E Diel, 1 Nëntor 2026

Fatime Goga në prokurori: Nuk ka mbivendosje pronash në Ndroq

Kryetarja e Komunës Ndroq, Fatime Goga, gjatë deklarimeve në Prokurorinë e Tiranës, ka hedhur poshtë pretendimet e banorëve për abuzimet me pronat. "Pretendimet e banorëve të komunës janë të pavërteta. Ata nuk janë paraqitur asnjëherë për të marrë vërtetimet e pronësisë. Kemi dokumente zyrtare që vërtetojnë këtë fakt", mësohet se ka deklaruar kryekomunarja para grupit hetimor të Task-Forcës, kundër krimit ekonomiko-financiar. Burimet nga akuza shpjeguan se Goga pretendoi se 55 banorët, që kanë depozituar kallëzime penale në prokurori, nuk kanë sasi të madhe prone në zotërim dhe për pasojë nuk mund ta shesin. Ajo ka deklaruar se pronat që kanë në zotërim denoncuesit nuk kanë as hipotekë. Një gjë e tillë është vërtetuar nga krerët e komunës pas një dokumenti nga Prefekturë. E zgjedhura për të dytin mandat radhazi në Ndroq, nën siglën e PS-së, ka bashkëpunuar me organet e drejtësisë për të zbardhur pretendimet e banorëve. Ajo i është përgjigjur pozitivisht thirrjes së prokurorisë, duke parashtruar para grupit hetimor edhe dokumentet përkatëse. Sipas prokurorisë, e cila bazohet në denoncime, e gjithë Komuna Ndroq ka të njëjtat probleme me të zgjedhurit vendorë. Kallëzuesit mendojnë se drejtuesja e komunës, Fatime Goga dhe nëpunësi tjetër, Sulejman Enesi kanë konsumuar plotësisht elementet e veprës penale "Shpërdorim detyre". Të 55 personat që kanë kallëzuar kryetaren e komunës në Prokurorinë e Tiranës, janë tepër të shqetësuar lidhur me faktin se për tokat që nuk u plotësohen dokumentet përkatëse, mund të jenë ndarë ose u janë dhënë personave të tjerë, në mënyrë të falsifikuar. "Fakti që drejtuesja e Komunës së Ndroqit, Fatime Goga, dhe specialisti i mbrojtjes e administrimit të tokës, Sulejman Enesi, nuk u hapin rrugën e procedurave për regjistrimin e pasurisë për fshatarët e kësaj komune, ka sjellë pasoja të rënda në shumë drejtime. Mosveprimi i drejtuesve të komunës ka penguar plotësisht zbatimin e plotë të ligjit nr. 7501, i cili lë hapësirë për regjistrimin e pasurive të paluajtshme", thuhet në dosje. Gjithashtu, banorët shprehen se dy të kallëzuarit, Goga dhe Enesi, kanë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme, sepse me neglizhencën e tyre ata kanë bllokuar zhvillimin e aktivitetit bujqësor dhe blegtoral, në mënyrë të tillë që fshatarët të mos kenë asnjë mundësi për marrjen e një kredie, e cila do të mund të ndikonte në fillimin e veprimtarisë private. Veç të tjerash, ata janë të bllokuar lidhur me tregun e tokës, pasi herë pas here banorët kanë pasur kërkesa të vazhdueshme për shitjen e pronës, por duke mos pasur dokumentacionin e plotë, gjithçka është pezulluar. Tashmë pretendimet e të dyja palëve po verifikohen nga prokuroria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›