorrektesën e pushtetit vendor, pas pagesave të rregullta të faturave të ujit, që bëjnë një pjesë e mirë e banorëve të kësaj zone. Sipas banorëve, me kalimin e kompetencave nga Ujësjellësi në bashki, ky vendim ka krijuar edhe neglizhencën nga ana e pushtetit vendor.
Problematike është dhe fakti që në të njëjtën kohë edhe çezmat publike që ndodhen në qendër të zonës nuk kanë pasur asnjë pikë ujë për banorët. Pavarësisht ankesave të bëra në adresë të Ujësjellësit dhe bashkisë së kësaj zone, deri tani nuk është dhënë asnjë përgjigje zyrtare dhe banorët nuk e dinë se deri kur do të vazhdojë kjo situatë. E njëjta mungesë uji ka qenë shqetësuese për Bathoren pesë muaj më parë, në një kohë kur temperaturat ishin 40 gradë Celsius. Banorët e Bathores u ngritën në protestë duke bllokuar akset qendrore rrugore, deri sa problemi u zgjidh në fillim me vendosjen në punë të çezmave publike në këtë zonë. Bashkë me Bathoren, mungesën e ujit e vuan edhe një pjesë e zonës periferike të Paskuqanit.