Rama i shkruan letër Tadiçit
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, iu drejtua dje përmes një letre Presidentit të Republikës së Serbisë, Boris Tadiç. "Më lejoni t‘ju përgëzoj dhe t‘ju përcjell urimet dhe sukseset më të mira me rastin e rikonfirmimit tuaj për një mandat tjetër", shkruan Rama. Ai rikonfirmoi qëndrimin e Partisë Socialiste, e cila vazhdon të mbetet një forcë e angazhuar dhe mbështetëse e bindur e idesë për një Ballkan të integruar në Bashkimin Evropian dhe NATO. "Ku Shqipëria, Serbia dhe Kosova, si vende të lira e demokratike, do të ndajnë e mbrojnë, së bashku me të gjithë vendet e tjera, parimet dhe vlerat e botës demokratike", vijon letra. Rama fton Tadiç që ëndrrat e popujve tanë të mbizotërojnë ndaj kujtimeve të së shkuarës. Sakaq, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, vlerësoi se suksesi i forcave reformatore ishte shumë i vështirë, por edhe shumë historik për vetë të ardhmen e këtij populli. Sipas Metës, këto zgjedhje shënojnë një hap të rëndësishëm të Serbisë drejt integrimit evropian, si dhe krijojnë mundësi të reja të bashkëpunimit të gjerë midis vendeve të rajonit tonë, ndonëse ato nuk ndikojnë aspak në procesin e pavarësimit të Kosovës, proces tashmë i pakthyeshëm. Meta insistoi se gatishmëria e lartë e BE-së për të rritur në një nivel të ri marrëdhëniet e gjithanshme me Serbinë, ka luajtur një rol domethënës në këtë zgjedhje të rëndësishme të popullit serb për të ardhmen e tij. "Zgjedhjet e djeshme dhe fitorja e Presidentit Tadiç janë një mundësi më shumë për Serbinë për t‘u komportuar me pavarësinë e Kosovës nga një qasje dhe perspektivë evropiane, duke kontribuar kështu në forcimin e paqes, të stabilitetit dhe duke maksimizuar të gjitha potencialet zhvillimore të rajonit tonë", theksoi Meta.