E Diel, 1 Nëntor 2026

Më 1 janar hyn në fuqi marrëveshja e lehtësimit të vizave

Në prag të hyrjes në fuqi të marrëveshjes për lehtësimin e regjimit të vizave Shqipëri - BE, u zhvillua dje një takim pune mbi marrjen e masave për implementimin e kësaj marrëveshjeje nën drejtimin e zëvendësministrit të Brendshëm, Ferdinand Poni. Të pranishëm në takim ishin drejtues të gjendjes civile, pranë Ministrisë së Brendshme, përfaqësues nga Policia e Shtetit, prefektë e nënprefektë, si dhe drejtues të sektorit të gjendjes civile në njësitë e qeverisjes vendore. Kjo marrëveshje, e cila vlerësohet një hap i madh pozitiv për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë drejt vendeve të BE-së, hyn në fuqi më 1 janar 2008. Në një prononcim për mediat, zv/ministri Poni tha se "e zhvillojmë këtë takim për të pasur një koordinim dhe bashkëpunim më të mirë të punës mes institucioneve për garantimin e standardeve, për të pasur të dhëna dhe dokumente të qarta që përputhen në mënyrë autentike me librin e gjendjes civile, për procedura lehtësisht të identifikueshme dhe të kontrollueshme nga ambasadat e vendeve të tjera, për unifikimin e procedurave për unifikimin e shërbimit të gjendjes civile. Marrëveshja e lehtësimit të vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, e cila hyn në fuqi më 1 Janar 2008, është një hap i madh pozitiv për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë drejt vendeve të BE-së. Kjo marrëveshje u nënshkrua më 18 shtator 2007 në selinë e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian në Bruksel nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. Regjimi i ri i vizave do të ndikojë drejtpërdrejt në lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë drejt Bashkimit Evropian dhe njëkohësisht do të ndikojë pozitivisht në eliminimin e rrugëve të emigracionit ilegal. Ndërkohë që nga mbarëvajtja dhe funksionimi i mirë i kësaj marrëveshjeje do të varet dhe hapi tjetër, ai i liberalizimit të vizave. Bisedimet zyrtare u hapën më 13 dhjetor 2006 dhe vazhduan me dy raunde të tjera zyrtare dhe me disa takime informale teknike, për të përfunduar në përafrimin teknik të marrëveshjes më 10 prill 2007 në Bruksel. Ceremonia zyrtare e përafrimit u krye në Zagreb më 12 prill 2007 dhe u siglua për palën tonë nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ndërsa nga komisioni nga zv/presidenti përgjegjës për çështjet e Brendshme dhe Drejtësisë, z. Frattini.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›