E Diel, 1 Nëntor 2026

Festa kthehet në mort, vdesin 16 vetë

Zemërimi i liqenit i merr jetën 16 njerëzve, duke mos kursyer as burra, as gra e as fëmijë. 16 "fatkeqë" kanë provuar vdekjen më të tmerrshme mesnatën e djeshme, natë e cila nuk do të dalë lehtë nga kujtesa e të gjithëve. Kjo tragjedi e rëndë ka mbuluar pesë familje me të zeza, e bashkë me ta gjithë Shqipërinë. Ata ishin nisur për të festuar... Ditëlindje, fejesë, gëzim familjar, të gjitha bashkë, por për ta ka qenë darka e fundit. Xhaxhai kishte marrë dy varëse floriri në xhepin e xhupit për dy nipërit binjakë, ndërsa dhëndri i ri mbante nusen në krahë për ta mbrojtur nga i ftohti i lig i liqenit. E ashtu, të gjithë bashkë, si një familje e madhe, 19 persona kanë hipur në varkën e vdekjes, që me të, të kalonin anën tjetër të liqenit. Ata po ktheheshin, do iknin nën shtëpi, pas një darke që kishin organizuar në një restorant në anë të liqenit të Farkës, fshat në periferi të Tiranës. Për t‘i mbajtur të bashkuar, pronari i lokalit i ka vënë të gjithë në një varkë, që mund të mbante vetëm shtatë a tetë prej tyre. Por varka nuk ishte me ta. Varka i përkiste liqenit, atij që do të shfaqte tërbimin e tij, duke mos kursyer edhe dy binjakët, të cilët ishin vetëm tre vjeç. Varka ka nisur të fusë ujë, që kur anëtarët e pesë familjeve janë nisur nga një breg i liqenit për të kaluar në bregun tjetër. Varkëtari ka ndezur motorin dhe është nisur për të kaluar në anën tjetër, por varka sërish fuste ujë. 19 të pranishmit në bord kanë filluar të ndiejnë frikë, ndërsa fëmijët e vegjël kanë nisur të qajnë. Por, pas disa minutash lundrim, për shkak të mbingarkesës, motobarka është përmbysur dhe të gjithë personat kanë rënë në ujë. Në atë kohë, një klithmë ka zgjuar qetësinë që kishte pllakosur liqenin. "Ndihmë"! Një zë ka dalë nga sipërfaqja e liqenit dhe ka kërkuar ndihmë. Sapo tingulli ka mbërritur në breg, drejt varkës së përmbytur është nisur një varkë tjetër. Varkat, sa më shumë afroheshin, aq më shumë dëgjoheshin zërat e tmerruar të njerëzve. Në atë kohë ka rënë edhe telefoni i policisë, ku një zë gruaje ka treguar se një varkë e mbushur me rreth njëzet persona po mbytej në liqenin e Farkës. Policia është nisur urgjentisht për në vendin e ngjarjes që të ndihmojë ata njerëz në nevojë. Por, çdo veprim ka qenë i vonë për 16 prej tyre. Varka e vdekjes u ka marrë jetën. Ajo ishte mbështjellë me plastmas, që të mbronte njerëzit nga shiu, por pikërisht ai i ka ndaluar edhe të jetojnë. Varka ishte përmbysur me të gjithë njerëzit brenda, të cilët janë penguar edhe nga plastmasi për të dalë në sipërfaqe. Kanë luftuar për të marrë frymë, kanë luftuar me plastmasin, me njëri-tjetrin, me ujin, me vdekjen, por nuk ia kanë dalë mbanë. Vetëm tre prej tyre kanë dalë në sipërfaqe. 16 të tjerë, tetë nga familja Osmani, tre nga familja Hysa, dy nga familja Blamo, dy nga Spahiu dhe pronari i lokalit kanë ndërruar jetë në ujërat e liqenit të Farkës. Tragjedia është ulur këmbëkryq në mes të liqenit, kur ishte mesnatë. Ora shënonte pikërisht 00.05 kur u njoftua policia. Pas njoftimit, menjëherë në vendngjarje shkuan forcat speciale të policisë, të cilët u munduan të shpëtonin sa më shumë jetë. Por, vetëm tre! Vetëm tre vetë kanë mbijetuar. Kanë mbijetuar për të treguar tmerrin dhe vdekjen e 16 familjarëve të tjerë, për të treguar tragjedinë që mbuloi në zi familjet e tyre, të afërmit, shoqërinë e gjithë shqiptarët. Nën drejtimin e drejtorit të Policisë së Tiranës, Muhamet Rrumbullaku, në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet e policisë, si dhe Reparti i Zhytjeve të RENEA-s, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, me synim për t‘ju ardhur në ndihmë personave, të cilët po mbyteshin. Por, me gjithë fillimin e operacionit të kërkim-shpëtimit, të organizuar nën praninë e zv/ministrit Gent Strazimirit, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençit dhe skuadrave të shpëtimit të Batalionit Special të Ushtrisë, fatkeqësisht ka qenë e pamundur shpëtimi i viktimave, pasi gjithçka ka ndodhur brenda pak minutave, duke i dhënë fund një nate të gjatë tragjike, tmerri e dhimbjeje.

Deklarata

Policia e Tiranës jep versionin zyrtar të ngjarjes tragjike në Farkë

Hetimi i policisë: Mbytja e varkës ndodhi për shkak të mbingarkesës

Policia e Tiranës ka nisur një hetim për dokumentimin e kësaj tragjedie, ku gjetën vdekjen 16 persona. Sipas burimeve zyrtare, paraprakisht mendohet se përgjegjës për këtë tragjedi ka qenë pronari i lokalit, Afrim Dibra, i cili ka gjetur vdekjen bashkë me personat e tjerë. Policia tha se në orën 00.05 të datës 06 mars 2008, shërbimet e policisë u njoftuan nëpërmjet sallës operative, nga një telefonatë e kryer prej një shtetase, për dhënie ndihmë të disa personave, të cilët po mbyteshin në liqenin e Farkës. "Për këtë ngjarje të rëndë aksidentale, të ndodhur dje në liqenin e Farkës, informojmë se nga ana e strukturave të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, menjëherë pas ngjarjes është ngritur menjëherë puna nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtim të zbardhjes së shkaqeve dhe të rrethanave të saj. Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se 19 persona, të cilët kaluan natën e mbrëmshme, duke darkuar në lokalin bar-restorant ‘Liqeni‘, kanë lundruar me mjetin motobarkë për të kaluar në breg të liqenit", tha policia. Po sipas tyre, pas disa minutash lundrim, për shkak të mbingarkesës, motobarka është përmbysur dhe të gjithë personat kanë rënë në ujë, ku 16 prej tyre nuk kanë mundur t‘i shpëtojnë vdekjes dhe vetëm 3 persona kanë arritur të mbijetojnë. "Më tej, duhet të themi se shtetësia Erjona Afrim Dibra, 19 vjeçe, e bija e pronarit të bar-restorant ‘Liqeni‘, nuk ka qenë pjesëtare në motobarkë, por gjatë momentit kur familjarët dhe i ati kanë kërkuar ndihmë, kjo e fundit është afruar me një mjet tjetër lundrues për t‘ju ardhur në ndihmë", detajoi policia. Më tej, uniformat blu thanë zyrtarisht se të 19 personat në barkë, e cila ishte me një kapacitet normal për të transportuar 5 deri në 7 pasagjerë, ka sjellë dhe përmbysjen e menjëhershme të saj, duke shkaktuar mbytjen brenda pak minutave të 16 personave. Personat e mbijetuar u dërguan menjëherë në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza", për t‘iu dhënë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe aktualisht ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore pranë banesave të tyre, qysh në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme. "Policia e Tiranës, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e emergjencave civile, qendrat spitalore, si dhe me Institutin e Mjekësisë Ligjore, kanë marrë të gjitha masat administrative dhe teknike për t‘iu ardhur në ndihmë familjarëve të kësaj tragjedie, si në drejtim të ndihmës mjekësore pranë vendbanimeve të tyre, ashtu dhe të transportit të kortezheve në drejtim të Beratit dhe të Tiranës, të familjarëve e persona, të cilët nuk mundën t‘i mbijetojnë kësaj fatkeqësie", përfundoi Policia e Tiranës, duke u shprehur ngushëllimet e tyre familjeve të viktimave. Ble. Gi.

Lista e të mbyturve dhe të mbijetuarve nga tragjedia e djeshme

Të mbytur

Pranvera Blamo, 50 vjeçe, lindur e banuese në Berat

Erion Blamo, 20 vjeç, lindur e banues në Berat

Pëllumb Hysa, 53 vjeç, lindur e banues në Berat

Majlinda Hysa, 46 vjeçe, lindur e banuese në Berat

Alban Hysa, 21 vjeç, lindur e banues në Berat

Aurela Osmani, 30 vjeçe, banuese në Tiranë

Halil Osmani, 62 vjeç, banues në Tiranë

Hatixhe Osmani, 56 vjeçe, banuese në Tiranë

Eliona Osmani, 47 vjeçe, banuese në Tiranë

Alket Osmani, 29 vjeç, banues në Tiranë

Saikida Osmani, 25 vjeçe, banuese në Tiranë

Ejsi Osmani, 3 vjeç, fëmija i Alket e Saikida Osmanit

Rei Osmani, 3 vjeç, fëmija i Alket e Saikida Osmanit

Thëllëza Spahiu, 46 vjeçe, Tiranë

Arlind Spahiu, 20 vjeç, Tiranë

Afrim Dibra, 43 vjeç, Tiranë

Të mbijetuar

Beqir Sinani, 28 vjeç, lindur e banues në Elbasan

Luena Behar Spahiu, 20 vjeçe, lindur e banuese në Tiranë

Romina Pëllumb Hysa, 17 vjeç, lindur e banuese në Berat

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›