E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkimi Evropian: Viti 2007, Shqipëria, pak progres

Bashkimi Evropian e ka vulosur notën e tij për Shqipërinë për vitin 2007 me vlerësimin "pak progres". Por ashtu si dhe vitin tjetër, tri problemet kryesore për Shqipërinë, sipas Brukselit, mbeten sërish: reforma në drejtësi, reforma zgjedhore, si dhe korrupsioni për të cilin BE-ja ka vendosur vlerësimin me "bisht": "problem mjaft serioz. Në raportin progres që miratoi më 5 nëntor, Komisioni Evropian dhe e shpërndau dhe në Tiranë në rrugë zyrtare, BE-ja ka renditur me detaje në një material mjaft të gjatë të gjitha problemet dhe arritjet e Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian, por edhe në përballjen me sfidat e forcimit të shtetit ligjor, demokracisë dhe mbrojtjes të së drejtave të njeriut. Por në mënyrë më të qartë, konkluzionet politike të raportit për vitin 2007, i cili është hartuar në periudhën tetor 2006-tetor 2007, u dhanë nga shefi i Departamentit për Shqipërinë në Komisionin Evropian, Dirk Lange, dhe ambasadori i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmuth Lohan. Në mënyrë të qartë, pyetjes së gazetës "Shqip" se meqë në raportin e këtij viti nuk ka shumë ndryshime nga ai i vitit të kaluar, cili është vlerësimi i Brukselit, zyrtari i Komisionit Evropian, përgjegjës për Shqipërinë, Dirk Lange, deklaroi qartë: "Shqipëria ka bërë pak progres". Në gjuhë më të detajuar, drejtori i departamentit "Albania" në Bruksel theksoi se ne kemi kritika për mosecjen përpara të reformave thelbësore që i duhen Shqipërisë, të cilat janë ato në drejtësi, si dhe reforma elektorale. Duke ilustruar raportin e BE-së, Lange theksoi se ne kemi vlerësuar rolin e Parlamentit në zhvillimet demokratike në vend, i cili arriti të zgjedhë Presidentin e Republikës, por theksoi, duke iu referuar raportit, se klima politike mbetet mjaft e polarizuar dhe duhet menjëherë që t‘i jepet fund konfliktualitetit në debatin politik mes të gjitha forcave politike, atyre në mazhorancë dhe atyre në opozitë. Pikërisht duke iu referuar rolit të Kuvendit, shefi i zyrës për Shqipërinë në Komisionin Evropian theksoi se është i domosdoshëm përparimi në reformat e duhura, duke mos u vonuar asnjë minutë më shumë në këtë aspekt.

Drejtësia

Në mënyrë të qartë, në raport theksohet se "konflikti mes qeverisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm kanë shoqëruar masat e qeverisë në luftën ndaj korrupsionit". Në lidhje me institucionin e akuzës, kreu i Zyrës për Shqipërinë, Dirk Lange, deklaroi se institucioni i prokurorit duhet të jetë pa dyshim një institucion i pavarur. Ndërkaq, "procedurat juridike mbeten ende të dobëta dhe jo shumë transparente", theksohet në raport.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›