BE-ja për administratën: Korrupsioni, një problem mjaft serioz
Në lidhje me këtë çështje mjaft të prekshme, raporti-progres i Bashkimit Evropian thekson se "korrupsioni është i përhapur dhe përbën një problem mjaft serioz për Shqipërinë". Ndërkaq, në mënyrë të detajuar jepen një varg rekomandimesh ku i kërkohet qeverisë që të rrisë transparencën dhe të marrë masa të dukshme dhe shembullore në luftën ndaj korrupsionit. Duke e lidhur këtë aspekt edhe me situatën në sistemin gjyqësor, raporti i Bashkimit Evropian thekson se "masat për të forcuar gjyqësorin në luftë ndaj korrupsionit po vonohen vazhdimisht. Strategjia e re e qeverisë nuk përfshin objektiva konkretë dhe tregues më të qartë". Ndërkaq, shefi i Zyrës për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Dirk Lange, deklaroi se Shqipëria duhet të bëjë hapa përpara në zhvillimet e saj ekonomike, duke iu referuar "pikës nevralgjike", krizës energjetike. Zyrtari i Brukselit theksoi se çmimi i importit të energjisë është shumë më i lartë se çmimi i pakicës. Gjithashtu, Lange deklaroi se papunësia mbetet ende e lartë dhe duhen marrë masa energjike për të zgjidhur këto probleme.