E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bashkia padit qeverinë për Liqenin

Diga e Liqenit Artificial të kryeqytetit është bërë shkak për një konflikt të ri midis Bashkisë së Tiranës dhe Këshillit të Ministrave, konflikt i cili ka kaluar për t‘u zgjidhur në dyert e Gjykatës së Shkallës së Parë. Bashkia ka ngritur një padi me objekt shfuqizim akti administrativ, si dhe pezullimin e zbatimit të tij. Dje është hedhur shorti sipas të cilit këtë çështje do ta gjykojë gjyqtarja Ariana Caco. Historia e përplasjes së re duket se ka nisur në muajin maj të vitit të kaluar kur me një vendim numër 281 të Këshillit të Ministrave diga e Liqenit Artificial të Tiranës i ka kaluar në pronësi bashkisë së kryeqytetit. Ky vendim nuk është pranuar nga bashkia, e cila e ka kundërshtuar atë, por nuk ka gjetur mirëkuptim nga ana e qeverisë dhe në këtë mënyrë është detyruar që ta çojë çështjen në gjykatë. Tashmë qeveria lokale kërkon nga gjykata që të shfuqizojë këtë vendim dhe paraprakisht të pezullojë zbatimin e tij deri në përfundim të këtij procesi gjyqësor.

"Me ketë rast, Bashkia e Tiranës do të ketë mundësi të zbatojë të gjitha projektet dhe të trajtojë dhe zhvillojë një nga pjesët më të bukura të kryeqytetit, atë të zonës së Liqenit Artificial", thuhet në faqen zyrtare të Kryeministrisë lidhur me rëndësinë e vendimin në fjalë. Por burime pranë bashkisë së kryeqytetit thonë se ky vendim nuk është i plotë dhe për më tepër i papranueshëm. Sipas këtyre burimeve, nga i gjithë parku i Liqenit Artificial, bashkisë i është dhënë vetëm diga e liqenit dhe asnjë pjesë tjetër, të cilat kanë mbetur në varësi të institucioneve të ndryshme. Në këtë mënyrë parku është në varësi të shumëfishtë, nga Ministria e Punëve publike, Ministria e Mjedisit, prefektura etj., ndërsa për bashkinë është lënë vetëm diga. Nisur nga kjo ndarje, bashkia nuk e ka pranuar vendimin e qeverisë duke kërkuar që parku i Liqenit Artificial ose të jepet i gjithi për t‘u administruar nga pushteti lokal, ose të mos ndahet pjesë-pjesë duke krijuar probleme në menaxhimin e tij. Sipas specialistëve të fushës, parku ka nevojë për një menaxhim dhe rikonstruksion të plotë, që do të niste që nga pastrimi i liqenit dhe sigurimi i digës, ndërprerja e ndërtimeve pa kriter në zonat që i takojnë komunës, rregullimi i regjimit te hyrje daljeve në park, e mjaft probleme të tjera, për të cilat duhen gjithashtu edhe investime direkte.

Kësisoj, duket se pas një periudhe qetësie në marrëdhëniet midis pushtetit vendor dhe atij qendror, me gjithë problemet ende të pazgjidhura siç është problemi i ujësjellësve, përplasjet mes bashkisë së kryeqytetit dhe qeverisë janë rikthyer. Gjithsesi, kësaj radhe në mënyrë më të qetë, pa debate publike, por duke ia lënë në dorë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve gjyqësorit. Në ditët në vazhdim pritet të caktohet edhe data e nisjes së këtij procesi që pas përplasjes ligjore për mbikalimin e "Zogut të Zi" do të vërë sërish përballë njëri-tjetrit juristët e bashkisë dhe ata të qeverisë.

Përmbytja e

vitit 2002

Më 27 shtator të vitit 2002, portat e digës së Liqenit Artificial të Tiranës u hapën nga personi që ishte ngarkuar ta ruante atë dhe për pasojë një pjesë e zonës së banuar që gjendej poshtë saj u përmbyt. Ngjarja shkaktoi mjaft probleme pasi amortizimi i portave bëri që ato të mos mbylleshin më dhe pothuajse i gjithë uji u derdh nëpër zonën e banuar. Për këtë incident nënkryetari i atëhershëm i bashkisë, Blendi Gonxhe, dha dorëheqjen nga detyra, ndërsa roja i konsideruar si fajtori kryesor u procedua penalisht. Bashkia mori përsipër kompensimin e të gjithë banorëve të dëmtuar nga përmbytja.

Vendimi i qeverisë

Nr.281, datë 9.5.2007

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3, shkronja "k", 5 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001 "Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore", të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Kalimin e digës së Liqenit Artificial në pronësi të Bashkisë së Tiranës, sipas formularit dhe planimetrisë, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Ngarkohen ministri i Brendshëm, kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë të ndjekin procedurat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›