E Diel, 1 Nëntor 2026

Ina Rama: Ngjarjet flagrante, me gjykim të drejtpërdrejtë

Kryeprokurorja Ina Rama ka marrë pjesë dje në analizën vjetore në Prokurorinë e Shkodrës, ku ka theksuar që prokurorët dhe hetuesit të asistojnë në vendin e ngjarjes. Një tjetër "urdhër" i Ramës ishte se ngjarjet flagrante të gjykohen drejtpërdrejtë, në mënyrë që të reduktohet koha e kryerjes së një procesi penal. Pas Fierit dhe Vlorës, radhën e ka pasur Shkodra, ku, ndër të tjera, është diskutuar edhe për ruajtjen e sekretit hetimor, i cili, sipas Ina Ramës, është konsideruar si një fenomen që duhet goditur, madje duke ndëshkuar personat që e kryejnë atë. "Në analizën e Prokurorisë së Shkodrës, kryeprokurorja Ina Rama ka kërkuar rritjen e prezencës së prokurorëve në administrimin e vendit të ngjarjes, njëkohësisht dhe mbajtja nën kontroll e veprimeve nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore për të garantuar ligjshmërinë e tyre dhe përdorimin sa më efikas në gjykimin e çështjes", thuhet në njoftimin e akuzës qendrore. Sipas saj, kryeprokurorja i kërkoi Prokurorisë së Apelit Shkodër, me cilësinë e organit më të lartë, të evidentojë problematikën që prokurori konstaton nga shqyrtimi i dosjeve gjyqësore e që lidhet me qëndrimet e prokurorëve në seancë gjyqësore. Në lidhje me gjykimin e drejtpërdrejtë, në njoftimin e organit qendror të akuzës, thuhet se: Me këtë formë, Prokuroria e Përgjithshme synon të shmangë paragjykimet që lidhen me veprimtarinë e prokurorëve, oficerëve të policisë gjyqësore gjatë hetimit paraprak në ato raste kur ky hetim është i panevojshëm. Ndërsa prokurorët e rrethit Gjyqësor Shkodër, nga ana e tyre si të vetme ankesë dhe kërkesë kishin: Ambiente të përshtatshme pune, pasi hapësirat aktuale janë të pamjaftueshme, duke kërkuar investime në infrastrukturë. Një tjetër problematikë për ta është ajo për shkak të ngritjes së seksionit të të miturve në Prokurorinë e Shkodrës, e cila mbulon të gjitha prokuroritë që kap Gjykata e Apelit Shkodër. Vështirësi, sipas prokurorëve të Shkodrës, mbetet kryerja e veprimeve hetimore, sepse të miturit, ish të pandehurit në këto procedime, ndodhen në zona gjeografikisht të largëta me qytetin e Shkodrës. Ndërkohë, sot kryeprokurorja do të vizitojë Prokurorinë e Durrësit, ku do të kryejë edhe analizën vjetore. Disa ditë më parë, Rama mori pjesë në Vlorë dhe Fier, ku vëmendja u përqendrua në hetimet e krimit ekonomiko-financiar, si dhe në hetimin e vjedhjes së energjisë elektrike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›