E Diel, 1 Nëntor 2026

Tokat në Lezhë, 2.5 milionë USD abuzime

Pesë persona kanë përfunduar në prangat e policisë së Lezhës dhe dy të tjerë janë në procedim penal në gjendje të lirë për abuzime me trojet në bregdetin e Shëngjinit. Zana Dema me profesion notere, Pjetër Miloti, ish-punonjës i zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme në Lezhë dhe aktualisht avokat, Gjergj Paloka, Vasel Milaj dhe Ardian Colaj, pronarë toke, janë arrestuar, pasi kanë mashtruar në shitblerjen e një sipërfaqeje prej 101 dynymë në bregdetin e Shëngjinit. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bënë të ditur se noterja, avokati, si dhe tre qytetarët nga Lezha u arrestuan të hënën gjatë operacionit të koduar "Shitja e fundit". Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë abuzuar me shitjen e një sipërfaqeje toke në zonën turistike të Shëngjinit. Sipas informacioneve zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, mësohet se noterja Zana Dema, 51 vjeçe dhe Pjetër Miloti, 49 vjeç, ish- punonjës i zyrës së regjistrimit të pasurive dhe aktualisht avokat, të dy me banim në qytetin e Lezhës, akuzohen për shpërdorim të detyrës dhe falsifikim të dokumenteve në shitjen e tokave në zonën turistike të bregdetit të Shëngjinit". Për të njëjtin rast, policia tha se ka vënë në pranga dhe shtetasit Gjergj Palokaj, 56 vjeç, Ardian Colaj, 39 vjeç dhe Vasil Milaj, 48 vjeç, të cilët akuzohen të kenë falsifikuar dokumentet për një sipërfaqe toke prej 101 dynymësh në zonën turistike të Shëngjinit. Burimet nga grupi hetimor në policinë lokale shtuan se bëhet fjalë për hartimin e një akti noterial të falsifikuar, me qëllim përfitimin e paligjshëm të sipërfaqes së tokës. Mësohet se në këtë rast abuzimi janë përfshirë dhe shtetasit Tonin Prendi, 49 vjeç dhe Mark Lleshi, 49 vjeç, ish-regjistrues në ZRVPP Lezhë, të cilët do të ndiqen në gjendje të lirë. Ndërkohë, policia ka zbuluar se përvetësimi i truallit është realizuar në vitin 2005 me ndihmën e noteres dhe ish-regjistruesit. Kjo i ka kushtuar shtetit një dëm që llogaritet në pesë milionë dollarë. Burimet policore shtuan se hetimet për këtë rast kishin nisur prej disa muajsh me marrjen e disa denoncimeve kundrejt të arrestuarve të djeshëm. Më pas, policia ka përdorur metodat speciale të hetimit dhe përgjimit për të zbuluar të gjithë bashkëpunëtorët. Si përfundim, dy net më parë ka nisur operacioni i koduar "Shitja e fundit", që u shtri gjatë orëve të natës së të dielës dhe mëngjesin e djeshëm. Në vijim të hetimeve është vendosur që ish-drejtori i zyrës së regjistrimit të pasurive në Lezhë, të procedohet penalisht në gjendje të lirë. Tashmë, policia ka nisur verifikimet për të zbuluar pozicionet e gjithsecilit prej të arrestuarve dhe për të vendosur nëse ky ishte një grup kriminal, apo ata thjesht do të akuzohen për bashkëpunim në abuzimin me shitblerjen e trojeve.

Takimi

Ministri Alibeaj kritikoi noterët

Kritika për noterët shqiptarë ka bërë para pak ditësh edhe ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. "Gjendja e noterisë nuk është nga më optimalet, nuk është nga më të shëndetshmet. Nuk duhet të ndodhë që atë që konsiderohet garant i vërtetësisë, si garant i një identiteti, në shumicën e rasteve të bëhet shkak për konflikte, qoftë edhe gjyqësore", kritikoi Alibeaj në një seminar të organizuar nga Dhoma e Noterisë. Ai u është drejtuar noterëve me tone të qeta, kritikuese, por në të njëjtën kohë i ka ftuar të bashkëpunojnë për të ndryshuar imazhin e noterisë në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›