E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, Gruevski bën një hap prapa

Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, tenton të zbusë krizën e krijuar për problemin e vizave mes dy vendeve. Lideri i së djathtës nacionaliste të Maqedonisë, i cili drejton një qeveri në koalicion me shqiptarët e PDSH-së dhe një parti të vogël të së majtës, të vijë në Tiranë dhe t‘i deklarojë homologut të tij shqiptar, Sali Berisha, se miratimi i ligjit të ri, që heq dhënien e vizave në pikat e kalimit kufitar, nuk është bërë për faj të tij, ndërkohë që nuk garanton ende publikisht që do ta ndreqë këtë problem të madh politik mes dy vendeve, i cili ka përfshirë një debat jo vetëm në Tiranë, por edhe brenda shqiptarëve të Maqedonisë. Në një intervistë për agjencinë zyrtare të lajmeve MIA, Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, e pranon se heqja e dhënieve të vizave në kufi është shumë e dëmshme për vetë shtetin e tij. Siç shprehet tekstualisht Gruevski tha se "sot të dyja shtetet, Maqedonia dhe Shqipëria, si dy shtete fqinje, janë para hyrjes në NATO, me relacione të shkëlqyera reciproke dhe me të vërtetë do të ishte hap mbrapa ta ndërlikojmë regjimin vizor dhe me këtë të ngadalësojmë tregtinë e bashkëpunimin ekonomik, atë turistik dhe udhëtime të tjera të qytetarëve". Në fakt, kjo deklaratë tregon sinjalin e parë zyrtar të tërheqjes së Shkupit, edhe pse nuk është përfundimtar. Sepse, Gruevski nuk flet për rishikimin e ligjit, por ia vë fajin qeverisë paraardhëse të së majtës që ishin në aleancë me Bashkimin Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit. Kryeministri maqedonas deklaroi se problemi me vizat daton që nga viti 2006, kur koalicioni i atëhershëm, BDI-LSDM (Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë) së bashku me PLD-në (liberalët) miratuan ligj të ri për të huajt që hyri në fuqi. "Këtë të gjithë mund ta kontrollojnë, nëse e hapin gazetën zyrtare të asaj kohe. Ai ligj parashikon në pajtim me direktivat evropiane, përderisa mes disa vendeve ka regjim vizash, lejet e kalimit, në vend që të jepen në kufi, siç ishte deri tani, të jepen në ambasadë", thekson Gruevski. Por, edhe pse nuk flet hapur për një rikthim të situatës, kreu i qeverisë së Maqedonisë, gjithsesi e cilëson defekt vendosjen e regjimit të vizave, çka tregon se Shkupi është tërhequr më shumë se një hap prapa. Por, siç shprehen edhe zëra autoritarë në Tiranë, ka shumë mundësi që status quo-ja aktuale të ruhet me një dispozitë kalimtare të ligjit për të huajt. Çka do të thotë që do të vazhdojë marrja e vizave me procedurat aktuale, por jo në pikat e kalimit kufitar, por në konsullatën që pritet të hapet në Pogradec, si dhe në ambasadën e Maqedonisë në Shkup.

Bisedimet

Dje në kryeqytetin e Maqedonisë janë takuar delegacionet e ekspertëve të ministrive të Jashtme të Shqipërisë dhe Maqedonisë, për të biseduar në lidhje me zgjidhjen e krizës së vizave. Delegacioni shqiptar drejtohet nga sekretari i përgjithshëm i MPJ, Ferit Hoxha. Një draft paraprak që është hartuar, parashikon heqjen e termit "vizë" dhe vendosjen e një vule të posaçme, e cila, si deri më sot, do të ketë të njëjtën vlerë, pra 10 euro. Marrëveshja siç bëhet e ditur do të heqë plotësisht regjimin e vizave midis dy vendeve, ndërsa ajo pritet të nënshkruhet gjatë vizitës së kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski më 18 ose 19 shkurt në Tiranë. Me një marrëveshje të tillë hiqen plotësisht vizat për shtetasit shqiptar si dhe për shtetasit e Maqedonisë të komunitetit maqedonas, të cilët gjithashtu obligoheshin për nxjerrjen e vizave në pikat kufitare për të hyrë në territorin shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›