BE hap dritën jeshile për misionin në Kosovë
Vendet e Bashkimit Evropian i hapën juridikisht "dritën e gjelbër" misionit të ngarkuar me pilotimin e pavarësisë së Kosovës, pa saktësuar datën e nisjes efektive të tij, sipas burimeve diplomatike. Kryeqytetet e 27 vendeve anëtare i dhanë zyrtarisht aprovimin e modaliteteve të misionit të aprovuara tashmë të premten nga ambasadorët e tyre pranë Bashkimit Evropian, saktësuan këto burime. Ky mision prej afro 2 000 vetash, kryesisht policë dhe juristë, do të niset vetëm pasi të marrë sinjalin e nisjes, një vendim që ka nevojë "në parim" për një takim të ministrave evropianë të Punëve të Jashtme, tha një nga këto burime. Takimi i ardhshëm i ministrave është parashikuar për më 18 shkurt në Bruksel. "Kjo dritë e gjelbër" e BE-së vjen të nesërmen e rizgjedhjes në Presidencën serbe të proevropianit Boris Tadiç, ndërsa një shpallje e pavarësisë së Kosovës pritet gjatë muajit shkurt. Komisioneri evropian për Zgjerimin, Oli Rehn, deklaroi se Bashkimi Evropian është i gatshëm që të dërgojë misionin civil në Kosovë dhe të marrë përgjegjësinë për gjendjen në Kosovë. Ai tha për gazetën "Economist" të Podgoricës se zgjidhja e statusit të Kosovës do të përfundojë nëpërmjet procesit të koordinuar dhe të udhëhequr me kujdes nga Bashkimi Evropian. Rehn hodhi poshtë mundësinë e paraqitjes së sindromit të lindjes së shteteve të vogla në Ballkan pas shpalljes së mundshme të pavarësisë së Kosovës. I pyetur se çfarë mesazhi ka për shqiptarët e Kosovës pas zgjedhjeve në Serbi, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Havier Solana, tha se "ai nuk mund t‘i japë mesazhe askujt" dhe se "zgjidhja për Kosovën duhet të gjendet", pa shtyrje të madhe, "por me qëllim stabiliteti në Ballkan". Ndryshe Solana ka shprehur kënaqësinë për fitoren e Tadiçit në Serbi dhe se kjo është një sukses i madh për Tadiçin dhe popullin në Serbi. Shefi i diplomacisë gjermane, Frank Valter Shtajnmajer, në një intervistë për të përditshëm e Dyseldorfit "Handelsblat", me rastin e zgjidhjes së statusit të Kosovës, ka thënë se historia nuk mund të ndalet. "Ne kemi dashur zgjidhje të përbashkët më Serbinë, por kjo nuk ka ndodhur. Tash ne nuk mund të ndalim rrjedhën e mëtejme të historisë, ka thënë shefi i diplomacisë gjermane. Shefi i diplomacisë sllovene, Dimitrij Rupel, ka deklaruar se nuk beson që Kosova menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale në Serbi do të shpallë pavarësinë. I Pyetur nëse Sllovenia ndoshta e para do të njohë Kosovën, gjë që është thënë me publikimin e shënimeve diplomatike nga Uashingtoni nga fundi i vitit të kaluar, Rupel është përgjigjur duke thënë se shënimet vetëm dëshmojnë që Lubjana zyrtare me shtetet e ndryshme zhvillon bisedime, dhe se kurrsesi nuk bëhet fjalë se në mënyrë sovrane nuk zhvillon politikën e saj të jashtme.